Skënderbeu, vendi i tretë është si… trofe
Pas humbjes në ndeshjen kundër Partizanit, e vlefshme për “Final 4”, në Korçë po shohin me prioritet pjesën e merkatos për të arkëtuar të ardhura të rëndësishme për sezonin e ardhshëm. Humbja nuk është pasuar me dramë apo pesimizëm te bardhekuqtë, por është pranuar si një ndeshje ku kundërshtari ka qenë më lart sesa ta prandaj edhe për këtë çdo gjë është kaluar me qetësi.
I këtij mendimi është mbrojtësi bardhekuq, Andrea Gërxho, i cili tregon se Partizani e ka merituar në fushë kalimin në finalen e titullit, duke qenë më lart në paraqitjen e bërë në “Air Albania”, teksa Skënderbeu nuk ka mundur dot t’i bëjë ballë dinamikës së lojës. “Ishte një ndeshje e vështirë dhe normalisht që diçka të tillë e prisnim. Duhet ta pranojmë se cilësisht Partizani ishte më lart sesa ne dhe më i vendosur për ta fituar këtë takim.
Na lanë shumë pak hapësira dhe interpretuan lojën në mënyrën më të mirë të mundshme, duke na izoluar. Mendoj se e merituan të ishin ata fitues të këtij takimi. Për ne mbetet diçka pozitive, pasi pak besonin te kjo arritje dhe gjatë gjithë sezonit nuk na shihnin si pjesë e katër ekipeve më të mira. Prandaj jemi të lumtur që kemi arritur këtu. Tani mendojmë për ndeshjen e fundit në mënyrë që ta mbyllim sa më mirë të jetë e mundur këtë sezon. Vendi i tretë do të ishte ‘qershia mbi tortë’. Përtej kësaj është një sezon që na ka rritur shumë dhe na ka dhënë besim dhe eksperiencë”, theksoi mbrojtësi i Skënderbeut. Kujtojmë që Skënderbeun luan të premten më 24 maj ora 19:00 në “Air Albania”, finalen e vogël për vendin e tretë kundër Vllaznisë.
MERKATO – Ende pa u mbyllur mirë sezoni në Korçë zërat e merkatos janë gjithmonë të forta sa i përket elementëve cilësorë të ekipit bardhekuq. Stafi i merkatos në klubin korçar është duke punuar për të gjetur marrëveshjet e duhura për arkëtimin e të ardhurave, që janë shumë të rëndësishme për ecurinë e bardhekuqve në sezonin e ardhshëm. Pas goditjes me shitjen e Frenklin dhe interesimeve nga disa klube për shërbimet e Liços, tashmë në klubin korçar kanë mbërritur oferta edhe për portierin Marko Alia. Gardiani i korçarëve ka zhvilluar një sezon fantastik në radhët e Skënderbeut, duke u bërë shpesh herë shpëtimtari i portës bardhekuqe.
Kjo nuk ka kaluar pa u vënë re edhe nga klube të tjera. Për momentin flitet se në drejtim të lojtarit kanë shfaqur interes disa klube nga Bungesliga 2 në Gjermani, por emrat e tyre nuk bëhen me dije. Klubi është duke analizuar me kujdes të gjitha interesimet, teksa për momentin nuk ka asgjë konkrete, por vetëm interes i shfaqur për Alian. Kujtojmë që Marko Alia ka një kontratë të vlefshme edhe për dy vite të tjera, prandaj edhe për këtë në klub kërkojnë diçka më të rëndësishme për ta lenë të lirë lojtarin, në mënyrë që edhe arkëtimet të jenë më të mëdha.