Hudhrat e Njoma si Mrekulli e Natyrës – Vlerat për Shëndetin
Hudhrat e njoma janë fantastike në vlera dhe shije.
E ndërsa shumë prej nesh stepen për konsumin, duke menduar aromën jo fort të këndshme, studiuesit i rekomandojnë për shkak të vetive që hudhrat kanë për organizmin tonë.
Nuk është e thënë të konsumohen vetëm të gjalla dhe të freskëta, përdorini në gatime, për të marrë të gjitha përfitimet që ato ofrojnë.
Hudhrat e njoma shqiptare kanë një veçori shumë të rëndësishme.
Ato vijojnë të jenë e njëjta farë tradicionale si ajo e kohëve të shkuara dhe ruajnë të njëjtën shije dhe vlera.
Mbi të gjitha janë produkte të tokës dhe zhvillimi i tyre nuk është i ndikuar nga asnjë stimulant apo substancë tjetër duke i bërë hudhrat e njoma shqiptare një nga perimet më të pastra dhe të sigurta.
Çfarë përmban hudhra e njomë?
Hudhra e njomë, ashtu si hudhra e thatë përdoret për të kuruar gripin e thjeshtë e deri për parandalimin e sëmundjeve të rënda.
Përdoret për të kuruar probleme që lidhen me sistemin e gjakut dhe zemrën, përfshirë kolesterolin e lartë, parandalimin e atakut të zemrës dhe sëmundjeve koronare.
Shumë e përdorin për të parandaluar problemet me zhvillimin e qelizave të dëmshme të mushkërive, të prostatës, të gjirit e të stomakut.
Një lëndë përbërëse e hudhrës shërben si lëndë kuruese për sëmundjet e zemrës dhe e mbron atë.Hudhra ndikon edhe në përmirësimin e parametrave lipidë të gjakut, forcon potencialet antioksidante dhe shkakton ulje të tensionit. Në fjalë të tjera hudhra ndikon në uljen e kolesterolit dhe kurimin e tensionit të lartë.
Një studim lidh hudhrën me uljen e rrezikut të lindjes së parakohshme, si pasojë e lëndëve antimikrobiale dhe prebiotike që ajo përmban.
Studime të tjera tregojnë se hudhra përmban një lëndë që mbron mëlçinë nga dëmtimet që shkaktohen nga përdorimi i alkoolit.
Si ta zgjedhim hudhrën e njomë?
Hudhra e njomë duhet të ketë kërcell të fortë, pa pjesë të zbutura dhe gjethet e saj duhet të kenë ngjyrë jeshile të fortë.
Në rast se rreth pjesës së kërcellit është formuar një shtresë e butë, ajo duhet të hiqet gjithmonë.
Si të ruajmë hudhrën e njomë?
Mbështilleni mirë me letër dhe futeni në frigorifer. Kini kujdes gjatë mbështjelljes pasi aroma e saj e fortë do të përhapet kudo./AgroWeb.org