PS propozon një reformë të re anti-korrupsion
Në verën e vitit 2016, Kuvendi i Shqipërisë miratoi me konsensus një reformë të thellë në sistemin e drejtësisë me qëllim luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e shtetit të së drejtës – por tetë vjet më vonë, Partia Socialiste paralajmëron një reformë të re për të njëjtin qëllim.
Në një mbledhje të kryeministrit Edi Rama me grupin e vet parlamentar u propozua të martën edhe ngritja e një komisioni të posaçëm parlamentar përmes një rezolute të PS të titulluar “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”.
Rezoluta u prezantua nga ministrja e shtetit për Parlamentin, Elisa Spiropali dhe sugjeron se puna e komisionit të posaçëm parlamentar nuk do të prekë reformën në drejtësi të arritur në vitin 2016. Megjithatë, teksi i publikuar krijon paqartësi mbi institucionet dhe ligjet që do t’i nënshtrohen reformës.
Sipas tekstit, synimi është që Kuvendi të rrisë rolin e tij mbikqyrës dhe llogarikërkues ndaj ndaj qeverisë, institucioneve të pavarura dhe agjencive ekzekutive ligjzbatuese.
Rezoluta u parapri nga një fjalim i gjatë prej më shumë se dy orësh i kryeministrit Edi Rama, ku ai u mburr me autorësinë e reformës në drejtësi dhe mbështeti punën e kryer nga Prokuroria e Posaçme.
Rama ftoi opozitën që t’i bashkohet iniciativës së mazhorancës për ngritjen e komisionit të posaçëm, duke e përshkruar atë si “një vend pune i përbashkët për të adresuar procesin e mëtejshëm të shtetbërjes…”.
Qëndrimi i parë erdhi nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili kontrollon një pjesë të vogël të grupit parlamentar të kësaj partie. Basha u tregua dyshues ndaj synimeve të mazhorancës.
“Është e pamundur që kjo të jetë qeveria më e korruptuar në këto 34 vite, por kryeministri të jetë dorëjashtë, të jetë i pastër, madje të jetë zemërdhembshur dhe të zotohet pas 12 vitesh sërish si para 12 vitesh se do të jetë ai që do të luftojë korrupsionin,” tha Basha përmes një reagimi.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi nuk iu përgjigj pyetjes së BIRN nëse opozita do të merrte pjesë në komision, ndërsa deputeti Ervin Salianji tha se ai ishte njohur nga mediat me propozimin e socialistëve dhe çdo vendim politik i përkiste grupit.
Nisma e PS-së vjen në një kohë kur raportet e organizmave ndërkombëtare referojnë të dhëna se ka një rritje të perceptimit të korrupsionit dhe një rënie të vazhdueshme të efikasitetit të mekanizmave kundër korrupsionit në sektorin publik.
“Forma të ndryshme të korrupsionit, nga korrupsioni i vogël deri tek nepotizmi, pastrimi i parave dhe kapja e shtetit, janë prezent në Shqipëri”, konstatoi disa javë më parë një raport i publikuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) në bashkëpunim me organizatën Transparency International.