WIA- What in Albania, Aplikacioni që ju sjell Shqipërinë në telefonin tuaj!
What in Albania është aplikacioni më i ri për turizmin në Shqipëri. Konceptuar në një mënyrë krejtësisht origjinale, ky aplikacion synon t’u ofrojë turistëve mundësinë për ta njohur vendin tonë në të gjitha dinamikat e tij kulturore, historike dhe moderne.
WIA jo vetëm u ofron turistëve informacione mbi sitet turistike si kalatë, lagjet tradicionale, monumentet e larmishme, por përpiqet të pasqyrojë në rubrikat dhe kategoritë e tij edhe trendet e reja, baret dhe restorantet, të gjitha me një synim, atë të ofruarit të një eksperience unike për ditët që turistët do të kalojnë në vendin tonë.
Kjo atmosferë novatore u ndje edhe gjatë lancimit të aplikacionit, në një event që bëri bashkë miq e bashkëpunëtorë, të cilët ndanë me bashkëthemeluesit, Joana , Rubensi dhe Serxhio, kënaqësinë e një nisme të tillë në vendin tonë. Ata janë të bindur se kanë ndërtuar një aplikacion që jo vetëm ndihmon ata që do të vizitojnë Shqipërinë, por që zgjidh njëkohësisht edhe disa problematika kryesore të turizmit në vendin tonë, sidomos atë të burimeve njerëzore dhe atë të marketingut të integruar.
WIA është një projekt fort i dashur për ata qe e kanë themeluar atë, sepse jo vetëm kane punuar për çdo detaj te këtij aplikacioni për ta bërë të përdoret lehtë nga çdo grupmoshë, të jetë i qartë për hapat, por edhe për pasurimin e tij me sitet më të bukura të vendit tonë. Ndaj krenar, na thonë se me anë të WIA-s, ata kanë rizbuluar edhe njëherë Shqipërinë e bukur dhe plot potencial për të qene një destinacion i paharrueshëm.
Ndërkohë që aplikacioni i jep përgjigje shumë pyetjeve dhe kërkesave që ka turisti modern, WIA ofron edhe një risi tjetër, atë të guidës inteligjente, e cila gjenerohet kundrejt një pagese të caktuar, duke u bërë kështu cicëroni juaj digjital dhe planifikuesi më i mirë i qëndrimit në çdo cep të vendit.
Ju mund ta shkarkoni aplikacionin në telefonin tuaj si edhe ç’ka është më e rëndësishmja, t’ua sugjeroni miqve tuaj të huaj që do të vinë këtu. Bashkëthemeluesit janë besimplotë tek potenciali që aplikacioni ka për t’i dhënë një hov të ri turizmit në vend, duke i ofruar një frymëmarrje të re këtij sektori kaq premtues por të etur për njerëz dhe ide guximtare.