Sun, Nov 24, 2024

Salmonela: Pyetje dhe Përgjigje për Bakterin e Rrezikshëm

  • PublishedMay 2, 2024

Deri më tani, gjithësecili prej nesh mund ta ketë krijuar një ide për infeksionin e salmonelës, një bakter që infekton miliona njerëz në botë çdo vit.

Simptomat e salmonelës shfaqen ndërmjet 24 dhe 48 orësh pas konsumit të një ushqimi të kontaminuar. Ato përfshijnë diarrenë dhe të vjellat.

Sipas kërkimeve të AgroWeb.org, personi i infektuar mund të ketë dhimbje koke, ethe, dhimbje barku, të lokalizuara më tepër në pjesën e poshtme të barkut. Ndonjëherë mund të ndodhë që të shfaqet dhe temperatura.

Megjithatë për një panoramë më të qartë të këtij infeksioni problematik lexoni faktet e mëposhtme të përgatitura nga AgroWeb.org

Disa Ushqime Janë Më Të Predispozuar Të Bartin Salmonelën

Infeksioni i salmonelës mund të vijë nga një sërë ushqimesh, që nga frutat e deri tek arrorët.

Zakonisht, ky bakter infekton më shumë mishin e pulës, viçit, shpendëve, qumështin dhe vezët.

Nëse ju prekni një ushqim të kontaminuar me salmonelë dhe më pas prekni gojën me duar të palara, rreziku i infeksionit është më i lartë.

Ekspertët e AgroWeb.org thonë se produktet e mishit nuk duhen larë para gatimit, pasi lëngjet e tyre mund të spërkasin dhe kontaminojnë ushqime, enë dhe sipërfaqe të tjera.

Larja e duarve, mbajtja pastër  e kuzhinës tuaj dhe shmangia e ripërdorimit të dërrasave të prerjes mund të ndihmojnë në mbrojtjen e juve dhe familjes tuaj nga helmimi me Salmonelë.

Ka Mbi 2500 Grupime Bakteresh Të Salmonelës

Të dhënat e ekspertëve flasin për 2500 grupime të këtij bakteri, dhe 100 prej tyre janë përgjegjës për infeksionin tek njeriu.

Këto infeksione mund të jenë të transmetueshme gjatë kontaktit të drejtpërdrejtë njeri-njeri dhe njeri-kafshë.

Kafshët shtëpiake mundet të jenë bartës të salmonelës dhe jo domosdoshmërisht janë të rrezikuar prej saj.

Prandaj ekspertët këshillojnë që kafshët shtëpiake të mbahen larg zonave të ngrënies dhe gatimit.

Infeksioni Me Salmonelë Mund Të Shkaktojë Probleme Me Tretjen Ose Artrit

Njerëzit e prekur nga Salmonela janë të rrezikuar nga një formë e sëmundjes së artritit.

Kjo ndodh sepse bakteri akumulohet edhe në zorrën e trashë duke shkaktuar inflamacion që prek direct kyçet.

Ndërkohë, nëse bakteri ngec në sistemin tretës, sëmundja mund të zgjatet ndjeshëm në kohë dhe njeriu të ketë probleme me tretjen.

Hudhra Dhe Kanella Shkatërrimtare Të Bakterit

Në shumicën e rasteve, infeksioni me Salmonelë shërohet brenda një jave pa ndonjë trajtim specifik mjekësor.

Ka disa studime sipas të cilave, konsumi i vajit të lëkurës së kanellës mund të luftojë disa lloje të këtij bakteri.

Sipas të njëjtave studime, hudhra është gjithashtu efikase kundër disa llojeve të infeksionit.

Salmonela Mban Emrin e Një Veterineri

Daniel Elmer Salmon ishte i pari mjek veteriner  me diplomë në Shtetet e Bashkuara. Pas marrjes së dipomës në vitin 1876, Salmon identifikoi disa lloje sëmundjesh infektive tek shtazët.

Bakteri në fjalë në të vërtetë u zbulua nga Theobald Smith i cili u impresionua shumë nga puna e Salmon saqë bakterit i vuri emrin Salmonela.

Rreziku I Infeksionit Rritet Sipas Moshës Dhe Sëmundjeve të Tjera

Njerëzit me imunitet të dobët, ata që vuajnë nga diabeti, sëmundjet e zemrës, kanceri, veshkat, HIV/AIDS etj janë më të rrezikuar nga helmimi.

Për më tepër, rreziku shtrihet tek grupmoshat mbi 65 vjeç, tek gratë shtatzënë dhe të miturit nën 5 vjeç.

Rreziku i Salmonelës Është Më i Madh Në Verë

Infeksionet apo helmimi nga Salmonela është më i përhapur gjatë muajve të ngrohtë.

Për të ulur rrezikun, produkte si mishi, vezët, qumështi, perimet e barishtet duhen mbajtur në frigorifer.

Ngrirja mund të frenojë riprodhimin e bakterit por nuk e shkatërron atë.

Ndaj para dhe pas prekjes apo përpunimit të ushqimeve të lartpërmendura, duhet të lani duart./AgroWeb.org