Tre foshnja u braktisën në Londër brenda shtatë vitesh! Zbulohet se ishin motra dhe vëllezër, nëna i hodhi në park në mes të ftohtit
Policia britanike është në kërkim të prindërve të tre foshnjave që ishin mbështjellë me çanta dhe batanije pazari dhe më pas u braktisën në lindje të Londrës gjatë shtatë viteve të fundit.
Gjykata zbuloi se Elsa, e cila u gjet e braktisur në një park, nën temperatura të ulëta në janar, është motra e dy të porsalindurve të tjerë, Roman dhe Harry (pseudonimet që kanë përdorur mediat vendase), që po ashtu u gjetën të hedhur aty pranë, njëri në vitin 2017 dhe tjetri në vitin 2019.
Të tre foshnjat u gjetën të gjallë dhe iu afrua kujdesi i menjëhershëm.
Megjithatë, vendimi i gjykatës i së hënës hedh dritë mbi një rast të frikshëm në lagjen Newham në Londër.
Gjithçka nisi në shtator 2017, kur Harry u gjet i mbështjellë me një batanije në një park të vogël. Policia bëri apel që nëna të paraqitej, por ajo nuk e bëri kurrë.
Një vit e gjysmë më vonë, Roman u gjet në një park tjetër aty pranë, i mbështjellë me një batanije dhe një çantë pazari. “Fëmija ishte mes borës”, tha burri që e gjeti dhe njoftoi më pas policinë në vitin 2019.
Edhe në janar të këtij viti, Elsa u gjet në një shëtitore pranë të njëjtit vend. Ashtu si motra dhe vëllai i saj, ajo u la në rrugë, në temperatura shumë të ftohta.
Një javë pasi u gjet Elsa, policia bëri apel për ndihmë për të identifikuar “një grua të veshur me pallto të madhe të errët me shall ose kapuç me ngjyrë të çelur rreth qafës dhe një çantë shpine në shpinë”, pasi sipas policisë, besohet se ka informacione për ngjarjen.
Ishte testi i ADN-së që zbuloi se tre foshnjat janë motra dhe vëllezër, ndërkohë që hetimet pritet të nxjerrin se përse janë braktisur dhe kush është nëna e tyre.
AlbaniaWeb.net