Fiks Fare/ Rindërtimi, Bashkia e Krujës prish “pa leje” godinën me pronarë dhe bën pallat!
Fiks Fare iu rikthye problematikës së rindërtimit, ku kësaj herë grupi i xhirimit udhëtoi në qytetin e Krujës. Familja Kulla iu drejtua emisionit investigativ se ka në pronësi ish Mapon e qytetit, një objekt i pa dëmtuar nga tërmeti.
Ngjitur me atë godinë, u shemb një pallat 5 katësh, pasi kishte dëmtime të mëdha nga tërmeti i 2019-ës. Bashkia shembi pallatin e dëmtuar dhe godinën 2 katëshe të pa dëmtuar të familjes Kulla, pa i shpronësuar më parë.
“Këtë godinë e kemi pasur si familje. Jemi shumë trashëgimtarë. Kemi pasur dokument ‘vërtetim hipotekor’ po s’e kemi regjistruar. Të gjithë e dinin se ajo godinë është e familjes sonë. Nga tërmeti nuk u prish, po na e prishi Bashkia e Krujës” thotë Leonard Kulla. Ai pohon se ndërtesa me kat të parë 400 metër katrorë dhe kat të dytë 340 metër katrorë, s’kishte asnjë dëmtim nga tërmeti i 2019-ës. “Ngjitur ishte një pallat 5 katësh. Ai u prish nga tërmeti. Kur e shembi bashkia, rrënojat ranë mbi godinën tonë dhe e prishën pjesërisht. Më vonë, nxorën lejen e ndërtimit të një pallati 7 katësh në truallin e godinës tonë” pohojnë pjesëtarë të familjes Kulla.
Më tej ata pohojnë se Bashkia e Krujës dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit nuk u marrin as letrat për kompensim apo shpronësim për metrat katrorë që kanë pasur. “Ata ia pasojnë topin FSHZH-së. Në atë truall është bërë një pallat 7 katësh për rindërtimin. Pasi e prishën godinën tonë ne kemi nxjerrë edhe regjistrimin në Kadastër” përfundojnë ata.
Grupi i “Fiks Fare” shkoi në Bashkinë e Krujës, për të pyetur kryetarin e asaj bashkia Artur Bushi, se përse prishi godinën e familjes Kulla dhe në atë truall nxori një leje ndërtimi. Por, as kryetari Bushi dhe as Sekretari i Përgjithshëm i asaj bashkia nuk dënjuan që të jepnin shpjegime, teksa punonjës thanë se informacionin do t’ia servirnin me shkrim redaksisë së “Fiks Fare”.
Disa javë pasi Fiksi shkoi në atë institucion, Bashkia e Krujës ktheu përgjigje se prishja e objekteve të dëmtuara ka qenë pa cënuar të drejtat e pronarëve të pa shpronësuar. Në lidhje me rastin konkret, bashkia thotë se në fazën e demolimit të pallatit me sipërfaqe gjurme 254 metër katrorë, objekti nr. 16 në lagjen Kovaçe, është vepruar me të njëjtin parim dhe është kryer vetëm demolimi i objektit të dëmtuar. Pjesa e objektit 2 kate, e cila ishte bashkëngjitur me pallatin, nuk u demolua në atë fazë.
Në vitin 2021, thotë bashkia, trualli dhe objekti rezultonin të ishin pronë “shtet” dhe në këtë fazë u projektua pallati 7 katësh, një pjesë te gjurma e pallatit të prishur dhe një pjesë te trualli i ish Godinës MAPO Industriale, me pronarë pretendues trashëgimtarët e familjes KULLA.
Por, si u bë pallati te trualli dhe godina e familjes Kulla? Bashkia thotë se gjatë fazës së miratimit të lejes së ndërtimit pas aplikimit nga subjekti projektues i kontraktuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i ka dërguar për mendim Agjencisë Rajonale të Kadastrës në Krujë, e cila ka aprovuar në heshtje dhe në vijim është miratuar leja e ndërtimit më datë 19 prill 2023. Dhe pas kësaj, prishi pjesën e mbetur të godinës.
Pra, Bashkia thotë se e ka miratuar në heshtje! Por, vetë Kadastra e Krujës në datën 23 maj 2023, pasi doli leja e ndërtimit, ka lëshuar për familje Kulla një kartelë të pasurisë së paluajtshme. Në rubrikën përshkrimi citon “godinë 2 katëshe me emërtesë ‘Mapo Industriale’ me sipërfaqe ndërtimi kati përdhe 400 m2, kati i parë 340 m2.
Një nonsens, pasi nga njëra anë prishet gabimisht dhe del pronë shtet. Më pas del leja e ndërtimit në truallin e asaj godine dhe, pasi bëhen gjithë këto veprime, Bashkia e Krujës ka marrë miratim në heshtje. Heshtja e Kadastrës ka zgjatur 34 ditë, deri sa nxori një kartelë pasurie për familjen Kulla. Por ishte shumë vonë, pasi jo vetëm që ishte prishur, por në atë truall filloi të ndërtohej edhe një pallat 7 katësh.
Në fund, kjo bashki shkruan se ka shfaqur përgjegjshmëri maksimale kundrejt pretendimit të kësaj familjes dhe në datën 31 janar 2024 i është drejtuar Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Ministrisë së Infrastrukturës për nisjen e procesit të shpronësimit ose shkëmbimit në mënyrë të përshpejtuar. Megjithatë, deri më tani, ka pasur vetëm vendime dhe letërkëmbime!
AlbaniaWeb.net