Rrahja e bashkëshortit të gjyqtares së njohur/ Shullazi e organizoi nga burgu me Martinajn e Ndokën! Çfarë zbuluan bisedat në SKY ECC
Një prej ngjarjeve të zbardhura nga hetimet e SPAK për goditjen e grupeve kriminale në vend është edhe dhuna ndaj bashkëshortit të zëvendëskryetares së Gjykatës të Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Saida Dollani.
Ajo vijon të ushtrojë detyrën e saj në Gjykatën e Posaçme të Apelit, ndërsa burri i saj ka ndërruar jetë për shkaqe natyrale.
Në bisedat e aplikacionit të SKY ECC të zbardhura nga SPAK, ka rezultuar se organizator i rrahjes brutale të bashkëshortit të gjyqtares Saida Dollani, është Emiljano Shullazi.
Sipas informacioneve, personat që bënë të mundur rrahjen brutale të gjyqtares janë Emiljano Shullazit, ish-deputeti i PS Arben Ndoka dhe Ervis Martinaj, persona të përfshirë në disa ngjarje kriminale në vend.
Katër vite më parë, në vitin 2019 gazetarja, Anila Hoxha raportoi ekskluzivisht kërcënimin ndaj gjyqtares, por drejtësia e pushoi çështjen.
Policia në atë kohë arrestoi një person, por shumë shpejt ai u lirua dhe më pas çështja për akuzën e “kanosjes ndaj gjyqtarit” dhe rrahjes së burrit të Saida Dollanit u pezullua nga Prokuroria e Tiranës, për mungesë autori.
Sipas dyshimeve, gjithçka ishte bërë nga brenda burgut me qëllim që Saida Dollani, të jepte dorëheqjen nga procesi penal kundër Shullazit, Gilmando Danit dhe katër personave të tjerë që po zhvillohej në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda.
AlbaniaWeb.net