Italia në emergjencë, dëmtimet kushtëzojnë Spallettin, por trajneri shfaqet i lumtur: Kemi grup serioz
Në vigjilje të “Euro2024”, Italia vijon të humbas elementë shumë të rëndësishëm, lojtarë si Acerbi apo Scalvini, por sërish atmosfera në Converciano është shumë pozitive, fakt që e pranon edhe Luciano Spalletti:
“Kemi të bëjmë me një grup shumë serioz. I dërgojmë një përqafim Acerbi-t dhe Scalvini-t, por të gjithë lojtarët që janë këtu kanë treguar gatishmëri. Kush është stërvitur tregoi se është i lumtur që është këtu, që është thirrur, erdhën më vrap kur mësuan se kishte një hapësirë për ta. Gjithsesi, e përsëris, më vjen keq për ato lojtarë që lamë jashtë. Futbolli ka nevojë për stimuj dhe për persona që kanë dëshirë për të treguar vlerat e tyre”, u shpreh Spalletti.
Një nga surprizat e mëdha në listën e Spallettit ishte edhe Nicolo Fagioli, i cili u shfaq i surprizuar nga ftesa e Spallettit pasi sapo ishte rikthyer nga skualifikimi: “Pasi qëndrova jashtë për një kohë të gjatë, u befasova për këtë grumbullim, por më duhet të them se shpresoja, kam punuar për të qenë gati për këtë moment. Tani po përjetoj një emocion të fortë, do të bëjë gjithçka për të qenë pjesë e 26 lojtarëve që do të shkojnë në Evropian. Nëse do të shkoj në Gjermani do të jap gjithçka nga vetja, në të kundërt do të bëjë tifo për Italinë nga shtëpia”, u shpreh Fagioli.
()