Mon, Nov 25, 2024

Legjionarët/ 5 gola e 3 asiste, paraqitje e shkëlqyer e kuqezinjve

  • PublishedApril 29, 2024

Futbollistët e Kombëtares shqiptare që luajnë në kampionatet jashtë vendit, kanë mbyllur një tjetër javë me paraqitje pozitive me klubet e tyre përkatëse, duke dhënë kontributin me gola e asiste.

Taulant Seferi shkëlqeu në Emiratet e Bashkuara Arabe me klubin e tij Bani Yas në fitoren 4-2 ndaj Hatta. Sulmuesi kuqezi shënoi dy golat e parë të takimit, fillimisht në fundin e pjesës së parë (45+1) dhe në fraksionin e dytë në minutën e 51-të. Por Seferi nuk u ndal me kaq, pasi dhuroi edhe dy asiste për shokët e skuadrës në pjesën e dytë. Një paraqitje fantastike për Seferin që u përzgjodh edhe lojtari i ndeshjes, i vlerësuar me notën 9.8 nga sajti i specializuar për statistika sofascore.

Myrto Uzuni dha kontributin e tij me një gol në fitoren 3-0 të Granada-s ndaj Osasuna. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare realizoi goli e dytë të takimit, teksa ky ishte goli i 11-të sezonal për Uzunin në La Liga.

Mirlind Daku zhvilloi një tjetër paraqitje pozitive me skuadrën e tij Rubin Kazan. Sulmuesi kuqezi në ndeshjen e fundit ndaj Zenit ishte protagonist absolut në fitoren 2-0, teksa gjeti rrugën e rrjetës dhe asistoi për shokun e skuadrës. Daku fillimisht zhbllokoi takimin në minutën e 50-të, ndërsa në të 67-ën shërbeu saktë për Martynovich që realizoi edhe golin e dytë.

Në Turqi, rrugën e rrjetës e gjeti sërish Rey Manaj. Në takimin Sivasspor – Konyaspor ku ishin titullar të dy sulmuesit e Kombëtares shqiptare, Sokol Cikalleshi dhe Rey Manaj, ndeshja u vendos nga Manaj i cili shënoi golin e vetëm dhe të fitores për skuadrën e tij. Ky ishte goli i 18-të sezonal për sulmuesin kuqezi në kampionatin turk.

Titullarë me skuadrat e tyre u aktivizuan edhe Elhan Kastrati, Berat Gjimshiti, Enea Mihaj, Frederic Veseli, Jon Mersinaj, Mario Mitaj, Naser Aliji, Ernest Muçi dhe Arbnor Muçolli ndërkohë dhanë kontributin e tyre si zëvendësues Elseid Hysaj, Kristjan Asllani, Qazim Laçi, Keidi Bare, Nedim Bajrami, Armando Broja, Arbër Hoxha dhe Arbnor Muja.

AlbaniaWeb.net