Dixhitalizimi i FSHF/ Presidenti Duka, takim pune me ekspertë nga Federata e Futbollit të Arabisë Saudite
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, dhe një pjesë e stafit të FSHF-së zhvilluan një takim pune me ekspertë nga Federata e Futbollit të Arabisë Saudite në lidhje me nisjen e bashkëpunimit për dixhitalizimin e mëtejshëm të FSHF-së.
Federata e Futbollit të Arabisë Saudite është një ndër federatat që ka bërë investime të rëndësishme në këtë drejtim, duke zhvilluar dhe implementuar një sistem të plotë teknologjik, që përfshin të gjitha proceset administrative dhe sportive që kryhen nga çdo federatë në një ekosistem të vetëm, duke lehtësuar ndjeshëm punën dhe duke ndihmuar në përmirësimin e të gjithë proceseve të federatës por edhe të klubeve anëtare që marrin pjesë në garat e organizuara nga FSHF.
Gjatë takimeve disa ditore që grupi i punës i ardhur nga Arabia Saudite kreu me ekipin drejtues dhe ekspertë nga FSHF, u bë një prezantim i detajuar i situatës aktuale dhe hapave që federata ka ndërmarrë gjithë këto vite në këtë drejtim, dhe nga ana tjetër u prezantua me detaje ekosistemi dixhital i zhvilluar dhe implementuar nga Federata Arabe dhe disa federata të tjera.
Palët u dakortësuan për një plan pune disa mujor me qëllim mbledhjen e të gjithë informacionit të nevojshëm nga të dyja palët, me një program të detajuar të hapave të ardhshëm të këtij bashkëpunimi shumë të rëndësishëm për të tashmen dhe të ardhmen dixhitale të federatës.
Presidenti Duka theksoi se ky bashkëpunim dhe këto zhvillime teknologjike përveç organizimit të proceseve të brendshme të federatës, e kanë dhe duhet ta kenë fokusin te zhvillimi teknologjik dhe përdorimi i teknologjisë së informacionit dhe të dhënave që gjenerohen nga këto sisteme, nga ana e të gjithë klubeve dhe pjesëmarrësëve në garat e organizuara nga FSHF, duke i ndihmuar të rrisin më tej zhvillimin dhe organizimin e tyre.
Në muajt në vijim procesi do të vazhdojë me takime të tjera në nivel ekspertësh, me vizita të ndërsjellta, me organizimin e workshopeve dhe trajnimin e nevojshëm të të gjithë faktorëve që janë pjese e këtij procesi.