Wed, Nov 27, 2024

E PLOTË/ Rama intervistë për RAI3! Akuzat për përfshirjen e politikës në krim, përplasje të forta me gazetarin italian

  • PublishedJune 2, 2024

Kryeminostri Edi Rama ka dhënë një intervistë për RAI3, në kuadër të kampeve të refugjatëve në Gjadër dhe Shëngjin.

Ai ka pasur përplasje të forta me gazetarin italian, në lidhje me dokumentarin e parë të publikuar.

Një pjesë e intervistës së zhvilluar mes tyre:

Rai3: Atëherë, Kryeministër, falemnderit që pranuat këtë intervistë. E vlerësojmë shumë si shenjë disponibiliteti të madh. Pyetja e parë është kjo: Ju e përkufizuat emisionin tim, hetimin tim si “të neveritshëm”. Është gabim përkthimi apo donit vërtet të thoshit “i neveritshëm”?

KM: Tani jeni këtu në shtëpinë time dhe nuk do doja të këmbëngulja tek ajo fjalë, por, nëse doni të këmbëngulni, po, ishte shumë i neveritshëm.

KM: Sepse ishte shumë e qartë që qëllimi ishte të bënit një emision për qendrat e pritjes së migrantëve dhe është e drejta juaj e shenjtë, unë nuk mundem as ta vë në diskutim, që ju të keni opinionin tuaj, të informoni publikun tuaj rreth këtij opinioni, të mblidhni faktet… Por, ta lidhësh këtë histori italiane tuajën me gjithçka kishit qepur bashkë për Shqipërinë, qeverinë shqiptare, për Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave,    me personazhe të themi mjaft të errëta të Shqipërisë, dukej sikur, në fakt, ishte e qartë që mesazhi ishte se marrëveshja bëhej midis një qeverie italiane, të cilën ju nuk e fshihni që nuk e vlerësoni dhe…

Rai3: Ne i kemi kritikuar të gjitha qeveritë.

KM: … dhe midis një qeverie në Shqipëri, që del si një partnere në hije, me personazhe të lidhura me trafikun e narkotikëve apo me këtë ose atë tjetrën. Kjo është pjesa e neveritshme, jo fakti që ju trajtoni në programin tuaj problemin sesi do të administrohet e gjithë kjo marrëveshje. Edhe vënia në dyshim e vetë idesë së marrëveshjes, dhe i gjithë një mal gjysmë të vërtetash, të cilat janë gënjeshtrat më të mëdha, është e neveritshme.

Rai3: Do ju jap sigurisht mundësinë të shpjegoheni për këtë punën e narkoshtetit. Do ta nis nga qendrat për imigrantët. Si lindi kjo ide? Kush jua propozoi?

KM: E kam thënë dhe e përsëris, ka qenë një kërkesë mjaft miqësore nga Xhorxha, nëse do ta merrja në konsideratë mundësinë për të bërë diçka bashkë për këtë dhe unë i thashë “pse jo, ta mendojmë”. Pastaj, kaluan muaj, ajo erdhi në Shqipëri dhe patëm mundësi të diskutojmë më gjatë se çfarë mund të bëhej, cila mund ishte pjesa jonë në këtë gjë dhe, pastaj, e bëmë.

Rai3: Megjithatë, nuk mendoni se dëbimi i migrantëve që përpiqen të mbërrijnë në Itali drejt Shqipërisë është një shkelje e të drejtave themelore të njeriut?

KM: Kjo është një mënyrë për ta parë gjënë, por ka edhe një mënyrë tjetër për ta parë, sepse gjeografia nuk mund të jetë mallkimi i Italisë, që është lënë e vetme për shumë kohë. Në momente dramatike në kohë është braktisur vërtet në vetminë r saj, sepse, nëse dikush vë këmbë në Itali, vë këmbë në Europë. Pra, nuk është një që mbërrin aty dhe Italisë i duhet ta menaxhojë vetë; është dikush që mbërrin në Europë dhe Europa duhet ta menaxhojë së bashku. Për më tepër, ka një dispozitiv të rëndësishëm të legjislacionit europian, që është rishpërndarja dhe që, qartësisht, nuk ka funksionuar. Në dëm të Italisë. Ndërkohë ne nuk jemi një vend që është pjesë e BE-së, ne jemi pjesë e E-së, pra jemi vend europian e  gjendemi në anën tjetër të detit nga Italia dhe, thjesht, kemi marrë përsipër një përgjegjësi si europianë, në kuptimin që, ju keni nevojë që ne të kontribuojmë e të marrim pjesë. Nëse këtë gjë do ta kishte bërë Sllovakia, Polonia apo kushdo tjetër që është në Bashkimin Europian, asgjë nuk do të ishte thënë, por fakti që Shqipëria nuk është në Bashkimin Europian, ngre gjithë këtë zhurmë dhe, më pas, këtë interpretim, do të thoja subjektiv, të faktit.

Rai3: Po, nëse, në kohën kur shqiptarët kalonin përmes Kanalit të Otrantos për të mbërritur në Itali, të dëboheshin në Tunizi, në Egjipt, në pritje të përgjigjes për kërkesën e tyre për azil, çfarë do të mendonit?

KM: Para së gjithash, nuk është e njëjta gjë…

Rai3: S’ka gjë, rifillojmë.

KM: E dëgjuat? Ai ka ide subversive…

Rai3: Ide subversive? Absolutisht jo.

KM: Bëj shaka. Para së gjithash, nuk është e njëjta gjë. Jemi në një situatë ku duhet një qasje e përbashkët europiane, e të gjithëve. Nuk është një temë e politikës së ditës apo interesave zgjedhore, është një çështje shumë e madhe për t’u kthyer në objekt përplasjesh politike. Sepse në fund të fundit, të gjithë, kur vijnë në qeveri, e mendojnë njësoj dhe kërkojnë të bëjnë thuajse të njëjtën gjë. Qoftë e majta apo e djathta, në Itali e kudo, flasin për kontrollin e flukseve, flasin për flukse të paligjshme, flasin…

KM: Atëherë, çfarë?!

Bëjmë moral kur rrimë aty e shohim të tjerët që iu duhet ta menaxhojnë dhe, pastaj, kur vjen puna për ta menaxhuar vetë bëjmë të njëjtën gjë? Këtu ka nevojë për një tryezë të madhe të përbashkët të të gjithëve, përtej së majtës dhe së djathtës, për të kuptuar, nga njëra anë, që ka një demografi që po ndëshkon një Europë të tërë, të themi, sidomos Europën e vjetër…

Rai3: Një dimër demografik.

