Sun, Nov 24, 2024

Pritini kokën Albinit, por mos harroni interesin e Kosovës

  • PublishedMay 17, 2024

NGA ANDI BUSHATI

Kori i rakorduar i kundërshtarëve të Albin Kurtit mes Tiranës dhe Prishtinës është riaktivizuar sërish, duke marrë këtë herë si pretekst një episod të ri të një refreni të vjetër: atë se kokfortësia e kryeministrit të Kosovës po thellon çarjen me perëndimin. Shkak për valën e kësaj here është bërë refuzimi që i shteteve kryesore të BE, për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Kurti po akuzohet se i tha një “JO” të prerë futjes së një kushti të ri, atij të ndërlidhjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe, me kriteret e pranimit në KiE. Ai e etiketoi si “absurd” këtë pretendim dhe nuk pranoi të bëjë pazar për të marrë antarësimin në një organizëm të rëndësishëm të kontinentit, në këmbim të bosnjëzimit të vendit të vet.

Natyrisht, pavarësisht nga arsyet apo justifikimet, “JO”-ja e tanishme nuk është një lajm i mirë. Mospërfundimi i antarësimit të plotë pasi pjesa dërrmuese e asamblesë parlamentare ka votuar me shumicë dërrmuese pro Kosovës, i jep gjithësecilit të drejtën të flasë për një dështim. Por, përtej këtij konkluzioni sipërfaqësor, konteksti dhe rrethanat e këtij refuzimi duhen analizuar.

Në radhë të parë ato krijojnë një kontradiktë sistemore mes deputetëve të asamblesë parlamentarëve që votojnë dhe vendimmarrjes të qeverive që shërbeu si veto. Ajo e shndërron në absurd krejt procesin e antarësimit në KiE. Së dyti, ajo nxjerr në pah edhe një kontradiktë tjetër. Dihet se Këshilli i Evropës ka në fokus të tij të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të tij. Si i tillë antarësimi i Kosovës në të do të nënkuptonte automatikisht më shumë garanci edhe për serbët lokalë. Prezenca në KiE dhe futja  automatikisht në juridiksionin e Gjykatës të të Drejtave të Njeriut do i mbronte ata më shumë edhe sesa vetë asocacioni i i kërkuar me këmbëngulje nga Beogradi.

Por duket se vendet kryesore të perëndimit janë të gatshme të testojnë edhe dobësinë e institucioneve të tyre edhe të injorojnë interesat konkrete të qytetarëve serbë të Kosovës, vetëm për të arritur një qëllim: të vazhdojnë përpjekjen e kotë për të përkëdhelur Aleksandar Vuçiçin, që i shntazhon sistematikisht pqrmes aleatëve të tij Putin dhe Xi Jimping.

Duhet të jemi realistë, kushti për të penguar Kosovën si anëtare të 47 të Këshillit të Evropës ka qenë një lobim i hapur i Beogradit. Për interesa gjeopolitike fuqitë evropiane e pranuan atë. Ashtu sikurse pranauan marëveshjen e Brukselit dhe aneksin e saj të Ohrit, pavarësisht se Vuçiçi e kishte krahun e sëmurë për ta nënshkruar, ndërsa Prishtina qe e gatshme ta bënte. Këto standarte të dyfishta u panë edhe në kërkesën gojore, ndryshe nga sa parashihnin draftet e planit franko gjerman, për të filluar së pari punën me asociacionin. Ato u theksuan më tepër me fajësimin e Kosovës për krizën në katër komunat veriore, ndonëse dukej qartë se Beogradi ishte ideatori i kaosit të krijuar. Ato kulmuan me vendosjen e sanksioneve ndaj Prishtinës dhe me ledhatimin e presidentit serb, edhe pasi ky dërgoi paramilitarët e vet, të kryesuar nga Radioçiç të kryenin sulmin terrorist në Banjskë.

Pra e gjithë kjo kronologji të çon në një konkluzion të stërthënë, të pranuar në mënyrë të zëshme edhe nga shumë politikanë dhe analistë në Evropë e SHBA, atë të kristalizimit të një politike prendimore që do të sakrifikojë interesat e Kosovës me shpresën për të mos lënë të dalë nga vatha Vuçiçin.

Ky është edhe thelbi i konfiktit të fundit me veton për antarësimin në KiE, që Franca dhe Gjermania e kushtëzuan, papritmas, me shpënien e draftit për asocacionin në Gjykatën Kushtetuese.

Pyetja që shtrohet përpara të gjithë armiqve, kritikëve të Albinit apo servilëve të shpallur të fuqive të mëdha është: çfarë duhet të bëjë një lider kosovar kur atij i kërkohet, nga aleatët e vet, të nënshkruajë koncesione në favor të Serbisë? Ti bindet qorrazi? Apo ti rrezistojë me koston jo të lehtë të sanksioneve personale dhe vonesave për vendin?

Pa zgjidhur këtë dilemë nuk mund të kesh një pozicion të ndershëm dhe të drejtë në raport me veprimet dhe aktet e Kurtit. Ndaj tij mund të jesh i ashpër, t’i kërkosh politikisht madje dhe kokën, ti vësh në dukje shkarjet në koherencë, taktizimet për të fituar kohë, piruetat për të shmangur trysninë e tmershme ndërkombëtare, por nuk mund ti kërkosh asesi shitjen e mandatit për të cilin është votuar.

Se ç’ndodh në raste të tilla e kemi parë shpesh herë, madje e provoi së fundi edhe fati i LSDM në zgjedhjet në Maqedoni. Forca politike që sillen si lakej të ndërkombëtarëve, në të kundërt asaj që do dhe kërkon populli i tyre, rrezikojnë të zhduken nga harta elektorale. Përpos kësaj, ata i hapin rrugën partive dhe rrymave gjithnjë e më nancionaliste dhe anti perendimore.

Mund të duket tejet paradoksale, por ajo që kritikohet si rezistenca kokfortë e Albin Kurtit, po e mbron Kosovën nga ngjizja e sentimenteve kundër vendeve aletate për shqiptarët. Duke i thënë atyre jo për polotësimin e kërkesave të Serbisë qeveria e Vetëvendosjes po ruan vazhdimsinë e besimit tek SHBA dhe BE. Pikërisht kjo vlen edhe për mospranimin e veçimit së Asociacionit nga paketa e marrveshjes që pretendohej se do të prodhonte njohjen “de facto” të Kosovës. E këtu duhet qëndruar, qoftë edhe me çmimin e padrejtë të vonesës së antarësimit në KiE.