Sun, Nov 24, 2024

MINIFUTBOLL/ Trajneri Dulo: Gati për Europianin, ta fillojmë mbarë! Hysko: Të kalojmë grupin, kemi gjithçka për të bërë mirë

  • PublishedMay 31, 2024

Përveç Kombëtares së futbollit, një tjetër përfaqësuese kuqezi po bëhet gati për pjesëmarrjen e saj në Kampionatin Europian.

Bëhet fjalë për Shqipërinë e minifutbollit, e cila tashmë po u jep dorën e fundit përgatitjeve dhe është gati për aventurën e saj në Europianin, i cili do të mbahet nga data 1 deri më 8 qershor në Sarajevë të Bosnjë-Hercegovinës, kompeticioni zyrtar dhe më i rëndësishmi kontinental i këtij sporti. Për Shqipërinë kjo do të jetë pjesëmarrja e tretë në një Europian, pas “Ukrainë 2018” dhe “Sllovaki 2022”. Një aktivitet, të cilin Kombëtarja Kuqezi e ka vlerësuar maksimalisht, teksa i ka dhënë fund edhe fazës përgatitore 3-javore në Tiranën nën drejtimin e trajnerit Mandrit Dulo. Tekniku i Shqipërisë së minifutbollit në një intervistë për “Panorama Sport” tregon përgatitjet dhe pritshmëritë për këtë aktivitet, ndërsa thekson rëndësinë e ndeshjes debutuese të së shtunës në mbrëmje kundër vendësve të Bosnjë-Hercegovinës. Një Kombëtare, e cila si zakonisht edhe këtë herë do të mbështetet te boshti i Prestige, skuadër lider absolute i këtij sporti në vendin tonë

Dulo, prej disa javësh po përgatiteni intensivisht, si vjen Shqipëria në Kampionatin Europian të Minifutbollit?

Shqipëria i ka vlerësuar gjithmonë seriozisht këto kompeticione ndërkombëtare dhe gjithmonë ka kërkuar që t’u marrë maksimumin, ashtu sikurse pretendojmë edhe në këtë Kampionat Europian. Në këtë kampionat, si asnjëherë tjetër, kemi bërë një përzgjedhje te lojtarët fiks të lojës së minifutbollit. Jemi stërvitur intensivisht prej tri javësh, siç e përmendët edhe ju dhe mbi të gjitha ne nga ky grup kërkojmë që të marrim maksimumin. Arsyet janë shumë të thjeshta, kërkojnë që të përfaqësojmë denjësisht futbollin tonë shqiptar me flamurin tonë. Kërkojmë që me daljen nga grupi të synojmë pse jo edhe kualifikimin për në turin tjetër. E theksoj që grupi i lojtarëve është shumë cilësor, janë lojtarë që kanë punuar me mjaft dëshirë dhe tani le të shpresojmë që të na nderojnë në fushë.

Si është gjendja e skuadrës dhe a keni patur ndonjë shqetësim me dëmtimet?

Në minifazën përgatitore që bëmë, patjetër që pati edhe dëmtime të lehta, pasi futbolli i pranon këto. Dëmtimet janë të pranishme përderisa lufta sportive ekziston, por mendojmë që dy nga lojtarët që mund të jenë edhe titullarë, ose le të themi që mund të mbajnë më shumë peshën e lojës, do të rikuperohen shumë shpejt, pasi dëmtimet kanë qenë të lehta.

Whatsapp Image 2024 05 31 At 09.39.41
Whatsapp Image 2024 05 31 At 09.39.41

Shorti ju ka vendosur në një grup të fortë me ekipe që kanë eksperiencë të madhe në evenimente të tilla, si Bosnja vendëse, Sllovenia apo Mali i Zi. Keni patur mundësinë që t’i studioni kundërshtarët?