KM: … me rritjen e moshës së popullsisë që nuk duket se po ka një zgjidhje, ndërkohë, nga ana tjetër, ka një nevojë të jashtëzakonshme për fuqi të re punëtore. Ku do i gjejnë? Se nuk më duket që të rinjtë italianë janë të prirur të bëjnë më shumë fëmijë, për të ndihmuar flamurin trengjyrësh.

Rai3: Këtu dalloj Ramën socialist.

KM: Ramën socialist?… Në fakt, unë jam socialist pak i çuditshëm, sepse nuk besoj në llogoret ideologjike. Unë besoj në zgjidhjet e përbashkëta dhe në zgjidhjet që funksionojnë. Nëse një zgjidhje funksionon, funksionon dhe nuk mund të etiketohet si e majtë apo e djathtë dhe pastaj të bëhet diçka që nuk funksionon.

Rai3: Atëherë, më këtë marrëveshje po kontribuoni për ndërtimin e një modeli, sipas të cilit, vendet e pasura do ta zgjidhin problemin duke ua shkarkuar atë në kurriz vendeve të varfra?

KM: Para së gjithash, e kam thënë që në fillim, Shqipëria nuk mund ta zgjidhë këtë problem, çfarëdo të bëjë. Ky problem zgjidhet së bashku dhe nuk është një problem që mund ta transferosh, është një problem që duhet ta godasësh dhe duhet goditur bashkërisht. Në këtë kuptim, po flisja për përmbajtjen e kësaj Europe, përballë kësaj sfide të plakjes dhe mungesës së krahut të punës dhe, nga ana tjetër, po flisja për nevojën për të mos rënë viktimë e të gjitha dëshirave kriminale të atyre që përdorin varfërinë, që shfrytëzojnë të gjitha problemet e të varfërve, për t’iu marrë edhe paratë e fundit që iu kanë mbetur e për t’i sjellë në Europë pa asnjë kontroll, pa asnjë filtër, pa asnjë politikë. Atëherë, për këtë duhet punuar, jo për faktin që, nëse e bën Xhorxha është keq, nëse e bën Minniti është mirë, apo e anasjellta.

Rai3: Pjesa tjetër e Europës e ka përqafuar këtë projekt. Manifesti zgjedhor i partive popullore europiane përmban pikërisht këtë zgjidhje: pritjen e migrantëve në kërkim të azilit në vendet e treta. Do të ndërtohen qendra të tjera këtu në Shqipëri?

KM: Ndjesë, mbi të gjitha, mendoj se pjesëmarrja e vendeve të treta nuk është zgjidhje në vetvete. Pjesëmarrja e vendeve të treta duhet të jetë vetëm pjesë e një zgjidhjeje më komplekse, sepse, nëse mendohet që vendet e treta janë zgjidhja, atëherë, nuk do të shkojmë kurrkund, nuk do të ketë zgjidhje dhe do të përfundojmë t’i biem murit që kemi përballë ose të përplasemi me ajsbergun që na ka dalë përpara. Të flasësh për këtë sfidë shumë të madhe që ka Europa, si të ishte diçka që lidhet me zgjedhjet e ardhshme, mandatet e ardhshme, mundësisë së ardhshme për t’u ngjitur në pushtet, është njësoj si të luash muzikë, teksa Titaniku po mbytet.

Nga ana tjetër, të mbytesh, themi ne, nuk di nëse e keni edhe ju në italisht, të mbytesh me një pikë ujë dhe ta paraqesësh këtë përpjekje për të krijuar diçka, për të provuar diçka – pa pretenduar se do zgjidhim problemin, po sidoqoftë duke kërkuar rritjen e pjesëmarrjes së vendeve – si diçka për t’u hedhur tutje, është shumë nënçmuese dhe vërtet qesharake.

Rai3: Shqipëria do të pranojë qendra të tjera?

KM: Shqipëria e ka bërë këtë – dhe do doja të ishte e qartë – jo pse ishte hera e parë që merrte një kërkesë të tillë. Kemi marrë të njëjtat kërkesa nga vende të tjera dhe i kemi refuzuar, sepse ishin të pakuptimta. Një gjë është të jesh vend fqinj, me historinë e përbashkët që kemi. Italia është Shqipëria dhe Shqipëria është Italia, në mënyrën se si i shoh unë gjërat dhe në frymën e dy popujve tanë. Por, të presësh këtu njerëz të shkretë që i sjellin nga Anglia, nuk është diçka që bëhet. Duhet të krijohen sinergji të një tjetër lloji. Pra, jo. Kurrë.

Rai3: Ju i keni kërkuar Kosovës të hapë qendra të tjera?

Rai3: Po, qendra për migrantët, Ka një diskutim të tillë?

KM: Jo. Pse duhet t’ia kërkoj? Jo.

Rai3: Nuk është diskutuar asnjëherë kjo?

KM: Nuk e di. Ndoshta e kanë kërkuar të tjerë. Më duket se patën bërë  një marrëveshje me Danimarkën, po nuk di si ka vajtur.

Rai3: Ah, Danimarka donte të ngrinte qendra për migrantët në Kosovë?

KM: Më duket se ka pasur një diskutim të tillë, po.

Rai3: Dëgjoni, Bechetti… Bechetti mbeti keq. E di, thoni që nuk e njihni.

KM: Bechetti është pika juaj e dobët, e di.

Rai3: Report ka bërë një emision mjaft të ashpër për Bechettin.

KM: Atëherë, zotëria është një kriminel, i dënuar me 17 vjet burg në bazë të ligjit shqiptar për afera të pista, pastrim parash, etj. kaq.

Rai3: Por një gjykatë ndërkombëtare ju ka dënuar t’i paguani 130 milionë euro. Pse nuk e zbatoni këtë vendim?

KM: Sepse kjo historia ende nuk ka mbaruar. Jemi në një proces gjyqësor në Belgjikë dhe kush mendon se kjo histori është mbyllur, besoj se do t’i duhet të rimendohet.

