Fri, Nov 29, 2024

“Kolumbia del nga lista e trishtuar ku torturimi i kafshëve, konsiderohej element i kulturës”, Parlamenti i vendit ndalon ndeshjet me dema

  • PublishedMay 29, 2024

Kolumbia, një vend me traditën më të gjatë të ndeshjeve me dema dhe që qeveriset që nga viti 2022 nga e majta, votoi dje, të martën, për ndalimin e ndeshjeve me dema nga viti 2027, duke iu bashkuar listës së vendeve të Amerikës së Jugut që e ndalojnë atë.

“Ne e beme ate. Sot, pas më shumë se shtatë vitesh luftime për ndalimin e ndeshjeve me dema, ne mund t’u njoftojmë mijëra qytetarëve jetëdashës se Kolumbia është çliruar nga kjo torturë e kafshëve e maskuar si një kulturë,” tha Juan Carlos Losada, një kongresmen që mbështeti projektligjin përkatës.

Projektligji ka qenë një nismë e deputetëve të mjedisit dhe nuk do të hyjë në fuqi për tre vjet. Ai u miratua në parlament me 93 vota pro dhe dy kundër.

Gjatë kësaj periudhe “tranzitore”, shteti duhet të garantojë punësim alternativ për personat e varur drejtpërdrejt ose tërthorazi nga ndeshjet me dema dhe të përshtatë arenat e vendit për aktivitete sportive dhe kulturore, ndërkohë që do të ketë ende mundësi për adoptimin e demave.

“Është një stacion historik”, deklaroi deputetja ekologjike Losanda. Kolumbia “doli nga lista e trishtuar” e vendeve “ku luftimi me dema, torturimi i kafshëve, konsiderohet një element i kulturës”.

Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, i ka drejtuar përmes X-it “urime atyre që më në fund arritën ta bëjnë vdekjen jo spektakël”.

Në vitin 2018, Gjykata Kushtetuese kishte lejuar ndeshjet me dema në qytete dhe fshatra që kishin këtë traditë dhe ua kishte lënë kryebashkiakëve vendosjen e çdo kufizimi. Kështu, në Bogotá dhe Medellin (Kolumbia veriperëndimore), ndeshjet me dema nuk lejohen nga viti 2020.

Përkundrazi, në Cali (në jugperëndim), qyteti i tretë më i madh i vendit dhe Manizales (perëndimi qendror), ndeshjet me dema janë në qendër të festimeve tradicionale. Mbarështimi i bagëtive është gjithashtu shumë i rëndësishëm në Kolumbi, një vend me një popullsi prej 52 milionë banorësh.

Kolumbia i bashkohet kështu listës së vendeve të Amerikës së Jugut që ndalojnë ndeshjet me dema, si Brazili, Kili, Argjentina, Uruguai dhe Guatemala. Ato lejohen në Peru, Venezuelë, Ekuador dhe Meksikë.

()

AlbaniaWeb.net