Wed, Nov 27, 2024

“Shqiptarët s’votojnë presidentin”, Ali Ahmeti “mesazh” Kurtit para zgjedhjeve: Kosovës i duhet Maqedonia e Veriut

  • PublishedMay 6, 2024

E mërkura e 8 Majit do t’i gjejë qytetarët e Maqedonisë së Veriut në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Ali Ahmeti Kryetar i BDI-us në një intervistë për Top  Channel,  shpalos disa pakënaqësi në adresë të kandidates  të opozitës Gordana Siljanovska Davkova.

“Njerëzit janë të lirë të vendosin për kë do të votojnë. Ka një pezm nga kandidatja e VRMO-s  që doli me ca broçkulla se do hapi çështjet e para 23 vjetëve që janë mbyll ke drejtësia ndërkombëtare për UÇK. Ajo e ka humbur me automatizëm që atë moment që doli me këtë kërkesë dhe nuk e mbështet kërkush prej shqiptarëve. Për tjetrin të vendosin njerëzit me votu”, tha Ahmeti.

I pyetur për bashkëpunimin e mëtejshëm me  kandidatin tjetër për president nga radhët  LSDM-së Stevo Pendarovski dhe një përkrahje të mundshme në këtë raund të dytë, Ali Ahmeti dha këtë përgjigje.

“Tani bashkëpunimi është i natyrshëm me të gjithë pavarësisht aty këtu të ndonjë përplasje dhe pse unë nuk kam provokuar asnjë përplasje. Më kanë provoku te tjerët dhe u kam thënë mos e prekni gurin se nxjerr xixa. Kështu nga ai moment kanë pushuar provokacionet. Të gjithë duhet të mendojmë se më 9 maj duhet të merret përsipër drejtimi i shtetit. Të funksionojë paqja, demokracinë e mirëfilltë dhe siguria’, tha Ahmeti.

Si i shikon Ali Ahmeti ndërhyrjet e Albin Kurtit në jetën politike të Maqedonisë së Veriut?

“Kosovës i duhet Maqedonia. Kosovës i duhet, Shqipëria i duhet Mali i Zi. Ne jemi vende anëtarë në Nato, jemi në të gjitha strukturat ndërkombëtare. Tre shtete jemi në prag të një pakoje për anëtarësim në BE. Kosovës i duhet dhe është domosdoshmëri që të ketë respekt për këto tre qendra. Që janë të rëndësishme”, tha Ahmeti.

Leonita: A ju ka përçarë Kurti?

Ali Ahmeti: Jo, nuk ka përçarje.

Këto komente Ali Ahmeti i bëri nga Tropoja ku u vendos shtatorja e komandantit të vrarë të UÇK-së-Tahir Sinani.


AlbaniaWeb.net