Rai3: Duke folur për fakte, Tirana është transformuar qëkur ju ishit kryetar bashkie e në vijimësi. Janë ndërtuar kulla shumë të larta fantastike. Si janë financuar këto kulla? Vitin e kaluar, në sektorin e pasurive të paluajtshme, ka pasur një investim me vlerë rreth 3,7 miliardë euro, por, pak a shumë, vetëm 800 milionë vinin nga bankat. Nga vijnë paratë me të cilat…

KM: Para së gjithash, edhe kjo nuk është e vërtetë. Këtu po ndërtojmë. Ka një numër kullash, por është vetëm fillimi. Pas pesë vjetësh, do të kemi shumë më tepër. Kemi angazhuar arkitektët më të mirë të botës. Ka gjashtë apo shtatë fitues të çmimit Pritzker, që punojnë me ne në Shqipëri. Dje isha në Lezhë, ku është vendi që kemi pritur afganët dhe ku do të jenë edhe qendrat dhe, vetëm vitin e kaluar, në Lezhë, iu shitën 500 pasuri të paluajtshme shtetasve të Bashkimit Europian, polakë, spanjollë, çekë, holandezë.

Rai3: Po, në Tiranë, 20 për qind e apartamenteve janë bosh.

Rai3: Të dhënat zyrtare.

KM: Jo, nuk është e vërtetë.

Rai3: Të dhënat nga konsumi i energjisë elektrike.

KM: Jo. Po ju them diçka

Rai3: Është nga operatori juaj elektrik.

KM: Prisni, se jeni ndotur së tepërmi nga burime informacioni, që janë të njëanshme dhe ndaj duhet të vendosim pak ekuilibër.

Rai3: Janë të dhëna objektive,

KM: Atëherë, e para, ne kemi dalë nga lista gri e Moneyval-it, pikërisht sepse kemi një regjim shumë të fortë kundër pastrimit të parave nga ky këndvështrim. E dyta, shqiptarët që jetojnë jashtë nuk janë më shqiptarët që pastronin shtëpitë ose vilnin frutat e që mund t’i trajtonin si skllevër. Janë persona që sot i paguajnë buxhetit italian vlera mjaft të konsiderueshme. Janë thuajse 40 mijë biznese të krijuara nga shqiptarët. Dhe ne shqiptarët jemi si ju, italianët. Ju jeni shqiptarë të veshur me Versace dhe pikë! Lërini Rafaelon, Leonardon e të tjerët se nuk keni pikë lidhje me ta, për ta thëne deri në fund siç është, edhe pse keni mendimtarë të mëdhenj, intelektualë të mëdhenj.

Rai3: Megjithatë, këtu thërrisni arkitektët italianë për të ndërtuar, si Boeri.

KM: Janë fantastikë, por po flas nga këndvështrimi.

Po nëse mendon për krenaritë e italianëve, mendon që Rafaelo ishte korsikan, megjithatë e lëmë. Atëherë, po ju thoja që, njësoj si ju, edhe ne jemi të lidhur me tokën, jemi të lidhur me rrënjët dhe shqiptarët që janë jashtë investojnë për të blerë banesa e kështu me radhë.

Rai3: Pra, janë dërgesat e emigrantëve.

KM: Ne kemi kryer një studim, pikërisht për të kuptuar që nuk gjendeshim përpara një flluske dhe doli që kërkesa për të blerë apartamente është shumë më e lartë sesa oferta edhe sot. Pastaj, janë italianët që blejnë në Shqipëri dhe Banka qendrore e Shqipërisë ka botuar një të dhënë, sipas së cilës, investimet e huaja në Shqipëri janë rritur, kanë shënuar një rritje të menjëhershme falë investimeve të të huajve nga Bashkimi Europian, të cilët blejnë shtëpi ose zyra në Shqipëri. Dhe bëhet fjalë për qindra miliona, jo për një.

Rai3: Domethënë, edhe Kastrati i ndërton kullat me paratë e emigrantëve që kursejnë në Itali.

KM: Nuk e di saktësisht se kush janë, pasi janë të dhëna të përziera, por ju duhet të kuptoni që, për çdo banesë që shitet në Shqipëri bëhet kontrolli i origjinës së parave. Domethënë,  ka marrë fund faza kalabreze, të themi, e Shqipërisë, kur bliheshin shtëpi në Tiranë me para në dorë dhe pastaj bëheshin bilance, bëheshin fatura që ishin gjysmë të vërteta.

Rai3: Kemi folur me një eksponent, ish-eksponent të rëndësishëm të qeverisë suaj, i cili pretendon se vitet e kaluara, shpesh, gjatë mbledhjeve zyrtare të qeverisë, ka paralajmëruar për kanabizimin  dhe se ju keni thënë që do të jetë një “boost”, një kontribut i rëndësishëm për ekonominë, do të zhvillojë shqiptarët. A është e vërtetë?

KM: Nuk di me kë keni folur, po unë nuk do iu besoja shumë atyre që flasin pasi nuk ua ngroh më të ndenjurat karrigia e pushtetit. Kështu e mendoj unë. Nuk janë njerëz që duhen marrë seriozisht, por vetëm mund të mëshirohen.

Rai3: I njëjti person pretendon se në këtë zyrë kanë ardhur edhe shefat e organizatave kriminale shqiptare dhe që ju i keni takuar këtu.

KM: Atëherë, duhet të jetë një burim tërësisht i ndotur dhe duhet të ketë probleme me drejtësinë.

Rai3: E, megjithatë, ka mbajtur poste shumë të rëndësishme në qeveritë tuaja.

KM: Ah! Kemi një thënie ne në Shqipëri, “pyll pa derra nuk ka”.

Rai3: Po, a është e vërtetë apo jo që ju keni takuar figura të krimit të organizuar shqiptar.

KM: Do ju them diçka, se është ajo çka e bëri të neveritshëm reportazhin tuaj.

Rai3: Megjithatë, unë jam këtu për të dëgjuar mendimin tuaj.

