Akuzat për pastrimin e parave në kullat e Tiranës dhe kompania e lobimit të D’Alemas, ja si i përgjigjet Rama investigimit të Rai 3
Pjesa e dytë të reportazhit të Rai 3 mbi Shqipërinë, i nxitur nga marrëveshja që vendi unë vulosi me Italinë për ngritjen e dy qendrave pritëse për emigrantët e paligjshëm, u transmetua e fokusuar sa tek ndërtimi i këtyre strukturave në terren, aq edhe tek akuza të tjera, të cilave kryeministri Edi Rama nuk ka ngurruar t`i japë përgjigje.
Gazetari Giorgio Mottola e spostoi këtë radhë vëmendjen tek hovi i ndërtimeve në vendin tonë dhe burimi i parave për to, duke përmendur në veçanti kullat në Tiranë.
“Vitin e kaluar, në sektorin e pasurive të paluajtshme, ka pasur një investim me vlerë rreth 3,7 miliardë euro, por, pak a shumë, vetëm 800 milionë vinin nga bankat. Nga vijnë paratë me të cilat ndërtohen ato…”, pyeti gazetari.
Rama i tregoi se kjo është pjesë e zhvillimit, e madje këto kulla, u kujdes të nënvizonte ai, janë vetëm fillimi, ndërsa kujtoi një zë tejet të fuqishëm në këto financime që janë remitancat e emigrantëve.
“Pas pesë vjetësh, do të kemi shumë më tepër. Dje isha në Lezhë, ku është vendi që kemi pritur afganët dhe ku do të jenë edhe qendrat dhe, vetëm vitin e kaluar, në Lezhë, iu shitën 500 pasuri të paluajtshme shtetasve të Bashkimit Europian, polakë, spanjollë, çekë, holandezë…. Ne kemi dalë nga lista gri e Moneyval-it, pikërisht sepse kemi një regjim shumë të fortë kundër pastrimit të parave nga ky këndvështrim. E dyta, shqiptarët që jetojnë jashtë nuk janë më shqiptarët që pastronin shtëpitë ose vilnin frutat e që mund t’i trajtonin si skllevër. Janë persona që sot i paguajnë buxhetit italian vlera mjaft të konsiderueshme. Janë thuajse 40 mijë biznese të krijuara nga shqiptarët”, tha Rama.
Ne reportazh, përmendet ish kryeministrit italian Massimo D`Alema, i cili përshkruhet si këshilltar i kryeministrit, por Rama e rrëzoi këtë pretendim duke e cilësuar thjesht një mentor, ashtu siç i rrëzoi edhe pretendimin e mëpasshëm se D`Alema ka ngritur një shoqëri lobimi e ka ardhur në Shqipëri për këtë qëllim.
“Jo, nuk e kam emëruar këshilltar, sepse nuk do ia lejoja vetes ta emëroja këshilltar. Ai është një mentor. Ai kurrë nuk ka ardhur për të folur me mua për interesa. Ka ardhur kur kishte vendosur të largohej nga politika”, u shpreh Rama.
Kjo pjesë e emisionit i rikthehet çështjes së sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të ministrave, Engjëll Agaçi, i cili përshkruhej në pjesën e parë si njeriu kyç i paktit me Italinë dhe një ish-avokat të trafikantëve të drogës.
Rama u përgjigj duke theksuar faktin se ai kishte një prokurë nga gjykata për të ushtruar detyrën e vet si avokat. Në emision u shfaq edhe ish zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj në Zvicër, në një video të fshehtë dhe në padijeninë e tij, ku ai fliste lirshmërisht me gazetarin italian nga një ambient privat i përshtatur si vinotekë e shtrenjtë, për takime të Ramës me sipërmarrës mafiozë.
“Nuk di me kë keni folur, po unë nuk do iu besoja shumë atyre që flasin pasi nuk ua ngroh më të ndenjurat karrigia e pushtetit. Kështu e mendoj unë. Nuk janë njerëz që duhen marrë seriozisht, por vetëm mund të mëshirohen. Pyll pa derra nuk ka”, tha ai.
AlbaniaWeb.net