Hidhet shorti “Final 4” për vajza/ Partizani gjen Vllazninë, Tirana përballet me Apoloninë
Vllaznia, Apolonia, Partizani e Tirana janë katër ekipet që do të luajnë në “Final 4”, nga ku do të shpallet edhe skuadra kampione e sezonit futbollistik 2023-2024.
Pas përfundimit të kampionatit të rregullt ditën e djeshme, këtë të hënë, në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” u hodh edhe shorti i fazës “Final 4” që u drejtua nga anëtarja e Komitetit Ekzekutiv në FSHF, Anila Basha.
Skuadrat u ndanë në dy vazo, Vllaznia dhe Apolonia si skuadrat e renditura më mirë në klasifikim ishin të vendosura në vazon e parë ndërsa Tirana e Partizani, si ekipet e renditura në vendin e tretë dhe të katërt në kampionat, u vendosën në vazon e dytë.
Partizani – Vllaznia dhe Tirana – Apolonia janë çiftet e fazës “Final 4”, një risi në futbollin e vajzave në këtë edicion. Ndeshjet do të zhvillohen me takime vajtje-ardhje në datat 3 dhe 7 maj. Tirana do të presë Apoloninë në kompleksin “Skënder Halili” në takimin e parë më 3 maj, ndërsa ndeshja e dytë do të zhvillohet në Fier më 7 maj. Ndërkaq, sfida e parë mes Partizanit e Vllaznisë do të luhet në stadiumin “Arena e Demave” më 3 maj ndërsa ndeshja e 7 majit do të luhet në Shkodër.
Në rast barazimi tё rezultateve pas dy takimeve tё lojës sё rregullt, skuadra e renditur mё mirё nё klasifikim kualifikohet pёr nё ndeshjen finale.
Finalja e madhe që do të përcaktojë edhe kampionen e këtij edicioni do të luhet më 11 maj në “Shtëpinë e Futbollit”.
Sakaq, dy ekipet që nuk kalojnë në finale do të zhvillojnë një ndeshje me një takim, për të përcaktuar vendin e tretë dhe të katërt, me ndeshjen që do të luhet po në “Shtëpinë e Futbollit”.
Ekipi kampion i “Abissnet Superiore” për vajza do të përfaqësojë Shqipërinë në raundin para-eliminator në UEFA Champions League.