Wed, Nov 27, 2024

MINIFUTBOLL/ “Euro 2024”, Shqipëria debuton sot kundër Bosnjës

  • PublishedJune 1, 2024

Në Sarajevë do të nisë sot edicioni i 11-të i Kampionatit Europian të minifutbollit, kompeticioni zyrtar dhe më i rëndësishëm kontinental i këtij sporti. Në “Euro 2024”, siç dihet do të marrë pjesë edhe Shqipëria, e cila është shortuar në Grupin A, së bashku me vendësit e BosnjëHercegovinës, me Malin e Zi dhe me Slloveninë.

Kjo do të jetë pjesëmarrje e tretë e Kombëtares kuqezi në Europian, pas eksperiencave në “Ukrainë 2018” dhe “Sllovaki 2022”. Pas një faze përgatitore 3-javore në Tiranë, përfaqësuesja shqiptare dje është nisur për në Sarajevë, teksa sot në mbrëmje në orën 20:00 do të bëjë debutimin e saj në Europian. Kombëtarja e drejtuar nga trajneri Mandrit Dulo do ta nisë aventurën e saj në “Euro 2024” duke sfiduar vendësit e Bosnjë-Hercegovinës, takim që do të luhet sot në orën 20:00. Më tej të dielën në orën 22:00 Shqipëria do të përballet me Malin e Zi, ndërsa ndeshjen e fundit në grup do ta zhvillojë më datë 4 qershor në orën 10:30 kundër Sllovenisë. Ashtu sikurse e konfirmuan edhe vetë trajneri Dulo së bashku me kapitenin Glibert Hysko, Shqipëria vjen me pritshmëri të larta në Europian, ndërsa shumë e rëndësishme do të jetë ndeshja e parë.

RIVALËT – Duhet thënë se kuqezinjtë ndodhen në një grup të vështirë, me kundërshtarë me eksperiencë të madhe në evenimente të tilla të minifutbollit, siç janë BosnjëHercegovina, Mali i Zi dhe Sllovenia. Për organizatorët e Bosnjë-Hercegovinës kjo do të jetë pjesëmarrja e pestë në një Europian. Rezultatin më të lartë përfaqësuesja boshnjake e ka në “Kroaci 2015”, duke u renditur në vend të tretë. Në të gjitha rastet Bosnjë-Hercegovina ka arritur që ta kalojë fazën e gupeve. Mali i Zi është ndër skuadrat me më shumë eksperiencë, me tetë pjesëmarrje në Europiane. Rezultati më i lartë i malazezëve është vendi i dytë në “Moldavi 2012”, përfaqësuese që gjithnjë e ka kaluar fazën e grupeve. Ndërsa Sllovenia regjistron gjashtë prezenca në Europiane dhe arritjen më të lartë e kanë në vitin 2014, kur mbërrinte deri në finale. Në katër edicionet e fundit, sllovenët kanë arritur gjithnjë ta kalojnë fazën e grupeve.

FAVORITËT – Në prag të startit të “Euro 2024”, Federata Europiane e Minifutbollit ka publikuar edhe pesë skuadrat favorite në letër për fitimin e kompeticionit. Në krye qëndron Rumania, rekordmene, 6 herë kampione e Europës, e cila në edicionin e kaluar u ndal në finale. Me tej vjen Azerbajxhani, kampioni në fuqi i Europës në minifutboll. Mes favoritëve shikohet edhe Kazakistani, fitues i edicionit në vitin 2016. Tek ekipet pretendente nën pjesë edhe Çekia, një herë kampione e Europës (2018), dy herë nënkampione dhe rregullisht mes katër më të mirave të kompeticionit. Ndërsa “top-5” e favoritëve plotësohet nga Hungaria, një skuadër që shihet me potencial për të ngritur lart trofeun. Në “Euro 2024” s’do të mungojnë as yjet e futbollit, teksa i ftuar special do të jetë edhe Edin Xheko.

AlbaniaWeb.net