Sun, Nov 24, 2024

Segregimi nxit braktisjen e shkollave nga fëmijët romë e egjiptianë

  • PublishedMay 17, 2024

Lavdija është gjyshe e dy fëmijëve të minoritetit egjiptian në Tiranë, të cilët janë regjistruar në shkollën Bajram Curri. Djali është në klasën e gjashtë dhe vajza në klasën e parë.

Për shkak se i biri është në burg dhe i divorcuar, gruas së ve i duhet të kujdeset e vetme për të dy të miturit. Ajo i rrit dhe i ushqen edhe pse thotë se është shumë e ngarkuar financiarisht dhe psikologjikisht.

Megjithatë kur vjen puna te mësimet Lavdija është kërkuese dhe ka një vëmendje të veçantë për të dy të miturit. Ajo dëshiron që ata të dalin mirë në mësime, ndërsa dyshon se për shkak se janë pjesë e minoritetit, nipi e mbesa nuk marrin vëmendjen e duhur në shkollë.

Ajo thotë se nipi i saj fajësohet gjithmonë kur ka pasur probleme me fëmijë të shumicës dhe ndjen se mbesës në klasë të parë nuk i kushtohet rëndësi dhe ka mbetur pas me mësime. Gruaja i justifikon mësueset me ngarkesën e madhe dhe me numrin e lartë të nxënësve, por shton se e ndjen që ka një trajtim ndryshe.

“Mua më pëlqen dhe si mësuese se është shumë kërkuese edhe për atë e falënderoj, por që ka mangësira shumë, ka mangësira”, tha ajo duke u përpjekur edhe ta zbusë qëndrimin e saj.

Lavdija është e bindur që ata nuk trajtohen si të barabartë.

“I barabartë nuk mund të jetë sepse këtu te ne anashkalohet raca e egjiptianëve dhe e romëve, ka më tepër përbuzje”, theksoi ajo.

Bazuar në të dhënat zyrtare shkolla 9-vjeçare “Bajram Curri” në lagjen Allias të kryeqytetit ka mbi 54 për qind të nxënësve nga minoriteti egjiptian e rom.

Sipas Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi një përqendrim i tillë duhet të konsiderohet segregim.

“Neve dimë realitete të ndryshme, që raporti ka qenë mbi 50% dhe është konsideruar segregim, por kemi dijeni edhe për raporte të ndryshme fëmijësh të cilët edhe pse kanë qenë nën 50%, prap është konsideruar segregim”, tha ai.

Gajda theksoi se trajtimi i diferencuar është i pranishëm dhe fillon që me regjistrimin e fëmijëve në shkolla.

Të dhënat e marra nga BIRN prej drejtorive arsimore dhe njohës të problemit tregojnë se shkollat e segreguara kanë nivel të lartë braktisjeje dhe po ashtu rezultate të dobëta.

Megjithatë segregimi dhe trajtimi i ndryshëm i fëmijëve të minoriteteve rome e egjiptiane mohet nga Ministria e Arsimit.

“Për sa më sipër, ju informojmë se nuk ka dallime apo ndasi në shkolla lidhur me Romët dhe Egjiptianët”, thuhet në përgjigje të një kërkese për informacion.

Segregimi fillon me vendbanimin

Robert Gajda, për mbrojtjen nga diskriminimi | Foto : Nensi Bogdani

Dy vjet më parë Shqipëria u gjet fajtore për segregimin e fëmijëve romë e egjiptianë nga Gjykata Evropiane të Drejtave të Njeriut, pasi u padit nga të shoqërisë civile për rastin e shkollës “Naim Frashëri” në .

Gjykata gjeti se shteti shqiptar kishte shkelur nenin 1, të protokollit 12 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe urdhëroi një dëmshpërblim prej 4500 eurosh për 5 familje që ngritën në vitin 2017 padinë nëpërmjet Qendrës Evropiane për të Drejtat Rome.

Vendimmarrja e -së nuk e ka ndryshuar shumë situatën në shkollat e vendit. Rasti i shkollës Bajram Curri në kryeqytet është një shembull, por raste të ngjashme hasen edhe në qytete të tjera me prani të pakicave kulturore.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda shpjegon se fenomeni është i pranishëm ndërsa segregimi fillon që me krijimin vendbanimeve të segreguara.

“Gjëja tjetër që vihet re është që kryesisht segregimi ndodh edhe në baza vendbanimi, pra ne kemi vendbanime të segreguara, që do të thotë që kemi vendbanime me një përqendrim shumë të madh me minoritetin rom edhe egjiptian dhe për rrjedhojë kjo reflektohet pastaj edhe në institucionet arsimore”, tha ai.

