Thu, Nov 28, 2024

Dyshohet se pastruan para përmes kontratave të një kompanie “fantazmë”, ligjvënësi amerikan dhe bashkëshortja nën akuzë

  • PublishedMay 4, 2024

Ligjvënësi amerikan Henry Cuellar dhe bashkëshortja e tij akuzohen për marrje të një ryshfeti prej 600 mijë dollarësh në dy skema, që kishin për qëllim të sillnin përfitime për një kompani energjetike në pronësi të Azerbajxhanit dhe një bankë të paidentifikuar në Meksikë, thuhet në dokumentet e gjykatës të publikuara të premten.

Sipas padisë, paratë ishin pastruar përmes kontratave të një kompanie “fantazmë” në pronësi të Imelda Cuellar, bashkëshortes së ligjvënësit, nga dhjetori 2014 deri të paktën në nëntor të vitit 2021.

Në këmbim të këtyre parave, dokumentet e gjykatës thonë se ligjvënësi Henry Cuellar u përpoq të përdorte postin e tij publik për të ndikuar në politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara në favor të Azerbajxhanit dhe për të ushtruar trysni ndaj zyrtarëve të qeverisë amerikane për të ndihmuar përpjekjet lobuese të bankës meksikane për frenimin e zbatimit të politikave kundër pastrimit të parave dhe rregulloreve të huadhënies që kërcënonin biznesin e saj.

Para publikimit të akuzave, ligjvënësi Cuellar lëshoi një deklaratë, në të cilën ai i mohonte akuzat.

“Bashkëshortja ime dhe unë jemi të pafajshëm”, thoshte deklarata e ligjvënësit Cuellar.

Një nga demokratët më konservatorë në Dhomën e Përfaqësuesve, ligjvënësi Cuellar është në garë për të marrë një mandat të 11-të dyvjeçar në zgjedhjet e 5 nëntorit. Ai përfaqëson një qark të Teksasit që kufizohet me Meksikën dhe përfshin Laredon dhe disa pjesë të San Antonios.

Të premten, një zëdhënës i udhëheqësit të pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, tha se ligjvënësi Cuellar do të tërhiqej nga posti i anëtarit më të lartë demokrat të Nënkomisionit të Buxhetit për Sigurinë Kombëtare ndërsa ai merret me çështjet e tij ligjore.

Shtëpia dhe zyra e fushatës së ligjvënësit Cuellar në Laredo u kontrolluan nga forcat e rendit në janar të vitit 2022, kur ai ishte bashkë-kryetar i Grupit të Kongresit për Azerbajxhanin.

Në këtë cilësi, ai dhe disa anëtarë të tjerë të Kongresit nënshkruan një letër, e cila i kërkonte Kongresit të ofronte mbështetje humanitare për njerëzit e zhvendosur nga lufta mes Azerbajxhanit dhe Armenisë.

Në padi mes tjerash përmendet edhe mbështetja e ligjvënësit Cuellar për sigurimin e fondeve për Azerbajxhanin dhe një fjalim pro-Azerbajxhanit që ai mbajti në Dhomën e Përfaqësuesve.

Zoti Cuellar tha përmes deklaratës se kishte kërkuar këshilla ligjore nga Komiteti i Etikës i Dhomës së Përfaqësuesve dhe një firmë ligjore.

“Ne kërkuam një takim me prokurorët në Uashington për të shpjeguar faktet, por ata nuk pranuan të diskutonin çështjen me ne dhe të dëgjonin shpjegimin tonë”, shtoi ai.

Departamenti i Drejtësisë tha se ligjvënësi Cuellar dhe gruaja e tij u paraqitën para një gjykatësi federal në Hjuston të premten. Ata u liruan në këmbim të një garancie financiare.

Secili prej tyre përballet me 14 akuza, duke përfshirë marrjen e ryshfetit, mashtrim, veprim si agjent i huaj gjatë postit zyrtar dhe pastrim parash.

Disa nga akuzat parashikojnë një dënim maksimal prej 20 vitesh burg.

Ligjvënësi Cuellar nuk është i vetmi anëtar i Kongresit që përballet me akuza federale.

Senatori demokrat Bob Menendez është në pritje të gjyqit mbi akuzat për korrupsion në Nju Jork, ndërsa republikani George Santos vitin e kaluar u shkarkua nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe tani është në pritje të gjyqit mbi akuzat për shkelje të ligjeve të financimit të fushatës.

Senatori Menendez dhe ish ligjvënësi Santos i kanë mohuar akuzat./ VOA


AlbaniaWeb.net