Euro U-17 2025 / Hidhet shorti për raundin e parë kualifikues të tuneut që do luhet në Shqipëri, kuqezinjtë në Grupin 3
Është hedhur sot në selinë e UEFA-s në Nyon të Zvicrës shorti për raundin e parë kualifikues për Kampionatin Europian U-17 “Shqipëri 2025”.
Ky event madhor do të organizohet nga FSHF në bashkëpunim me UEFA-n në vendin tonë. Në short morën pjesë 54 skuadra së bashku me Shqipërinë që është vendi pritës i finaleve. Skuadrat u ndanë në 14-të grupe, 12-të grupe me nga katër skuadra dhe 2 grupe me nga tre skuadra. Shqipëria U-17 u pozicionua në Grupin 3 së bashku me Holandën, Kroacinë dhe Ishujt Faroe.
Të gjitha ndeshjet e raundit të parë të kualifikueseve do të luhen në periudhën korrik – nëntor të këtij viti, teksa në raundin e dytë do të kualifikohen 28 ekipe, pra vendi i parë dhe i dytë i çdo grupi. Edhe në raundin e dytë do të hidhet short nga UEFA, ku skuadrat do të ndahen në shtatë grupe me nga katër ekipe.
Pas përfundimit të ndeshjeve kualifikuese të raundit të dytë, shtatë vendet e para të çdo grupi do t’i bashkangjiten Shqipërisë, që është e kualifikuar automatisht si vendi organizator.