Wed, Nov 27, 2024

Polici shantazhoi qytetaren se do t’i publikonte fotot nudo kundrejt 3 mln lekëve, Policia e Shtetit e pezullon pas denoncimit të Fiks Fare

  • PublishedMay 7, 2024

Në lidhje me rastin e transmetuar në emisionin investigativ “Fiks-Fare”, në AlbaniaWeb.net, ku një punonjës policie kishte shantazhuar një shtetase dhe i kishte marrë një shumë parash për të mos i publikuar fotot, ju bëjmë me dije se:

Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, në zbatim të Nenit 222, pika 8 të Rregullores së Policisë së Shtetit ka bërë pezullimin e menjëhershëm nga detyra të punonjësit të Policisë, Inspektor J.K, me detyrë trup shërbimi për ruajtjen dhe sigurimin e objektit të Policisë Shkencore dhe ndaj tij ka nisur hetimin disiplinor për shkelje të rëndë.

Ndërkohë Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur menjëherë hetimin penal ndaj punonjësit të Policisë.

Policia e Shtetit falenderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë rastet e abuzimit me detyrën të punonjësve të Policisë dhe i fton sërish ata, që të denoncojnë çdo rast të tillë, duke i’u garantuar reagim të menjëhershëm e të paanshëm.


AlbaniaWeb.net