Sun, Nov 24, 2024

Në Itali të bindur, Conte trajner i Napolit, 200 mln euro buxhet

  • PublishedJune 3, 2024

Të djelën në mbrëmje, sipas mediave italiane, Antonio Conte ka mbërritur në Napoli, me një avion privat nga Londra, aty ku edhe ndoqi finalen e Champion League.

Presidenti De Laurentis, i dhuron kështu tifozëve të tij, në krye të bankinës një trajner me shumë eksperiencë dhe mbi të gjitha një trajner fitues, për të harruar sa më shpejtë sezonin zhgënjyes që sapo u mbyll, në të cilin Napoli e mbylli kampionatin në vendin e 10- të.

De Laurentis do të kërkojë që në sezonin e ri, të bëjë kthesën e madhe dhe t’i dhurojë Conte-s një skuadër kompetitive. Kështu, pasi flitet se me shumë gjasa shitja e bujshme e kësaj merkato vere do të jetë nigeriani Osimhen, klubi napoletan po bënë të pamundurën të mbaj një tjetër xhevahir shumë të çmuar të tij, një prej futbollistëve më kualitativë, siç është gjeorgjiani Kvaratskhelia, për të cilin PSG, flitet se ka shfaqur interesin, për ta sjellë këtë verë në kryeqytetin francez.

Me shitjen e mundshme të Osihmen, plus buxhetin e parashikuar, Conte do të ketë në dispozicion afro 200 mln eurosh, për të shpenzuar në tregun e transferimeve. Tekniku italian, do duhet të mendojë për të forcuar mbrojtjen, ku pas largimit të koreanit Kim, ka shfaqur shumë probleme këtë sezon, si dhe të punojë për të mbajtur në skuadër futbollistë kyç, për Napolin e tij, siç janë portieri Meret dhe mesfushorët Lobotka dhe Anguissa, për të cilin kanë nisur interesimet nga Arabia Saudite.

Tifozët napoletan mund të shohin më në fund dritë në fund të tunelit dhe të shpresojnë pse jo, që në drejtimin e Conte-s, të përsërisin sezonin kur u shpallën kampion.

AlbaniaWeb.net