KM: Do t’ju them këtë. Që nga romakët, civilizimi ynë e ka zgjidhur këtë problem. I takon barra atij që akuzon të paraqesë provat, jo të akuzuarit, sepse, nëse unë ju akuzoj tani ose nëse ju bëj një pyetje të  pafajshme, po që është e rëndë: “Më falni, mos ju ka paguar gjë Becchetti?” Ju takon juve ta vërtetoni apo më takon mua ta vërtetoj? Atëherë, nëse unë jua bëj këtë pyetje, ju do thoni: “Sigurisht që jo.” Po nuk është kjo mënyra për të ushqyer publikun, sepse, ndërkohë, po t’jua bëj këtë pyetje, publiku do të nisë të mendojë me vete, “ëhëëë”, pasi, përgjithësisht, qenia njerëzore është shumë herë më e prirur të tërhiqet gënjeshtrat sesa të vërtetat. Në shumicën e rasteve, të vërtetat janë të mërzitshme, nuk përbëjnë lajm; gënjeshtrat ndërkohë janë argëtuese, përbëjnë lajm dhe, pastaj, të gjithë politikanët janë të korruptuar, të gjithë politikanët janë kriminelë. Atëherë, pse jo, edhe krerët e organizatave kriminale kanë ardhur këtu dhe unë vizatoj,  ndërkohë që ata më vinin përpara hartat e tyre të trafiqeve. Do ishte një film i bukur.

Rai3:  Sigurisht, një detaj specifik për figurën e Erebus (zoti i krimit) Agasit, domethënë Erebus Agasi mund të jetë paksa ai që ka raporte…

KM: Më fal, po si mundemi të bëjmë ne një intervistë, me ju që përfaqësoni një program të famshëm në Itali, që ka bërë edhe hetime, të cilat kanë bërë zbulime befasuese, pra shërbimi publik, dhe me mua që jam Kryeministri i Shqipërisë, e këtu e sjellim bisedën në një nivel  kaq të ulët dhe flasim për njerëzit. Domethënë, marrim emra njerëzish, të cilët as nuk janë të pranishëm, nuk kanë poste e tituj, njerëz që kanë jetët e tyre, nuk është e mundur.

Rai3: Unë ju bëj një pyetje, përgjigjja juaj mund të jetë bindëse.

KM: Përgjigjja ime është kjo: “Nuk është në shërbim të publikut të marrësh emrat e njerëzve, që kanë jetët e tyre, që janë në punën e tyre, të cilët nuk kanë lidhje kurrkund me punën tuaj, me punën time, që është një punë me peshë, ku flitet vërtet për gjera me peshë, e bëhen pastaj objekt.

Rai3: Po edhe media shqiptare flasin për Agasin si njeriu hije i pushtetit tuaj. Është kështu apo jo?

KM: Jo. Mediat shqiptare nuk bëjnë dallim. Unë midis “Report” dhe homologes së tij në Shqipëri zgjedh Report-in. Domethënë, për mua neveria e Report-it është mjaltë krahasuar me neverinë e homologes suaj këtu në Shqipëri. Mediat shqiptare nuk janë një argument për këtë. Unë, kur flas me ju, duke qenë se më përmendët arkitektët, flas me dikë që përfaqëson kategorinë që, le të themi, është krijuar nga Montanelli, jo kategorinë e krijuar nga Enver Hoxha.

Rai3: Duke hyrë më konkretisht në gjërat për të cilat ka prova të dokumentuara: takimet tuaja me Luftar Hysën. Pse jeni takuar me Luftar Hysën këtu në vitin….

KM: Një tjetër emër që përmendet si pa të keq. Më fal, po nuk dua të humbas mundësinë për të dalë në transmetim te ju duke përmendur emra, që nuk di as çfarë duan të thonë apo kush janë.

Rai3: Sipas autoriteteve kanadeze është një prej pastruesve më të mëdhenj të parave dhe i kartelit të lojërave të fatit. Këtu në Shqipëri i është dhënë koncesion për një kazino, kështu që flasim për fakte dhe rrethana mjaft konkrete.

KM: Unë ju them këtë, që ju flisni për Engjëll Agaçin dhe këtu ishte kulmi i emisionit tuaj.

Rai3: Do jua bëj pyetjet për Agaçin.

KM: Epo, ndërkohë që më flisni për emra që nuk hyjnë fare. Është një fyerje e inteligjencës, të zësh në gojë emra.

Rai3: Po, për mua si gazetar, fakti që kreu i Këshillit të Ministrave të Shqipërisë takohet me një figurë që, më pas, zbulohet se është pastruesi i parave të kartelit Sinaloa dhe një nga pjesëtarët më të rëndësishëm, për mua ky është lajm dhe unë do t’ju pyes për këtë. Nuk do bëja mirë zanatin tim, nëse nuk do ju pyesja.

KM: Më falni, unë takohem me shumë njerëz dhe unë mbaj përgjegjësi për atë që bëj vetë dhe për atë çfarë personat janë kur vijnë tek unë. Pastaj, nëse zbulohet se dikush nuk është në rregull, i takon drejtësisë të bëj punën e saj dhe, sigurisht, më takon mua, i takon qeverisë, i takon administratës të distancohen. Nëse unë ju them, më falni, po ju takoheni me Francesco Becchettin, që është një kriminel, më fal po çfarë do të thotë kjo? Ju bëni punën tuaj.

Rai3: Unë, sidoqoftë, jam gazetar dhe marr në intervistë kriminelë dhe jokriminelë, ndërkohë ju, si kryeministër, nuk duhet të takoheni me kriminelë.

KM: Unë nuk takohem me kriminelë, në rregull? Kjo është fyese.

Rai3: Atëherë, distancoheni nga Luftar Hysa?

KM: Unë as që e di kush është, në rregull? Nuk e di as kush është. Kam takuar njerëz, e përsëris, shumë njerëz, shqiptarë që ikin e vijnë, që duan të takohen, të shohin, me miq e me të tjerë. U thuhet, “në rregull, ejani, çfarë do bëni, si do e bëni”, etj. Megjithatë, fakti që një person edhe në qeveri apo një person që vjen nga jashtë, del nesër që është i kalbur nuk më bën mua përgjegjës që e kam takuar atë apo kam takuar dikë tjetër. Pra, kjo është mënyra sesi bëhet një gazetari që bën pis, që bën pis, sepse…

Rai3: Jo, nuk bën pis, sepse tani do ju bëj këtë pyetje. Duke qenë se tani e dini kush është Luftar Hysa, do ia anuloni koncesionin për kazinonë?

Do e anuloni lejen për Valona Construction, që, sipas autoriteteve kanadeze, është kompania guaskë e Hysës?

KM: Më fal, e para fare, unë as nuk jap, as nuk anuloj koncesione apo çfarëdo që të jetë.

