Sun, Nov 24, 2024

U la jashtë Euro 2024/ Sokol Cikalleshi njofton zyrtarisht largimin nga Kombëtarja

  • PublishedMay 28, 2024

Një ditë pasi u la jashtë nga trajneri Sylvinho, në grumbullimin për në “Euro 2024”, Sokol Cikalleshi ka njoftuar zyrtarisht largimin nga Kombëtarja Shqiptare e Futbollit. Në një postim në rrjetet sociale, Cikalleshi shkruan se ka qenë një krenari dhe emocion i papërshkueshëm përfaqësimi i fanellës së ekipit kombëtar te futbollit, por që këtij rrugëtimi i erdhi fundi. Ish-sulmuesi kuqezi ka mbyllur postimin me një lutje për ekipin kombëtar.

Reagimi i Sokol Cikalleshit:

Fundi i një rrugëtimi! Rrugëtimet janë të bukura, me uljet e ngritjet e veta. Gjatë rrugëtimeve nëse gjërat i ke bërë siç duhet, fundi është i lumtur, paçka se, jo gjithmonë e zgjedhim vetë mënyrën.Ka qenë një krenari dhe emocion I papërshkueshëm përfaqësimi i fanellës së ekipit kombëtar te futbollit. Bartja e emocioneve te një kombi mbi shpinë, është sa privilegj, aq edhe një përgjegjësi, cila më ka bërë të përunjur dhe mirënjohës ndaj çdokujt dhe besoj, ndaj çdokujt që më dha kurajo për të vazhduar, e padyshim, në mënyrë të veçantë ndaj çdokujt që brohoriti për mua.

Ashtu siç, çdo fillim e ka një fund, edhe rrugëtimit tim me ekipin kombëtar të futbollit I erdhi fundi! Ndihem i lumtur për çka bëra gjatë këtij rrugëtimi, ku dhashë pakursimin më të vogël pikën e fundit të djersës dhe shpirtin për të bërë më të mirën e mundshme. Falënderoj Zotin për gjithçka më ka dhënë në jetë, familjen për mbështetjen, tifozët Kuq e Zi që meritojnë shumë më shumë sesa ne kemi dhënë në fushën e blertë. Lutem Zotit që shokët që do vijojnë rrugëtimin në Euro2024 të kenë sukses dhe të bëjnë një paraqitje dinjitoze.