Përralla e Hoselut, nga një spektator në hero
I ardhur nga Espanjoli i rënë në Kategorinë e Dytë në Spanjë verën e kaluar, sulmuesi Hoselu është bërë një nga përrallat e shumta të vogla e të mëdha që është në gjendje të tregojë bota e futbollit. Emri i Hose Luis Sanmartín Mato, ose më saktë pseudonimi i tij, Hoselu, është në gojën e të gjithëve pas dygolëshit kundër Bajernit, me të cilën ai vendosi gjysmëfinalen e Ligës së Kampioneve të mërkurën në mbrëmje. Por vetëm një vit më parë askush nuk fliste për këtë sulmues 34- vjeçar spanjoll i lindur në Gjermani!
Në vitin 2023, si këto ditë, Hoselu me Spanjolin e tij ra në Segunda División (Kategoria e Dytë në Spanjë), pavarësisht një kampionati të mirë ku arriti të shënonte 16 gola në 34 ndeshje. Të dhëna të mjaftueshme këto për të bindur Realin e Madridit që t’i japë atij një shans të dytë si një sulmues rezervë, në një ekip pa asnjë qendërsulmues të vendosur pas largimit të Karim Benzemasë. “Los blancos” nga ana tjetër, kishin qenë gjithmonë në krahun e tij: i blerë në vitin 2010 për të luajtur në ekipin B, ai ishte në gjendje të shënonte 40 gola në 73 ndeshje në dy sezone në Segunda División B dhe të fitonte debutimin e tij në La Liga në vitin 2011.
I hedhur në fushë nga Zhoze Murinjo për disa minuta në vend të Benzemasë në një ndeshje të fundit të sezonit kundër Almerias. Megjithatë, Hoselu mbeti gjithmonë një spektator i ekipit të parë, një tifoz besnik. Në gusht 2012, pasi u transferua në Hofenhaim, ai u shkroi një mesazh ndjekësve të tij (në atë kohë shumë të paktë) në “Twitter”. Bredhja e tij vazhdoi midis Eintrahtit, Hanoverit, Stouk Sitit, Deportivo La Korunjës, Njukasëllit dhe Alaveshit. Pikërisht përvoja me baskët (Alavesh, 2019-2022) shënoi rikthimin e tij përfundimtar në Spanjë dhe shënoi një tjetër shenjë të lidhjes së tij me Realin: më 28 nëntor 2020 ai shënoi një nga dy golat që i lejuan skuadrës së tij të kthehej për të fituar në Madrid pas mbi 20 vitesh. Një karrierë që në fakt ishte një slitë emocionesh, deri në atë më të madhen. Në fund të ndeshjes, Hoselu u shpreh:
“Ndjeva emocione të pabesueshme, jam shumë i lumtur për atë që i dhashë skuadrës dhe për faktin që do të luajmë një tjetër finale – ishin fjalët e tij për “Sky” – më tha Ançeloti të hidhesha në zonë dhe të sulmoja çdo top. Në këto raste përpiqesh t’i bësh gjërat në mënyrën e duhur, të vësh në praktikë këshillat që të jep trajneri, ti përpiqesh të përfitosh nga çdo mundësi dhe jam shumë i lumtur, kam arritur të shënoj 2 gola shumë të rëndësishëm, dua ta shijoj këtë mbrëmje”.