Rai3: Po keni post shtetëror.

KM: Më fal, po unë nuk jam shteti, jam Kryeministri. Shteti ka strukturat e veta, ka administratën e vet, sepse është siç e thashë më parë. Pra, krimineli italian, i cili është dënuar këtu me 17 vjet, i është drejtuar gjykatës për një problem, që, sipas tij, është krijuar nga ne, ndërkohë që ai pastronte para dhe ka përdorur një fjalë timen, postuar në Twitter, pasi ishte shprehur prokuroria, si presion kundër lirisë së shtypit. Pra, duhet kaluar përmes rrugës gjyqësore, përmes rrugës institucionale për çdo subjekt, për gjithçka, sepse hetimet janë një gjë, proceset gjyqësore janë një gjë tjetër, vendimet e formës së prerë nga gjykatat janë diçka tjetër dhe po te dilet me shpatë e të flitet qesim, pastaj e gjen veten në situata shumë të parehatshme nga këndvështrimi i shtetit.

Rai3: Pra, duke qenë se keni dhënë një koncesion, keni nisur hetim për këtë shoqëri?

KM:  Ju po më thoni një gjë që vetëm tani e marr vesh, se po ma thoni ju, se as nuk jam në dijeni të kësaj gjëje. Jua përsëris, edhe njëherë, ne, shteti shqiptar nuk jep koncesione, nuk u jep leje, nuk iu jep asgjë kriminelëve. Pastaj, nëse ndokush del se është një person që duhet të përgjigjet përpara drejtësisë për afera, siç ndodh në Itali çdo muaj, ju nuk do ta merrnit kurrë guximin të thoshit, “atëherë, për këtë, kryeministrja italiane që është takuar me atë njeri, është një kriminele”

Rai3: Po, po, kur më pas zbulohet se ka një hetim ndërkombëtar, pezullohet aktiviteti i këtyre shoqërive tregtare, nëse dyshohen si mafioze, që do të thotë se, nëse janë mafioze, nuk ka nevojë as për proces gjyqësor.

KM: Edhe njëherë, se po i shtojmë fjalë…

Rai3: Jo nuk dua të shtoj gjë.

KM: … për këtë. Ju po përpiqeni ta çoni intervistën në drejtimin që doni, që do të thotë, të vazhdoni të këmbëngulni te emisioni i mëparshëm, që këtu ka një histori kriminelësh, një histori personazhesh të errëta e kështu me radhë.

Rai3: Nëse kryeministrja italiane do të takohej me njeriun që pastron paratë për kartelet meksikane, do i bëja pyetje të përsëritura breshëri vetëm për këtë aspekt.

Rai3: Kështu që, nuk ka të bëjë me ju e me Shqipërinë.

KM: E kuptoj, por po jua përsëris. Unë nuk kam takuar asnjë pastrues të asnjë lloj paraje të asnjë pale. Unë jam takuar me shqiptarë, të cilët kanë ardhur tek unë, më kanë thënë që kishin synim të zhvillonin diçka dhe iu kam thënë: “Bëni si të doni, ligji dhe rrugët janë të qarta”. Dhe nuk me duket që ndokush të ketë përftuar ndonjë gjë si favor. Pastaj, nëse del se dikush është i bërë pis, atëherë, këtu ka ligje. Është sekuestrimi, është një gjë a një tjetër. Po është krejt ndryshe, domethënë nuk vjen prej meje.  Është drejtësia, është…)

Rai3: Ne kemi përmendur edhe vëllain tuaj, Olsi Rama…

KM: Që është një tjetër ndërhyrje e neveritshme në jetën e dikujt që nuk ka asnjë lidhje, në jetën e dikujt që akuzohet vetëm se është im vëlla, sepse fakti nuk ekziston. Po ashtu, ai ka ngritur edhe padi dhe tani shpresoj që edhe kjo gjë do të sqarohet nga prokuroria e posaçme. Po, e kuptoni? Ju jeni shërbimi publik italian, nuk jeni një kanal shqiptar që bën si të dojë, sepse, në fund të fundit, të flasësh për të tilla gjëra të thuash që, i vëllai, aaa është akuzuar… I akuzuar nga kush, i akuzuar për çfarë? Pastaj, ku janë provat? Pastaj, këto “prova”, janë tani, shpresoj nën hetim.

Rai3: Di që është rihapur hetimi pas emisionit.

KM: Janë nën hetim, pasi ai ka paraqitur padi për shpifje, kështu që këtu i duhet lënë në dorë drejtësisë. Por t’i marrësh gjëra të tilla e të formosh një mozaik me copëza që janë të gjitha gjysmë të vërteta. Janë të gjitha gjysmë të vërteta dhe për këtë arsye gjysmë të vërtetat janë gënjeshtrat më të mëdha, mashtrimet më të mëdha.

Rai3: Dëgjoni, ju keni një raport të shkëlqyer me Xhorxha Melonin. Keni pasur marrëdhënie të shkëlqyera me të gjithë kryeministrat, veçanërisht me Massimo D’Alema-n.

Rai3: Massimo D’Alema, është një këshillues i juaji, ju e keni emëruar këshilltar.

KM: Jo, nuk e kam emëruar këshilltar, sepse nuk do ia lejoja vetes ta emëroja këshilltar. Ai është një mentor.

Rai3: Ah, është mentor.

KM: Po. Është njëri prej shtetarëve më të mëdhenj, sipas meje, pas Luftës së Ftohtë dhe është një prej mendjeve më të bukura që kam takuar në jetë. Të gëzosh miqësinë e tij, është, për mua, një medalje e madhe nderi.

Rai3: Edhe D’Alema ka ardhur në Shqipëri për të bërë tregti.

KM: Çfarë tregtie? Çfarë ka bërë.

Rai3:  Ka ngritur një shoqëri lobimi.

KM: E pabesueshme! Kurrë nuk kam folur për tregti me Massimo D’Aleman. Kam folur gjithnjë për politikën, kam folur gjithnjë për Shqipërinë, kam folur gjithnjë për… Pastaj, ai është i lirë të bëjë çfarë të dojë. Epo t’i paraqesësh gjithmonë këto gjëra kështu!

Rai3: Po ka themeluar një shoqëri lobimi. D’Alema ka një shoqëri lobimi në Itali dhe ka themeluar edhe këtu një. AEI quhet.

