Pas Spanjës, Irlandës dhe Norvegjisë edhe Sllovenia njeh shtetin palestinez
Sllovenia i është shtuar listës së vendeve evropiane që e ka njohur shtetin palestinez.
Parlamenti i këtij shteti ka votuar të martën për të përkrahur këtë vendim, të njëjtë me të Spanjës, Irlandës dhe Norvegjisë, ditë më parë. Izraeli e pati dënuar ashpër vendimin e këtyre tri shteteve.
Qeveria e Sllovenisë e ka miratuar një javë më parë mocionin për njohjen e shtetit palestinez, dhe e ka dërguar më pas për miratim në Parlament. Deputetët kanë votuar me 52 vota për dhe asnjë kundër, në Parlamentin me 90 ulëse. Pjesa tjera e deputetëve nuk ka qenë e pranishme në sallë.
Kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, ka thënë se i ka rritur përpjekjet për të njohur shtetin palestinez, pas intensifikimit të ofensivës së Izraelit në qytetin jugor të Gazës, Rafah.
Ofensiva, që ka nisur javë më parë, ka lënë shumë palestinezë pa ushqim, ilaçe dhe furnizime tjera të domosdoshme për jetë.
Më 2014, Suedia është bërë shteti i parë i BE-së që e ka njohur shtetësinë palestineze, duke vepruar njëjtë sikurse gjashtë shtete evropiane, të cilat e kanë marrë atë vendim para se t’i bashkoheshin bllokut evropian: Bullgaria, Qiproja, Republika Çeke, Hungaria, Polonia dhe Rumania.
Megjithatë, Republika Çeke ka thënë se fundmi se njohja që i ka bërë Çekosllovakia e dikurshme shtetësisë palestineze më 1988, nuk vlen më.
Aktualisht shtetin palestinez e njohin 140 vende të botës – më shumë se dy të tretat e vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara.
Vendimi i këtyre shteteve evropiane për të njohur shtetësinë palestineze vjen teksa po zhvillohet lufta mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.
Konflikt mes dy palëve ka nisur më 7 tetor 2023, pasi militantët e Hamasit kanë sulmuar disa vendbanime izraelite, duke lënë të vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke marrë peng 240 të tjerë.
Izraeli më pas ka nisur ofensivën në Gazë, me qëllim të shkatërrimit të grupit. Si pasojë e ofensivës izraelite janë vrarë më shumë se 36.000 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze./ REL
AlbaniaWeb.net