Nga apartamentet te 10 llogaritë bankare dhe mjetet luksoze, SPAK konfiskon pasuritë e Flamur Sinanajt! I dënuar me 8 vite burg në Belgjikë për trafik kokaine
Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka konfiskuar pasuritë e paluajtshme të Flamur Sinanajt, shqiptarit të dënuar në Belgjikë me 8 vite burg për trafik droge dhe 5 mijë euro gjobë për vepra të tjera penale.
“Shtetasi Flamur Sinanaj, është subjekt i ligjit nr.10 192/2009, pasi në bazë të vendimit nr. 5736 datë 01.12.2010, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor, Antverpen, dega Antverpen, dhoma 8C, është dënuar me 8 (tetë) vjet heqje lirie dhe 5.000 (pesë mijë) Euro gjobë, për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i lëndëve narkotike, të llojit kokainë”, “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i dokumentave”, si pjesë e një organizate kriminale, parashikuar nga legjislacioni penal i Mbretërisë së Belgjikës”- thuhet në njoftimin e SPAK.
Në vendimin e marrë ditën e djeshme, është vendosur sekuestrimi i 2 apartamenteve dhe një njësie banimi në Tiranë si dhe të 10 llogarive bankare e mjeteve lundruese dhe automjeteve luksoze.
Konkretisht, janë konfiskuar:
Apartament me sipërfaqe 76.5 m2, me adresë rruga “Muhamet Gjollesha”, Tiranë, blerë sipas kontratës së shitjes, në vlerën prej 70.000 Euro;
Njësi me sipërfaqe 163 m2, me adresë rruga “Muhamet Gjollesha”, Tiranë, përfituar sipas kontratës së shitjes, në vlerën prej 280.000 Euro;
Pasuria e llojit apartament, me sipërfaqe 123 m2, në Rrugën “Reshit Petrela”, Tiranë, blerë sipas kontratës së shitjes, në vlerën prej 15.990.000 Lekë;
7 (shtatë) llogari bankare në banka të nivelit të dytë në një shumë totale prej 660 854 Euro;
3 (tre) llogari bankare në banka të nivelit të dytë në një shumë totale prej 7.574.664 Lekë;
Motorr Uji “Yamaha”, tipi motor Deti “Jetski”, viti i prodhimit 2016;
Varkë Vetorizine e përdorur “Yamaha 242X Limited USA”, viti i prodhimit 2017, me gjatësi 7.45 m;
Automjet, marka “GMC”, modeli SIERRA SLT, tipi Kamion, viti i prodhimit 2011;
Automjet, marka “Mercedes Benz”, modeli B180CDI, tipi 146, viti i prodhimit 2012;
AlbaniaWeb.net