KM: Unë di që ai punon për Ernst & Young në Itali.

Rai3: Ka një shoqëri lobimi edhe në Itali.

KM: Dhe nuk është shoqëri lobimi.

Rai3: Jo, ai ka një shoqëri lobimi të tijën në Itali.

KM: Nuk jam në dijeni të ndonjë shoqërie lobimi, por do t’ju kërkoja ta lini jashtë Massimo D’Alema-n nga ky not në baltë që po bëjmë së bashku.

Rai3: Nuk është not në baltë, sepse një ish-ortak i tiji, Consulcesi.

Rai3: Consulcesi, që ka hapur një shoqëri trajnimesh.

Rai3: Massimo Tortorella. Ju keni marrë pjesë në vitin 2019 bashkë me D’Alema-n në përurimin e kësaj shoqërie, të këtij filiali në Tiranë, i cili, edhe në Itali, ka treqind-katërqind punonjës.

Rai3: Në atë rast, Ministrja e Shëndetësisë shpalli të detyrueshëm formimin profesional për mjekët, në mënyrë që të ushtrojnë profesionin.

KM: E pabesueshme! E pabesueshme!

KM: E pabesueshme! Ne duam, kemi dashur të shfrytëzojmë një ekselencë italiane, për të kryer një proces aftësimi, të themi, të rritjes së aftësive në sektorin tonë shëndetësor dhe kjo kthehet në një problem?

Rai3: Jo, nuk është problem. Është thjesht një rrethanë që më bën kureshtar, që ish-ortaku i Massimo D’Alema-s hap një shoqëri këtu dhe kjo shoqëri, në momentin që hapet, ka një vendim që e favorizon njëfarësoj, edhe në raport me subjekte të tjera….

KM: Po pastaj çfarë ndodhi?

Rai3: Nuk e di, për këtë po ju pyes.

KM: Më vjen keq, po nuk ndodhi asgjë. Më vjen keq, duhej të ndodhte, po ja që nuk ndodhi.

Rai3: Edhe Vittorio Sgarbi ka ardhur t’ju trokasë në derë, në një farë pike.

KM: Ka qenë gjithnjë nder të pres Vittorio Sgarbin. Është një italian i madh. Librat e tij do të mbeten, artikujt për të do të zhduken. Kjo është historia. Kur të flitet për Vittorio Sgarbin, do flitet për librat e tij, për njohuritë e tij mbi artin, për mënyrën e qëndrimit dhe të të bërit televizion, që është sigurisht ultra provokuese, por artikujt për të s’mendoj do i lexojë kush.

Rai3:  Më lejoni ta them ca me provokim, që është paksa konflikt interesi që ai është një vlerësues i madh i artit të tuaj.

KM: Ah, jam në konflikt interesi unë me Vittorio Sgarbin?

Rai3: Po, e thashë në mënyrë provokuese dhe simpatike. Ai është një vlerësues i madh i artit tuaj, Vittorio Sgarbi.

KM: Po unë nuk fola për vlerësimin e tij për artin tim. Unë fola për vlerësimin tim për Vittorio Sgarbin. Konflikt interesi mund të ishte nëse unë do thoja se Vittorio Sgarbi është i madh, sepse çmon artin tim ose se Vittorio Sgarbi vlerëson artin tim, ndaj ai është i madh. Unë nuk e thashë. Ju më pyetët për Vittorio Sgarbin. Nuk e di se ç’hyn, por e kuptoj që Vittorio Sgarbi tani është pjesë edhe njëherë e një përplasjeje të madhe në Itali dhe ju doni ta sillni tek unë.

Rai3: Kam një pyetje specifike, sepse i njëjti burim qeveritar të cilit iu referova më parë pretendon se ju keni kërkuar, edhe përpara ministrave të tjerë, një koncesion shtetëror, një PPP.

KM: Po kush jua thotë këto histori?! Po çfarë janë këto histori. Një PPP për Vittorio Sgarbin!

Rai3: Po, një hotel me lehtësira fiskale.

KM: Po a e imagjinoni dot ju Vittorio Sgarbin që administron një hotel. Do të ishte bordelloja më e madhe në historinë e hotelerisë, ndjesë.

Rai3: Me bordello e ke fjalën tamam për atë bordello?

KM: Jo, për atë bordello ndoshta e keni fjalën ju, sepse…

KM: Ne kemi një thënie, gjuha vete ku dhemb dhëmbi. Unë e thashë “një bordello e madhe” në kuptimin e rrëmujës. Po ju menduat bordello, se ndoshta do e kishit kënaqësi të vizitonit bordellon e Vittorio-s.

Rai3: Jo, jam lumturisht i martuar dhe i dënuar me monogami.

KM: E dini që ata që i frekuentojnë më shpesh bordellot janë…

Rai3: Burrat e martuar? E di. Në fakt, ndoshta thjesht do të mbante emrin e tij, por nuk do ta administronte Sgarbi.

KM: Po ç’është kjo histori?! S’ka pasur kurrë një histori të tillë. Çfarë po thoni. Ai ka ardhur shumë herë. Kemi folur edhe për të krijuar rrethana ku Shqipëria të ishte një destinacion arti, po kurrë nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Më falni, po çfarë është ky, një proces gjykimi për qëllimet?

Rai3: Jo, është thjesht një ballafaqim i dëshmive të mbledhura, thjesht kaq.

Rai3: Unë mbledh dëshmitë, vij te ju dhe i ballafaqoj drejtpërdrejt.

KM: Sipas meje, ka një problem të madh, sepse ju mblidhni thashetheme, nga njëri cep në tjetrin, nga persona që flasin, që thonë “kemi takuar”, “kemi parë”.

Rai3: Persona që thonë se i kanë parë drejtpërdrejt.

KM: Më fal, po faktet, faktet, ku janë faktet? Mirë pra, jemi parë me Vittorio-n, kemi menduar të hapim një bordello, në kuptimin me të cilin e merrni ju. Po faktet ku janë? Ku është bordelloja? Ë? Atëherë, si mund të shpenzohet koha e publikut italian, e shërbimit publik italian duke folur për thashetheme. Fole për këtë, a e pe atë, a e pe këtë tjetrin. Më falni, po për çfarë po flasim?

Rai3: Për fat të keq, është gazetari hulumtuese. Mund të jetë punë e pisët, por mban në këmbë demokracinë, Kryeministër.

