Tue, Nov 26, 2024

Serie A ul siparin, Atalanta “djeg” Italinë, shpëton Empoli i shqiptarëve (VIDEO)

  • PublishedMay 27, 2024

Serie A mbylli një sezon ku kryefjalë ishte Inter, me zikaltërit që qepën në fanellë yllin e dytë. Ekipi i Inzaghi-t, në sfidën e fundit, atë kundër Verona-s, nuk shkoi më shumë se një barazim 2-2, një ndeshje e vendosur që në pjesën e parë, me Arnautevic që ishte protagonist kryesor për ekipin zikaltër duke realizuar një “dopietë” golash. Asllani u aktivizua si zëvendësues në minutën e 68-të.

Me Inter, në Champion League sezonin e ri shkojnë edhe Juventus, Milan, Atalanta dhe Bologna. Ekipi i Berat Gjimshitit kishte në fakt në dorë të dërgonte një ekip të 6-të në Champions, por nuk bënë llogari në asnjë moment. Thyen edhe Torino-n, me rezultatin e pastër 3-0, por jo vetëm kaq, me një tjetër ndeshje në dispozicion, atë kundër Fiorentinës, Atalanta ka shansin ta mbyll vitin në vendin e tretë, mund të kalojë “Zonjën e Vjetër”.

Roma dhe Lazio e mbyllën sezonin në vendin e 5-të dhe të 6-të, dy ekipet e kryeqytetit sezonin e ri do të luajnë në Europa League, ndërsa Fiorentina pas tyre, kualifikohet në Conference League.

Jashtë Champions League, Roma e De Rossi-t, uli marshin përballë Empolit, me këta të fundit që siguruan një fitore 2-1 në limite, por ky sukses mban ekipin toskan në Serie A. Nga Ismajli, te Shpendi dhe Berisha, legjionarët kuqezi festuan për mbijetesën në elitë.

Për fat të keq, bie një kategori më poshtë Sassuolo, me Nedim Bajramin dhe Kumbullën që nuk arritën të mbijetonin mes më të mirëve. Më shumë mundësi, të dy legjionarët kuqezi do të ndryshojnë skuadër gjatë merkatos së verës.

()

AlbaniaWeb.net