Tue, Nov 26, 2024

BE dënon sulmet kibernetike nga hakerat shtetërorë rusë kundër Gjermanisë

  • PublishedMay 3, 2024

Bashkimi Evropian së bashku me partnerët ndërkombëtarë, kanë dënuar sulmet kibernetike të kryera nga ‘APT28’, e kontrolluar nga Rusia kundër Gjermanisë dhe Republikës Çeke, sipas një deklarate të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së Josep Borrell.

Gjermania ndau publikisht raportin e saj për shkeljen e APT28 të llogarive të ndryshme të emailit të Partisë Social Demokrate Gjermane.

Në të njëjtën kohë, Republika Çeke njoftoi se institucionet e saj ishin shënjestruar në këtë fushatë kibernetike. Institucionet shtetërore, agjencitë dhe entitetet në shtetet anëtare, duke përfshirë Poloninë, Lituaninë, Sllovakinë dhe Suedinë, janë shënjestruar nga i njëjti aktor kërcënimi në të kaluarën.

Në vitin 2020, BE vendosi sanksione ndaj individëve dhe subjekteve përgjegjëse për sulmet APT28 që synonin Parlamentin Federal Gjerman në 2015.

“BE-ja nuk do të tolerojë sjellje të tilla keqdashëse, veçanërisht aktivitete që synojnë degradimin e infrastrukturës kritike, dobësimin e kohezionit social dhe ndikimin në proceset demokratike, në funksion të zgjedhjeve të këtij viti në BE dhe në më shumë se 60 vende të botës. BE-ja dhe Shtetet Anëtare të saj do të vazhdojnë të punojnë me partnerët tanë ndërkombëtarë për të promovuar një hapësirë kibernetike të hapur, të lirë, të qëndrueshme dhe të sigurt.

BE -ja është e vendosur të përdorë gamën e plotë të masave për të parandaluar, penguar dhe përgjigjur sjelljes dashakeqe të Rusisë në hapësirën kibernetike”-thuhet në deklaratë.


AlbaniaWeb.net