Provimi i kontestuar i Magjistraturës shkakton debat në Kuvend
Mazhoranca nuk pranoi të hënën një kërkesë të opozitës në Komisionin parlamentar të Ligjeve për të thirrur në një seancë dëgjimore drejtorin e Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi, pas problemeve që u hasën me konkursin e pranimit gjatë këtij muaji.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, kërkoi angazhimin e këtij komisioni për të sqaruar atë që ai i quajti “hije skandali” në Shkollën e Magjistraturës, ndërsa aludoi se në listën fituese të magjistratëve të ardhshëm ishin edhe “patronazhistë” të Partisë Socialiste.
“Nuk kuptohet pse ditën e parë ishin 70, në darkë u bënë 120 dhe të nesërmen 140 fitues. Ndërkohë që ju keni publike listën e patronazhistëve dhe 13 persona që kanë fituar janë në listë,”iu drejtua Bardhi kolegëve socialistë.
“Fakti që është patronazhist nuk do të thotë të mos bëjë karrierë, por duhet transparencë se çfarë ka ndodhur,” shtoi ai.
Bardhi këmbënguli se Komisioni i Ligjeve kishte të drejtën të thërriste në një seancë dëgjimore drejtorin Arben Rakipi për të sqaruar Kuvendin dhe publikun. Por kërkesa e tij u konsiderua si politike nga socialistët dhe përpjekje për të ndërhyrë në punët e organeve të drejtësisë.
Deputeti Pandeli Majko tha se Shkolla e Magjistraturës nuk varet nga Parlamenti, por nga struktura të tjera të drejtësisë. “Mos e politizoni dhe të thoni ata që kanë fituar janë patronazhistë , kjo është qesharake,” tha Majko duke e cilësuar shqetësimin e Bardhit të drejtë, por jashtë kompetencave të parlamentit.
Kryetarja e komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka sugjeroi që shqetësimi për këtë konkurs të ngrihet gjatë dëgjesave me krerët e organeve drejtuese të drejtësisë, të cilët janë në bordin drejtues të Magjistraturës.
“Duhet të jemi brenda rolit tonë kushtetuese në raport me drejtësinë,” këmbënguli Bushka, duke u kërkuar deputetëve të opozitës që të kenë besim tek drejtësia, sepse sipas saj, “i kanë mekanizmat e llogaridhënies së brendshme” dhe “monitorohet në mënyrë rigoroze nga partnerët ndërkombëtarë”.
Edhe deputetë të tjerë të opozitës i mëshuan çështjes duke e cilësuar këtë një proces me rëndësi për të ardhmen e sistemit të drejtësisë, pasi kjo shkollë çertifikon gjyqtarët dhe prokurorët e rinj.
Shkolla e Magjistraturës ndryshoi brenda pak orësh numrin e kandidatëve fitues në fazën e parë të provimit për pranimin në këtë shkollë dhe më pas sqaroi se kishte pasur një problem teknik të vlerësimit për shkak të mosfunksionimit të pajisjes Scantron.
Sipas njoftimit, problemi është zgjidhur duke rivlerësuar testet me një pajisje të re Scantron, por procesi është u kontestua nga një pjesë e kandidatëve jofitues.
Pavarësisht kundërshtive, Shkolla e Magjistraturës organizoi të hënën provimin e dytë të fazës së dytë të pranimit, proces që do të të identifikojë fituesit për vitin akademik 2024-2025.