Të them të drejtën edhe kur bëmë Kampionatin Botëror, por edhe në këtë Europian, unë vetë në mënyrë individuale kam arritur pak a shumë të krijoj edhe idenë sesi mund të luajnë ekipet kundërshtare, pavarësisht eksperiencës që ata mund të kenë ndoshta më të madhe se ne, pasi janë ekipe elitare. Bëhet fjalë për skuadra elitare që bëjnë diferencën, pasi i përkushtohen vetëm këtij lloj futbolli. Duke parë që në grup kemi edhe vendin organizator, unë mendoj që çdo ekip i fortë ka edhe pika të dobëta. Pretendoj që të kem bërë një studim aq të mirë, sa që ta godasim kundërshtarin te pikat e dobëta dhe të përfitojmë nga kjo gjë. Megjithatë futbolli është i paparashikueshëm.

Ndërkohë, boshti i Kombëtares mbetet si gjithnjë Prestige, jo vetëm për nga numri i lojtarëve, por edhe për filozofinë dhe metodologjinë e punës. Sa i rëndësishëm është ky aspekt?

Patjetër që është i rëndësishëm, por ne kemi pasur në seleksionim edhe lojtarë të tjera, i kemi afruar dhe përzgjedhja është bërë siç duhet. Por duke parë eksperiencën që ka Prestige, skuadër që e ka treguar veten në çdo kompeticion si në Champions League apo në evenimente të tjera prestigjioze, apo edhe në kampionatin vendës, ku ishte i vetmi vit që ne nuk morën pjesë, Prestige është gjithmonë pikë referimi. Pra në një skuadër të tillë elitë, normalisht bëjnë pjesë edhe lojtarë cilësorë, por kjo nuk e përjashton faktin se lojtarët e tjerë nuk i përzgjedhim, pasi ne seleksionimin e kemi bërë të lirë.

Cili është objektivi i Shqipërisë në Europian, çfarë prisni nga ky kompeticion?

Çdo trajner apo çdo ekip kërkon të fitojë trofeun, pra luhet gjithmonë për të fituar. Por për mua kryesorja dhe shumë e rëndësishme është ndeshja e parë kundër Bosnjë-Hercegovinës, vendit organizator. Përqendrimi dhe e gjithë vëmendja ime është vetëm te ndeshja e parë, që do të jetë edhe takimi hapës i Kampionatit Europian. Pra një fillim i mbarë është shumë i rëndësishëm në kompeticione të tilla.

Gtfxj
Gtfxj

Glibert Hysko, kapiten i Shqipërisë së minifutbollit, shfaqet entuziast në prag të Europianit që do të mbahet në Sarajevë. Hysko thekson se skuadra është stërvitur mjaft mirë dhe se i gjithë grupi po pret me padurim debutimin: “Jemi përgatitur shumë për Kampionatin Europian gjatë të gjithë kësaj kohe dhe shpresojmë që t’ia dalim mbanë”, shprehet fillimisht Hysko.

Whatsapp Image 2024 05 31 At 09.41.04
Whatsapp Image 2024 05 31 At 09.41.04

Me përjashtim të Fatmir Hysenbelliut, prezent në dy edicionet mëparshme të Europianëve, për pjesën tjetër të lojtarëve kjo do të jetë hera e parë. Por për Hyskon ky aspekt s’duhet parë si disavantazh, ndërsa 33-vjeçari tregon edhe objektivat: “Mungesën e eksperiencës nuk e shikojmë si problem, pasi lojtarët janë të gjithë të përkushtuar, stërviten pa fjalë dhe janë të fokusuar vetëm te puna. Për ne është shumë e rëndësishme, duke qenë se shumica e lojtarëve vijnë nga Prestige, gjithashtu edhe disa lojtarë të tjerë të rinj që janë pjesë e Kombëtares kanë luajtur më parë për Prestige. Pra, jemi një grup shumë i mirë dhe e njohim njëri-tjetrin. Ne shpresojmë gjithmonë që të arrijmë rezultatin më të mirë të mundshëm. Objektivi ynë i parë është që të kalojmë fazën e grupeve, më pas të shikojmë. Skuadra i ka të gjithë mundësitë për të bërë mirë në Europian dhe gjithçka varet nga ne”, përfundon Hysko.

Reyt
Reyt
AlbaniaWeb.net