Analiza/ Ja si Ksabi Alonso e transformoi Leverkusenin në “makineri” perfekte
Bajern Leverkusen e ka marrë të gjithë vëmendjen jo vetëm në Gjermani, por edhe Europë me lojë dhe rezultate të jashtëzakonshme.
Para pak ditësh ata thyen rekordin e Benfikës së Euzebios, rreth ecurisë më të gjatë pa humbje në të gjitha kompeticionet. Aktualisht numërojnë 50 ndeshje pa disfata radhazi, e cila e ka zanafillën prej nisjes së ciklit 2023-2024. Mediumi i “Sports Brief” e ka “zbërthyer” deri në detaje transformonim që Ksabi ka aplikuar te Leverkusen me pika specifike.
MBROJTJA ELASTIKE – Përpara se “frerët” e Leverkusen t’i merrte Ksabi, Piero Hinkapi lunte në detyrën e mbrojtësit të linjave, i cili kishte liri të kufizuar në fushë. Po me Alonson ka ndryshuar totalisht “fytyrë”. Tekniku spanjoll e ka lejuar të qarkullojë në fushë si “elektron i lirë”. Pikërisht kjo liri e ka bërë që ai mund të ndryshojë rol nga mbrojtës qendre, në linje dhe deri në mesfushor në segment të shkurtër kohor. Fiziku i fortë i Hinkapi është një aset shtesë në planet e Ksabit.
Një tjetër “kartë” produktive në prapavijë është padiskutim Frimpong. Në të kaluarën, “tulipani” inkuadrohej sulmues anësor ose “10”, por me ardhjen e spanjollit në pankinë, ai është zbritur në linjën e djathtë të prapavijës. Kur Leverkuseni sulmon në të djathtë, Frimpong merr tiparet e sulmuesit dhe detyra në mbrojtje mbulohet nga treshja statike. Po ashtu realizon me sukses edhe presionin në zonën mike. Ksabi Alonso është partizan i mbrojtjes me 3 shtylla, ndërsa më lartë i beson dyshes Ezekel Palcios dhe Granit Xhakës. Frimpong ndihmon ekipin në korsinë e majtë. Shfrytëzon hapësirat me shpejtësinë që e karakterizon, sikurse forcën goditës kur ngjitet në linjë, fiks si sulmues i mirëfilltë. Ata jo më kot mburren me mbrojtjen më të hekurt në Bundesligë, 23 gola pas 33 javësh.
FAZA OFENSIVE – Xhaka dhe Palacios luajnë rolin e “katalizatorit”. Ndikojnë në shpërndarjen e topave dhe lidhjen e mbrojtjes me sulmin. Po ashtu Ksabi nuk i ka penguar në goditjen e kuadratit prej distancës. Jemi mësuar zakonisht të shikojmë në ekip një futbollist me detyrë “10”, por Ksabi ka realizuar revolucion tek “Aspirinat”. Jonas Hofman dhe Florian Virc kanë shërbyer në Bundelsigë si “10”. Krijojnë hapësira, shërbejnë dhe godasin nga linja e dytë.
SHPËRNDARJA E GOLAVE NË LINJA – Nga të gjitha ekipet në Bundesligë, Bajer Leverkusen ka shpërndarjen më të baraspeshuar. Saktësisht 18% i përkasin prapavijës, 33% e golave vijnë nga krahu i djathë, 20% me gjenezë qendrën dhe 29% nga korsia e majtë.
POSEDIMI DHE POZICIONI JASHTË LOJË – Duket sikur Leverkusen është “makineri” perfekte. Ai mban numrin më të ulët në pozicion jashtë lojë të kampionatit, 10 të tilla. Krahas pasardhësit, Ksabi e ka rritur qarkullimin e topit nga 51% në 58% të raportit mesatarë. Tregues ky se iberikasi pëlqen të ketë topin “pronë” dhe rezultativ para porte.