Akuzat e Gazment Bardhit për implikim në Xibrakë, Olsi Rama kallëzon për herë të dytë deputetin e PD në SPAK
Vëllai i kryeministrit, Olsi Rama ka depozituar sot një kallëzim në SPAK ndaj kryetarit të grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, lidhur me kallëzimin e bërë nga ky i fundit për implikimin e tij në trafikun e drogës në laboratorin e Xibrakës.
Kërkesa e tij është e dyta brenda pak kohësh, pasi struktura e Posaçme kishte vendosur fillimisht të mos e pranonte kallëzimin e tij të parë ndaj Bardhit për shkak se ky i fundit nuk kishte bërë kallëzim në SPAK, por vetëm një kërkesë për rinisje të hetimeve për Xibrakën.
Në kallëzimin e dytë të Olsi Ramës, ai i referohet një statusi të Gazment Bardhit në 8 maj, ku kreu i grupit të PD-së thotë se SPAK e ka njoftuar zyrtarisht për rinisjen e hetimeve.
“Kërkoj regjistrimin e kallëzimit penal në ngarkim të z. Gazment Bardhi, deputet i Kuvendit të Shqipërisë, për kryerjen e veprës penale të kallëzimit të rremë të parashikuar në nenin 305 të Kodit Penal. Kërkoj marrjen e akteve të materialeve të kallëzimit penal nr.68, datë 9.4.2024 të regjistruara nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe korrupsionit sipas rregullave të parashikuara nga neni 191 i Kodit të Procedurës Penale, për shkak se i shërbejnë këtij kallëzimi të ri penal”, thuhet në kallëzimin e Olsi Ramës.
AlbaniaWeb.net