Konjufca kundër takimit të Taravarit me Mickoskin dy ditë para zgjedhjeve në Maqedoni: VMRO ka koncepte anti-shqiptare. Reagon edhe BDI
Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristjan Mickoski sot ka qëndruar në shtabin qendrorë të koalicionit VLEN në Shkup, ku ta takuar ish-kandidatin për president të këtij koalicioni, Arben Taravarin.
Pas publikimit të fotografisë nga shtrëngimi i duarve, në mungesë të informatave, lindën shumë pyetje, se për çfarë faktikisht është biseduar në këtë takim, për mbështetje të kandidates së VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovskës në raundin e dytë apo për marrëveshje të mundshme për formimin e qeverisë.
Megjithatë, takimi si duket ka kaluar pa i njoftuar mbështetësit e koalicionit VLEN nga Kosova.
Këtë e dëshmon deklarata e Kryetarit të Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca i cili gjatë një prononcimi tha se nuk ka qenë në dijeni për këtë takim dhe se nuk do t’u kishte preferuar shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut që ta votojnë kandidaten e VMRO-DPMNE-së për presidente, pasi ajo ka koncept antishqiptar, tha Konjufca.
“Nuk qenkam i informuar për këtë takim. Mirëpo po të besoj, duke supozu që është e vërtetë, çka me thënë… Sa i kam parë unë personalisht, ato konceptet politike që i ka zhvilluar edhe Gordana Siljanovska, ato janë shumë koncepte antishqiptare. Ka një dyshim dmth për popullatën shqiptare atje dhe për të drejtat e saj. Unë jam shumë kundër këtyre koncepteve” ka thënë Glauk Konjufca.
Më tej ai tha se “Unë do të isha kundër çfarëdo le të themi mbështetje të çfarëdo shqiptari për koncepte të tilla. Për arsye se unë i kam dëgjuar ato me vëmendje, është një koncept antishqiptar që e ka shpjegu vetë kandidatja”
“Unë nuk do të preferoja kurrfarë opsioni të tillë sepse është në dëm të shqiptarëve” përfundoi Glauk Konjufca, Kryetar i Parlamentit të Kosovës.
Lidhur me takimin e Mickoskit me Taravarin në shtabin qendrorë të koalicionit VLEN në Shkup ka reaguar edhe parti e Ali Ahmetit. Deputeti Arbër Ademi teksa ka publikuar foton e këtij takimi shkruan se “VMRO-ja VLEN! Vota për VLEN është votë për VMRO! Popullit askush s’mund t’ia hedh! Shihemi më 8 maj! Do të ndodhë populli!”.
Kandidatja e VMRO-DPMNE-së për president të Maqedonisë së Veriut, Gordana Silnjaovska Davkova zhvilloi një fushatë me retorikë nacionaliste madje duke propozuar edhe formimin e një tribunali për luftën e UÇK-së së vitit 2001.
AlbaniaWeb.net