Sun, Nov 24, 2024

“Është më vështirë të dëgjosh të vërtetën se sa gënjeshtrën”, Majko i drejtohet opozitës: Kjo rezolutë ka një veçanti! Mund ta shihni si kurth, por…

  • PublishedMay 27, 2024

Deputeti Pandeli Majko i ka bërë thirrje kolegëve të tij të opozitës që të votojnë projektrezolutën antikorrupsion të propozuar nga PS.

Ai u shpreh se kjo rezolutë ka një veçanti që nuk lidhet vetëm me paragrafët e saj, por me momentet në të cilat ndodhet vendi.

“Ka një kontradiktë për të cilën ja vlen të flasim. Ndonjëherë është më vështirë të dëgjosh të vërtetën se sa gënjeshtrën.

Sot statusi i Shqipërisë është në ditën më të mirë në procesin e integrimit europian. Por, statusi i  politikës shqiptare përballë publikut është në ditën e vet më të keqe që nga dhjetori i vitit 1990! Kjo që po ndodh me politikën është prodhuar edhe nga rezultatet e reformës në drejtësi. Sot, në Shqipëri ka më shumë se një opozitë!

Vlerësoj se veprimi i drejtësisë mbi politikën ka krijuar edhe një “opozitë” tjetër! Ajo lidhet me SPAK, i cili duke u marrë me politikën, ka prodhuar politikë. Jam i bindur që kjo e fundit, ka ndodhur për arsye që nuk varen nga drejtuesit e SPAK.

SPAK si strukturë e drejtësisë, në zbatim të ligjit, të cilin ja kemi miratuar së bashku po ballafaqohet me interesat e politikës. SPAK nuk është “organizatë kriminale” por suksesi më rëndësishëm i reformës në drejtësi duke u kthyer atë në strukturën shtetërore më popullore në publikun shqiptar. Politika shqiptare u pranua në fillimet e demokracisë nga Perëndimi me parimet e një kontrate sasiore, “si ishte dhe ku ishte”.

Ju jeni dëshmitarë se në këtë sallë dhe jashtë saj, mbijetohet ose me rregullat e “xhunglës” ose me jetën në “kopështin zologjik” të garancive. Kjo psikozë vjen nga deformime të cilat nuk e bëjnë me faj shumicën e anëtarëve të kësaj salle. Diskutimi i rezolutës sot kërkon një vetëdijë e përbashkët për rrezikun që politika e kësaj salle të hyjë në një konflikt të pavetëdijshëm me interesat e shoqërisë që përfaqëson.

Të dyja palët, për arsye të ndryshme, kemi pjesën tonë të fajit. Nuk ka dyshim, se edhe sot, rezoluta që po diskutojmë nuk është “revolucioni” i munguar në radhët tona. Çdo opozitar mund të ketë dyshimet e veta për ti parë paragrafët e rezolutës si “kurthe” të cilat mazhoranca po ja u ofron për të dalë si “djem të mirë” në marrëdhënie me Brukselin dhe Uashingtonin.

E vërteta e vërtetë, është se rezoluta përfaqëson një vlerësim të kuptimit se qeverisja është e mazhorancës por jo shteti. Ajo është pohim se shteti shqiptar po hyn në një fazë të re të integrimit në Bashkimin Europian. Ne, përfaqësuesit e politikës, do ta ndjekim këtë proces ose si protagonistë të reformës, ose me statusin e kandidatit për burg!

Nuk ftoj askënd të votojë kundër vullnetit të tij, për këtë rezolutë. Por, raporti me qëllimet e saj duhet të konsiderohet si një mundësi! Ajo, duhet të shikohet ose si kapitull i parë i një libri të ri ose si një pamundësi e jona për tu bërë ajo që duam.

Rezoluta flet për Shqipërinë e vitit 2030! Ajo flet për një Shqipëri që ka zgjedhje dhe votues për të na vlerësuar deri atëherë! Ne socialistët jemi në mandatin e tretë qeverisës. Si rregull duhet të ishim të “lodhur” dhe opozitës duhet ti shkëlqente në publik qëllimi i së ardhmes.

Sot, po të ishte kështu, ju të nderuar përfaqësues të opozitës duhet të ishit protagonistë të kësaj rezolute. Në thelb ajo është interesi juaj, pasi i vendos “zinxhirë konsensusi” interesave politike të qeverisjes, në hapat detyruese të procesit të integrimit europian për vendin.  Në historinë e çdo kombi, midis të panjohurës dhe të njohurës ekzistojnë “dyer”. Gjetja e tyre është mision i politikës. Ftesa e rezolutës është pikërisht kjo!”, u shpreh ai.


AlbaniaWeb.net