KM: Gazetaria hulumtuese, sipas meje,  është që ju hulumtoni dhe pastaj vini tek unë duke më paraqitur faktet dhe më gozhdoni me fakte, jo duke u përpjekur të më vini në siklet me thashetheme dhe duke folur për njerëz, për emra, për gjëra, për persona që, në fund të fundit, në një gazetari demokratike duhet të kenë të drejtën e dinjitetit personal. Çdo person që përmendet me emër duhet të ketë të drejtën e dinjitetit personal, për të mos u tallur me të, për të mos u vënë në mes të një ngatërrese të madhe, duke i krijuar probleme në familje, duke i krijuar probleme me miqtë, duke i krijuar probleme në qytetin e tij, sepse është përmendur nga shërbimi publik italian. Këto janë gjëra të pabesueshme. Ndërsa unë jam këtu për faktet. Duhet të më tregosh një fakt për të cilin duhet të përgjigjem, po me “kam takuar këtë, kam takuar atë tjetrin, pashë njërin, dikush më tha”. Për çfarë po flasim?

Rai3: Folëm edhe për koncesione që u janë personave që merren me pastrim parash për kartelin Sinaloa.

Rai3: Domethënë, po flasim për fakte konkrete. Po flasim për shoqëri tregtare që vijnë dhe ngrenë selitë e tyre këtu. Po flasim për fakte dhe dëshmitë e atyre që sjell nuk vijnë nga gazetarë, njerëz nga rruga a politikanë, po flasim për një figurë që ka pasur poste të larta në qeveri.

KM: Nuk po flasim për asnjë figurë dhe nuk po flasim për asgjë, sepse ju më flisni për diçka që unë as e di që ekziston, që ka një hetim e kështu me radhë dhe më flet për diçka që i takon drejtësisë, nuk më takon as mua as juve, i takon drejtësisë. Pastaj, fakti që..

Rai3: Po më takon edhe mua, se unë nuk duhet t’i nënshtrohem drejtësisë, ky hetim është i pavarur nga drejtësia.

KM: Jo, e kisha në kuptimin e fakteve për personin, jo që ju të mos bëni punën tuaj, edhe ajo na duhet.

Rai3: Pyetja e fundit për PD-në..

KM: Jo, nuk është pyetja e fundit, sepse keni ardhur tek unë për të marrë sqarime për atë gjënë e neveritshme dhe tani parashikoj një tjetër neveritje në horizont.

Rai3: Pse thoni një neveritje tjetër. Quhet hetim gazetaresk.

KM: Jua them unë pse. Sepse këtu u hodhën emra, u hodhën histori, që nuk mbështeten aspak në fakte. Aspak. Ky tha kështu, ai tha ashtu, një tjetër tha… Për çfarë po flasim? Unë jam kryeministri i një vendi që ka shumë halle dhe më duhet të punoj. Ndërkohë, ju vihem në dispozicion me respekt. Më në fund, do të kem të drejtën të përgjigjem për një program ku nuk kishte replikë.

Rai3: E kërkuam replikën. I kam çuar disa herë kërkesën për intervistë.

KM: Jo, nuk keni kërkuar asgjë.

Madje, keni gënjyer edhe publikun italian, sepse i keni thënë që Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave nuk ju ishte përgjigjur.

Rai3: Nuk pranoi kërkesën tonë për intervistë.

Rai3: E botuam përgjigjen në faqen e internetit.

Rai3: E botuam përgjigjen në faqen e internetit.

KM: Jo, botimi në faqen e internetit erdhi më pas, kur ne ngritëm zërin. Po të mos kishim ngritur zërin, publikimi nuk do të ishte bërë.

Rai3: Nga këndvështrimi gazetaresk, përgjigjja ishte.

KM: Nga këndvështrimi gazetaresk, ajo është një pocaqi dhe ju u shprehët se kishte refuzuar të përgjigjej. Ndërkohë, kishit marrë të gjitha përgjigjet. Unë kam parë që…

Rai3: Kjo është një intervistë dhe ju po më përgjigjeni.

KM: Më fal, ju e keni bërë kërkesën me shkrim dhe kur e çuat kërkesën me shkrim, nuk thoshit që i dua përgjigjet edhe me gojë. I kërkuat me shkrim? I morët përgjigjet me shkrim. Dhe, jo vetëm që nuk i publikuat, dhe jo vetëm thatë që ai nuk ju ishte përgjigjur, po kur folët për gjërat e tij, thatë gënjeshtra. Gënjeshtra. Në rregull? Dhe, jo vetëm gënjeshtra, por e nxorët në një dritë të tillë, që shoh se, sipas jush, është e vetmja mënyrë për të hetuar, po nuk është e vërtetë, sepse nuk do të ishte mëkat nëse një hetim do të shkonte edhe në favor të të hetuarve tuaj. Domethënë, nuk duhet të keni gjithnjë ju të drejtë, që hyni për të gjetur fajtorë dhe tani njerëzit janë fajtorë, sepse ju duhet të justifikoni punën tuaj. Mund të bënit një hetim dhe, në fund, të thoshit “jo, Shqipëria nuk është narkoshtet”, sepse kjo është fyerje për një popull dhe fyerje për një vend.

Rai3: Këtë e kemi thënë, që ka akuza se është narkoshtet, nuk kemi elementet për të thënë që është narkoshtet. Në fakt, nuk jam këtu për t’ju thënë që jeni narkoshtet.

KM: Aaa, paska akuza! Akuza ka edhe që Italia është një narkoshtet, atëherë, çfarë do të thotë kjo?

Rai3: Do të ishte një akuzë shumë e drejtë, sipas këndvështrimit tim.

KM: Sipas jush?

Rai3: Është një shtet ku prania mafioze është shumë e fortë, mbi të gjitha, në institucione.

KM: Aaa, një narkoshtet, Italia një narkoshtet. Vendi juaj është një narkoshtet dhe ju e thoni kështu, pa u menduar dy herë.

Rai3: Sepse jam patriot dhe besoj se që të them, të pranoj dobësitë e institucioneve italiane përballë pranisë mafioze është shumë patriotike.

KM: Ju nuk e keni idenë se ç’është një narkoshtet. Nëse Italia do të ishte një narkoshtet, ju nuk do të kishit gojë të flisnit, se do ju varrosnin të gjallë në dhe.

