Ish-kryebashkiakja Rajmonda Balilaj, në gjyq për paracaktimin e tenderave
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të hënën më 20 maj përfundimin e hetimeve ndaj ish-kryetares së Bashkisë së Patosit, Rajmonda Balili, zëvendëses së saj, Anisa Petani, sekretarit të përgjithshëm në atë kohë, Shkëlqim Beqiraj, si dhe ndaj katër zyrtarëve të tjerë të akuzuar për paracaktimin e fituesve në dy tendera.
Çështja është dërguar në gjykatë, ku SPAK kërkon kalimin e saj për gjykim.
Balilaj drejtoi Bashkinë e Patosit për periudhën 2011-2023 dhe më pas u promovua në pozicionin e Prefektes së Qarkut Fier, funksion nga i cili u pezullua me vendimin të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë në muajin mars.
Nga hetimi i procedurës së prokurimit për ndërtimin e një muri mbajtës në rrugën Dukas-Breg në territorin e Bashkisë Patos, të pandehurit Balilaj, Petani, Beqiraj dhe Enirjada Rizaj, kjo e fundit anëtare e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë konsumuar elementët e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike. Sipas SPAK, ata kanë favorizuar në kundërshtim me ligjin dhe shpallur fitues operatorin ekonomik “Genti 001”. Prej hetimeve ka rezultuar se, nga dokumentacioni i dorëzuar nga ofertuesit e parë, duhej të ishte shpallur fitues një tjetër kompani, që përveçse përmbushte kushtet, kishte dhe ofertë në vlerën 1,5 milion lekë më të vogël se operatori ekonomik “Genti 001”.
“E pandehura Rajmonda Balilaj, ka ndërmarrë një sërë hapash nëpërmjet punonjësve të Bashkisë, për të legjitimuar anulimin e procedurës së tenderimit, pikërisht për të mos u shpallur fitues operatori “2…..”, gjë që do të nxirrte zbuluar punimet e kryera nga operatori i paracaktuar për të fituar garën. Nga hetimi u provua se, e pandehura ka paracaktuar fituesin e këtij tenderi, pikërisht operatorin ‘Genti 001′, i cili është shpallur fitues”, citohet në njoftim dhe sillet në vëmendje fakti se kjo kompani, që nga viti 2019 kur është regjistruar për herë të parë në QKB. deri në vitin 2022, është shpallur fitues i 32 tenderave në Bashkinë Patos.
Ndërkohë, tre anëtarët e grupit të punës të ngritur nga Balilaj në prill të vitit 2021, të pandehuit Boreta Murati, Arben Manoku dhe Vangjel Nushi, akuzohen për falsifikim, pasi në raportin teknik të inspektimit të kryer nga ana e tyre për ndërtimin e mureve mbajtëse, kanë paraqitur rrethana të rreme, që janë rrëzuar nga akti i ekspertimit të SPAK.
Situatë e njëjtë është konstatuar dhe për një tender tjetër, po për ndërtim të një muri mbajtës në rrugën e fshatit Rruzhdie. Punimet që janë kryer nga e njëjta kompani, janë promovuar në një televizion lokal 10 ditë përpara se ky operator ekonomik të shpallej fitues dhe të lidhte kontratën me Bashkinë Patos.
“Në këtë procedurë prokurimi, me Autoritet Kontraktor Bashkia Patos, e pandehura Rajmonda Balilaj, ka paracaktuar fituesin, i cili është i njëjti operator ‘Genti 001′, duke dalë në ‘Apollon TV’ dhe informuar fillimin e punimeve për këtë rrugë, në datën 06.02.2021, në një kohë kur shpallja e fituesit ‘Genti 001′, është bërë në datën 15.02.2021, dhe lidhja e kontratës me autoritetin kontraktor është bërë në datën 16.02.2021”, citohet në njoftim.
Sipas SPAK, Balilaj, ka bashkëpunuar me anëtarët e KVO-së të caktuar prej saj në urdhërin përkatës, të pandehurit Anisa Petani, Shkëlqim Beqiraj dhe Enirjada Rizaj, pasi ajo nuk kishte nga ta dinte se ky operator do të kualifikohej si fitues edhe pse ishte i vetmi garues në garë. Po ashtu, nga hetimi ka rezultuar se operatori ekonimik “Genti 001”, nuk i plotësonte të gjitha kriteret dhe dokumentacionin e për rrjedhojë duhej skualifikuar.