Gajda theksoi se kjo duhet t’i kishte vënë në lëvizje institucionet arsimore, për të mundësuar një ndarje të ndryshme dhe për të mos lejuar krijimin e shkollave të segreguara. Megjithatë, ai thotë se për institucionet kjo nuk ka qenë shqetësim.

“Institucionet nuk janë shqetësuar ndonjëherë për t’i parë këto raporte dhe për rrjedhojë për të tentuar që të bëjnë një rishpërndarje më të mirë të fëmijëve nëpër shkollat e qyteteve”, tha ai.

Përkundrazi Gajda theksoi se është vërejtur segregim i qëllimshëm nga drejtuesit e shkollave, për sa kohë këta kishin në dorë regjistrimin e fëmijëve.

“Sjellja e drejtorëve ka bërë që kur ka pasur fëmijë romë edhe egjiptianë që kanë qenë në një vendbanim krejt tjetër dhe në një shkollë krejt tjetër nuk i kanë regjistruar në shkollën që i takonte, por i kanë regjistruar pikërisht në shkollën ku ka një përqendrim të madh romësh dhe egjiptianësh”, tha Komisioneri.

Ai shpjegon se fenomeni ka edhe krahun e kundërt, kur fëmijët e shumicës regjistrohen larg zonave të banimit për të shmangur shkollat me prani të pakicës.

Gajda tha se kjo ndarje ndikon më pas edhe në cilësinë e arsimit që fëmijët marrin. Ai shpjegon se shkollat e segreguara rezultojnë në fund të renditjeve për sa i përket cilësisë, ndërsa kanë edhe një sërë problemesh të tjera.

“Për më tepër gjëja që ne kemi konstatuar është që dhe në renditjen e cilësie së shkollave që bëjnë ZVA-të shkollat që ne i kemi konstatuar të segreguara rezultojnë në vendet e fundit, ç’ka do të thotë që edhe cilësia e mësimdhënies pastaj në shkollat e segreguara neve na ka rezultuar që është nga më e dobët”, shpjegoi ai.

Segregimi vret besimin te arsimi

, një aktiviste e Qendrës Për Advokim Social e cila punon me familjet Rome dhe Egjiptiane prej 10 vitesh tregon se segregimi ndikon shumë tek nxënësit dhe familjet e tyre, duke sjellë ndër të tjera braktisje të shkollës.

“Fakti që shpesh herë fëmijët e kësaj kategorie janë të përjashtuar dhe të diskriminuar, ndikon dhe në marrëdhënien midis prindërit dhe fëmijës për mënyrën se si këta të fundit e projektojnë të ardhmen e fëmijëve të tyre në raport me arsimin”, tha Sakollari për BIRN.

Edhe prindërit e fëmijëve të pakicës e ndjejnë diferencimin që u bëhet. Ata thonë që nuk janë të kënaqur më mënyrën se si trajtohen në shkolla. Fatmir Zyberi, babai i shtatë fëmijëve tha për BIRN se në shkollën ku janë të regjistruar fëmijët e tij nuk janë vetëm romë dhe egjiptian, por fëmijët nuk integrohen me palën tjetër për shkak të diskriminimit.

“Une kam pakënaqësi për fëmijët në shkollë, nuk shikoj të përmirësohen dhe nuk fokusohen te fëmijët e komunitetit,” tha Zyrberi. “Diskriminimi dhe bullizmi vazhdon të jetë aktiv në shkollën e fëmijëve të mi”, shtoi ai.

Mjaft prindër të fëmijëve të romë e egjiptianë, me të cilët BIRN bisedoi në zonën e Shkozës, janë të shqetësuar se fëmijët e tyre nuk arrijnë rezultate në shkollë. Ata thonë që fëmijët nuk mësojnë të shkruajnë e lexojnë dhe se gjatë orarit mësimor vizatojnë ngaqë e kanë të vështirë të kuptojnë mësimin.

BIRN gjeti se numri i mungesave, braktisja e shkollës dhe rezultatet në mësime janë gjithmonë në nivele negative në shkollat e segreguara apo ku ka prani të lartë të pakicave.

Sipas të dhënave nga Drejtoria Arsimore, shkolla “Bajram Curri” u braktis nga 50 për qind e nxënësve në vitin 2022 dhe numri u rrit në 57 për qind në vitin që shkoi. Gjithashtu, nxënësit e kësaj shkolle mungojnë më shumë dhe kanë nivel mjaft të ulët të vijimit të shkollës së mesme.

Xhuljana Sakollari tha se segregimi ndikon drejtpërdrejtë në jetën e fëmijëve rom dhe braktisjen e shkollës në moshë të mitur. Ajo theksoi se për shkak të diferencimit në shkollë dhe cilësisë së mësimdhënies, mjaft prindër dhe vetë nxënësit e humbasin besimin se arsimimi do të ndikojë në të ardhmen e tyre.