Thu, Nov 28, 2024

“Do të ishte luks për ne”, Bushi: Ja e vërteta për Roko Vatën dhe Brajan Grudën (VIDEO)

  • PublishedMay 29, 2024

Alban Bushi, trajneri i ekipit përfaqësues U-21 bëri publike listën e lojtarëve të grumbulluar për sfidën kualifikuese kundër Malit të Zi, dhe miqësoren ndaj Lihtenshtejnit. Në konferencë për shtyp, Bushi përshëndeti përzgjedhjen e Sylvinho-s, me këtë të fundit që ftoi në Evropian dy lojtarë të shpresave, portierin Simoni dhe mesfushorin Medon Berisha, një tjetër tregues i funksionimit të ekipeve zinxhirë:

“Jam i kënaqur me lojtarët që kam në dispozicion, si Simoni dhe Berisha kanë qenë pjesë e Kombëtares A. Simoni ka qenë pjesë e stërvitjes dhe Berisha është për herë të parë, kemi pasur bindje që do të shkonte shumë herët në ekipin A, por shkoi më herët se sa pritej. Për ne ka qenë lojtar deciziv dhe ftesa është mese e merituar. Kur e kam kontaktuar për herë të parë i premtova shiritin e kapitenit dhe e meritoi, ishte një lider dhe i uroj shumë urime për Evropianin. Sina është shqiptar dhe kjo është zgjedhja e parë, është portieri i talentuar dhe do të bëjë mirë”, u shpreh Bushi, duke komentuar më pas disa emra si Roko Vata, Brajan Gruda dhe Luis Hasa, lojtarë me origjinë shqiptare, por që për momentin nuk kanë vendosur të përfaqësojnë ngjyrat kuqezi:

“Ne bëjmë punën tonë dhe të gjithë lojtarët janë kontaktuar, Roko Vata, Brajan Gruda, Luis Hasa, por është zgjedhje personale, zgjedhje me zemër, në fund vendosin lojtarët. Ne është luks ti kemi në ekip, por është zgjedhja e tyre personale. Duhet të kalosh nga këtu njëherë për të shkuar në Kombëtaren A, duhet ta tregojnë njëherë këtu tek U21, pasi e kemi parë se nga këtu më pas kanë ikur te Kombëtarja”, theksoi trajneri i Shpresave.

AlbaniaWeb.net