Tue, Nov 26, 2024

Norvegjia një hap më afër njohjes zyrtare të një shteti palestinez

  • PublishedMay 27, 2024

Norvegjia ia dorëzoi të dielën dokumentet e njohjes kryeministrit palestinez në hapin e fundit drejt njohjes zyrtare të një shteti palestinez, në një lëvizje kryesisht simbolike që ka zemëruar Izraelin.

Në dokument thuhet se njohja do të hyjë në fuqi më 28 maj 2024.

Të mërkurën e kaluar, Irlanda dhe Spanja bënë një zotim të përbashkët me Norvegjinë për të njohur një shtet palestinez, një lëvizje historike që ka rritur izolimin e Izraelit më shumë se shtatë muaj pas fillimit të luftës kundër militantëve të Hamasit në Rripin e Gazës. Operacionet e ushtrisë izraelite në Gazë pasuan sulmin e Hamasit në Izrael, në të cilin, sipas zyrtarëve izraelitë, u vranë 1200 njerëz dhe u morën peng 250 të tjerë. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Rripin e Gazës, që kontrollohet nga Hamasi, mbi 35 mijë palestinezë janë vrarë në operacionet ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës. Zyrtarët e kësaj ministrie nuk bëjnë dallim mes viktimave civile dhe militantëve në shifrat e tyre.Dorëzimi i dokumenteve të njohjes nga ministri i Jashtëm norvegjez Espen Barth Eide për kryeministrin e palestinezëve u bë në Bruksel, ku Mohammad Mustafa u takua edhe me ministrat e jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian dhe zyrtarë të lartë të BE-së për të thelluar mbështetjen e tyre për palestinezët.

Norvegjia nuk është anëtare e BE-së.

Lëvizja diplomatike nga të tre vendet ishte një nxitje e mirëpritur e mbështetjes për zyrtarët palestinezë, që kanë kërkuar për dekada krijimin e një shteti në Jeruzalemin lindor, Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës, territore që Izraeli i pushtoi në luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967 dhe ende i kontrollon.

Rreth 140 vende, më shumë se dy të tretat e të gjitha vendeve anëtare të OKB-së, e njohin shtetin palestinez, por shumica e 27 vendeve të BE-së ende nuk e njohin atë. Disa vende të BE-së kanë thënë se do ta njihnin shtetin palestinez në një kohë të përshtatshme.

Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Britania mbështesin idenë e një shteti të pavarur palestinez, që do të ekzistonte përkrah Izraelit, por thonë se ajo duhet të arrihet përmes një zgjidhjeje të negociuar.

Dorëzimi i dokumenteve të njohjes të dielën erdhi vetëm dy ditë pasi Gjykata e Ndërkombëtare Penale urdhëroi Izraelin të ndërpriste menjëherë ofensivën ushtarake në qytetin jugor të Gazës, Rafah, në lëvizjen e fundit për të shtuar trysninë mbi vendin gjithnjë e më të izoluar. /VOA


AlbaniaWeb.net