Partizani “izolohet” para finales, Shehit i lindin dyshime për ofensivën
Partizani dje pasdite zhvilloi seancën e radhës stërvitore në prag të finales që do të luajë të dielën në orën 19:00 në stadiumin “Air Albania”. Seanca e djeshme qe programuar në orën 18:00, u parapri nga një video-analizë, që zgjati rreth 40 minuta.
Para saj një pjesë e lojtarëve zbarkuan në fushë dhe atmosfera u pa të jetë mjaft e qeshur, me djemtë, që nuk i kursenin as shakatë me njëritjetrin. Protagonistë ishin dyshja Skuka-Hadroj, që njihen për shoqërinë mes tyre, por edhe për sensin e humorit. Në seancën e djeshme nuk kishte asnjë mungesë sa i përket lojtarëve. Edhe Altin Bytyçi u stërvit me grupin dhe duket tërësisht i rikuperuar.
Nëse Shehi do ta shohë të arsyeshme, mbrojtësi nga Suhareka do të jetë në stol, i gatshëm në rast nevoje. Stërvitja e djeshme u zhvillua me dyer të mbyllura. Klubi u kujdes që pas nisjes së veprimeve taktike, të mbyllë edhe dy portat kryesore të kompleksit, për të shmangur ndonjë hyrje të mundshme të personave jashtë Partizanit.
Sa i përket formacionit, Shehi ka dyshime vetëm në sulm. Duket sikur Cara ka fituar terren për ta nisur si titullar, teksa ka edhe një dyshim në krahun tjetër mes Bintsukës, Kekos dhe Skukës. Mba është i sigurt në majë. Pjesa tjetër e 11-shes është kristalizuar, teksa gjatë lojës përveç klasikes 4-3-3, mund të kemi edhe një vendosje 4-2-3-1, me Rrapajn mes tre sulmuesve.