Rai3: Ka mënyra të ndryshme për të groposur, Kryeministër, ka mënyra të ndryshme….

KM: Po, e pashë, e pashë. Është edhe mënyra…

Rai3: Nuk duhet detyrimisht të të vrasin.

KM: Jo, jo nuk ka nevojë. Liria e mendimit dhe e informimit mund të vritet edhe duke bërë gazetarinë tuaj. Nuk ka dyshim, sepse, thjesht, ke një telekamera, e përdor si armë, ke gjuhën dhe zërin dhe i përdor si plumba, ndërkohë që të tjerët janë vendosur aty sipas skenarit, për të arritur në konkluzionin e dëshiruar paraprakisht. Pra, njësoj siç e bënte Enver Hoxha. Përpara vendoste kush ishte fajtori dhe pastaj i shkonte mbrapa që t’i binte. Edhe kjo quhet mënyrë demokratike për të vrarë.

Rai3: Nuk do të isha këtu të merrja dëshminë tuaj. Do të isha kufizuar me mbledhjen e gjithë dëshmive…

KM: E keni bërë, e keni bërë.

Rai3: Po, ndërkohë jam këtu dhe do të raportoj të gjitha qëndrimet tuaja për çdo gjë që do të them.

KM: E keni bërë, e keni bërë tashmë. Ju jeni këtu, sepse unë ngrita zërin. Ju nuk jeni këtu sepse e zgjodhët.

Rai3: Kryeministër, kam kërkuar…

KM: Jo, jo nuk keni kërkuar asnjë intervistë zyrtarisht.

Rai3: Kryeministër, ju kam shkruar edhe në numrin tuaj privat, te zyra juaj e shtypit.

KM: Nuk ka asnjë kërkesë për intervistë në numrin tim privat.

Rai3: Kemi shkruar madje edhe përmes postës zyrtare. Për këtë më duhet t’ju korrigjoj, se po thoni diçka të pasaktë.

KM: Çështja është këtu. Mirë pra, po them një gjë të pasaktë.

Rai3: Për këtë. Unë kërkesën për intervistë jua kam bërë dhe jam këtu jo sepse keni ngritur zërin, po sepse unë dua t’i dëgjoj të gjithë zërat.

KM: Dua t’ju them diçka. Ky është impenjim për të hedhur baltë nga burimet më të pista të Shqipërisë që t’i vësh përpara në shërbimin publik e pastaj, t’ia paraqesësh popullit italian, sepse ju jeni kundër qendrave të pritjes.

Rai3: Kryeministër, më vjen vërtet keq për këtë qëndrim.

KM: Më fal, po ç’interes ka publiku italian për thashetheme.

Rai3: Kryeministër më vjen shumë keq për këtë qëndrim, sepse ka dy mënyra për ta parë këtë që ka ndodhur, këtë intervistë. Njëra mënyrë është me vizionin pak autokrat të pretendosh se pyetjet e një gazetari janë baltë

KM: Jo, jo, jo, jo pyetjet…

Rai3: Ndjesë. Nga momenti që po ju them se prania e mafies është e fortë dhe madje edhe lidhjet me qeverinë tuaj. Ka shumë eksponentë të shumicës suaj, të qeverisë suaj, që janë arrestuar e madje edhe dënuar – ndjesë, më lejoni vetëm 30 sekonda – janë dënuar për raporte me mafien. Ka artikuj të shtypit ndërkombëtar, madje edhe qëndrime të mbajtura nga Senati dhe Kongresi amerikan, që i denoncojnë këto rreziqe. Unë do ta shihja si një mundësi që unë, si shërbimi publik italian po ju jap për t’iu shpjeguar shikuesve italianë cila është e vërteta nga këndvështrimi juaj, pra, për të sqaruar atë që për ju është keqkuptim. Përse thoni që po hedh baltë? Unë po ju vë përpara një mikrofon dhe një telekamerë. Po ju jap hapësirë në emisionin tim që të mund të shprehni qëndrimin tuaj.
KM: Dëgjoni, unë nuk ju thashë që po hidhni baltë me pyetjet. Unë fola për programin. Nuk fola për pyetjet. Nuk ka pyetje të fajshme.

Rai3: Shkëlqyer.

KM: Por ekziston liria edhe për të folur për pyetjet, mirë? Por unë nuk thashë që pyetjet janë baltë. Ju tani sapo thatë një gënjeshtër tjetër.

Rai3: Thatë që kam hedhur baltë vetëm se përmenda gjëra që kam hasur, vetëm për këtë më thatë që kam hedhur baltë.

KM: Jo, jo. Më lini të mbaroj. Tani sapo thatë një gënjeshtër tjetër. Thatë “shumë eksponentë të qeverisë suaj”. Kush janë këta?

Rai3: Ka qenë një ministër i Brendshëm.

KM: Ah, një.

Rai3: Ishte ministri pasardhës, Xhafa, që nuk kishte gabuar, po dha dorëheqjen menjëherë më pas. Është ministri aktual i Brendshëm. Ka një bisedë midis dy krerëve të mafies, të cilët thonë: “E dimë kush do jetë ministri i ardhshëm i Brendshëm dhe përmendin emrin e Taulant Ballës. Më falni.

KM: Më fal, po që ti thuash këto gjëra duhet të jesh i pafytyrë. Unë nuk arrij dot ta imagjinoj sesi mundet shërbimi italian të tregojë këtë fytyrë… Pra, ato gjëra që po thoni janë të pakonceptueshme. “Shumë eksponentë” dhe pastaj flet për një ministër të Brendshëm, vite më parë dhe pastaj shton Fatmir Xhafën, njeriu i cili dha dorëheqjen në mënyrën më qytetare, jo sepse kishte lidhje me ndonjë gjë.

Rai3: I vëllai ishte i dënuar në Itali.

KM: Do më lini të mbaroj?

Rai3: Absolutisht, po.

KM: Jo sepse kishte lidhje me ndonjë gjë, po thjesht për një çështje morale. Në rregull? Pas një sulmi me baltë, për të cilin ka një proces gjyqësor që vazhdon dhe përbaltësi që ishte në vijë të parë është dënuar nga gjykata e shkallës së parë. Bën pjesë në grupin politik që e furnizon me këto gjëra.

 



AlbaniaWeb.net