Broja i karikuar në prag të evropianit: “Dua t’i tregoj botës se kush jam”
Armando Broja është padyshim futbollisti tek i cili të gjithë sportadhësit kuq e zi si dhe opinioni spotiv në vend, kanë vëmendjen kryesore dhe presin të zhvillojë një kampionat të mirë.
Vetë Broja në një intervistë për “The Athletic”, shfaqet më i karikuar se kurrë dhe tregohet i gatshëm që së bashku me djemtë e tjerë të kombëtares të japin gjithçka për të bërë një performancë sa më të mirë.
“Nëse unë do të jem në fushë me Shqipërinë në Euro 2024, atëherë do të kem mundësinë t’u tregoj njerëzve se kush jam në të vërtetë. Sa herë mendoj për këtë, më vjen një buzëqeshje natyrale.
Gjthë jetën time kam ëndërruar që të isha pjesë e një eventi kaq madhor. Kam shumë për t’u provuar njerëzve, por edhe vetes sime. Në futboll ka shumë kritika, njerëz që dyshojnë në cilësitë e tua. Ata mbajnë mend vetëm ndeshjet e këqija dhe të gjykojnë kur je në pikën më të ulët.
Por, kënaqësia e vërtetë në futboll është kur i lë pas të gjitha këto. Do ta përdor të gjithë këtë energji si një shtysë për t’u provuar njerëzve të kundërtën. Më është dashur ta bëjë këtë gjatë gjithë jetës sime dhe ky Europian me jep një tjetër mundësi.
Dua të tregoj se e kam hedhur pas dëmtimin, dhe se mund t’ia dal kundër kombëtareve më të mëdha në botë, si dhe kundër disa prej mbrojtësve e lojtarëve më të mirë në qarkullim.
Dua t’i tregoj botës, vendit tim, familjes sime, shokëve, të gjithë atyre që dyshuan, por edhe atyre që më mbështesin, se unë mund të bëhem futbollisti që kam në mendje dhe të arrij të gjithë pritshmëritë që kam për veten”, u shpreh Broja.