Wed, Nov 27, 2024

Exclusive/ Vrasja e 13-vjeçares në ’97 me plumb në zemër, rrëfimi tronditës i prindërve të Matildës: E dimë kush e ka bërë, manipuluan ngjarjen

  • PublishedJune 2, 2024

Në këtë episod të “Exclusive”, nga Anila Hoxha, sytë dhe vëmendja u kthyen pas në kohë, por në një ngjarje që plagët e saj nuk do të mbyllen kurrë për familjarët… vrasja e Matilda Bufit në 1997, në oborrin e banesës së saj.

Në atë kohë ajo ishte vetëm 13 vjeçe, kur një plumb i përshkoi trupin duke e lënë të vdekur.

“… Ëndrra e saj ishte të bëhej infermiere, pastaj më thoshte do bëhem këngëtare. Më thoshte kur të bëhem mjeke do sëmureni ti dhe gjyshi do ju bëj gjilpërat unë… do bëhem unë doktor thoshte t’ju shëroj”, rrëfehet Xhevahire Bufi.

Asnjëra nga dëshirat dhe ëndrrat e Matildës nuk u plotësua. Fëmija u vra në moshën 13 vjeç, në kopshtin e shtëpisë. Matilda ishte në klasën e gjashtë, kur në vitin 1997 një plumb i dalë nga arma e një polici e vrau.

“Kjo është çupa ime, shpirtin na ka tharë. Nuk e di se sa na ka stresuar, biles kur më shkon mendja tek ajo bie rrëzohem… ka patur vëshur këtë bluzën, të keqen e shpirtit tënd (puth bluzën), zemra e nënës, ka hyrë plumbi shih këtu, nga këtu në krah e ka gërvishur, i doli në zemër. Nga drejtësia nuk kemi marrë asnjë lloj përgjigjeje, patëm çuar letra, do gjejmë të drejtën, do gjejmë atë që e ka vrarë kur më thërrisnin në Elbasan. Ju thosha kur jam në gjumë mos më zgjoni, hë gjejeni kush është polici, ti je shteti, nuk isha me hasëm. Ti më vrare, unë isha në shtëpi, pse shtive nga shtëpia dhe nuk shtive nga ana e furgonit. Fëmija ishte duke zgjidhur lopën, po shkonin radhë plumbat. Po shtinin që të ndalonte furgoni. Kam marrë dy herë kredi, avokatin, kapa avokatin në Tiranë u futa tetë milionë lekë kredi, njëherë mora pesë. Duam kaq lekë, na, vetëm bëni punën”, rrëfen ajo.

Koha vrapon pamëshirë, për prindërit e Matildës që në 27 vjet nuk morën përgjigje se kush e vrau vajzën e tyre. Trupi i fëmijës prehet pak metra larg shtëpisë, në bahçen ku plumbat e forcave të rendit që lëshoheshin mbi autorë ngjarjesh të 1997  këputën jetën e Matildës. Hetimet e manipuluara nuk e treguan asnjëherë se cili ishte oficeri i komisariatit të Peqinit që e vrau  nga pakujdesia.

Përballë lutjeve të familjes prokuroria është vënë në lëvizje dhe e ka hapur sërish çështjen.

Meqënëse shtëpia jonë është përmbi komisariat, të shtënat erdhën nga komisariati dhe ndërkohë babai ynë punon në bahçe dhe dëgjon “ baba më vranë”, çfarë të shikonte vetëm gjak. E marrin e çojnë bashkë me policinë në spital, e pamundur. Ata e mbuluan se aty është dora e një të madhi jo e një polici, për t’i dhënë dorën një të madhi, e mbuluan, ka qenë Mond Koseni shef komisariati”, rrëfen babai i 13-vjeçares.

Neve dhe ditën që na vranë, mbas tre ditësh, njerëzit vazhdonin pinin kafe këtu. Ka qenë Mond Koseni në zyrë, i tha vjehrri “ o bir e kam çunin shumë të stresuar, edhe çuni im di të shtjerë, të vish t’ma qetësosh çunin. Ti të vish t’më kërkosh falje, më bërë hatanë, vajtëm bashkë me vjehrrin…”, tregon nëna e Matildës.

Sidorela Memolla, avokate e familjes: I jam drejtuar me shkresa drejtorisë vendore të policisë Elbasan, të më vendosin fashikullin e vitit 1997, për të parë si ka ndodhur ngjarja. Gjithashtu i kam kërkuar policisë të më vendosin në dispozicion se çfarë bëhet me këtë procedim penal, a është e pezulluar arsyeja, përse është pezulluar. Nëse është e pezulluar të rinisin hetimet, për të gjetur autorët dhe dëmshpërblyer familjen.

Anila Hoxha: Për çfarë vepre është hetuar?

Sidorela Memolla: Vrasje nga pakujdesia. Duke qenë se ka kaluar një furgon ata kanë marrë masa. Duke qenë se shtëpia është përballë komisariatit, njëri nga autorët ka hedhur granata, në këto kushte njëri nga policia ka kaluar në krahun tjetër dhe ka shtirë. Ata thonë se janë dëgjuar të bërtitura dhe ishin familjarët që kërkonin ndihmë. Prokuroria ka marrë një vendim për shfuqizim të vendimit të 1997 duke u justifikuar nga ana e prokurorit, edhe ne kemi pasur pikëpyetje se përse nuk është zbardhur çështja. Prokurori thotë nuk është bërë kqyrja e vendit të saktë të ngjarjes, nuk është përcaktuar distancë nga ku është qëlluar, as këndi i qitjes, dhe distanca ka rezultuar 350 metra.

Xhevahire Bufi: Mu vra goca në shtëpi, ose t’më sjellin vajzën siç e lashë në shtëpi ose të merren me policin. S’kam punë unë me policin!

 



AlbaniaWeb.net