Përfundoi fushata elektorale në Greqi me mitingjet e partive kryesore! Masa për shtrenjtësinë premtojnë kryeministri dhe kreu i opozitës
Nga mitingu i fundit elektoral në sheshin Syntagma të Athinës ,kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis u bëri thirrje bashkëqytetarëve të tij të votojnë për të zgjedhur deputetët në Parlamentit Evropian pasi duke forcuar zërin e Greqisë në Bruksel dhe Strasburg ata do të mbrojnë edhe interesat e vendit.
Mitsotakis mes të tjerash i është referuar një prej problemeve kryesore që përballojnë grekët , shtrenjtësisë duke theksuar se qeveria e tij do të vazhdojë të marrë masa për të luftuar rritjen e çmimeve.
“Ne e dimë shumë mirë se çmimet e larta vazhdojnë, veçanërisht tek ushqimet. Të dhënat e fundit na bëjnë më pozitivë, por nuk jemi të kënaqur, sepse e di që është një betejë afatgjatë dhe derisa ta fitojmë nuk do të ndalemi së mbështeturi qytetarët tanë më të dobët, me ndërhyrje urgjente, me rritje të qëndrueshme të pagave, pensioneve”, tha kryeministri grek.
Nga ana e tij ,një ditë më parë, kreu i partisë opozitare Syriza, Stefanos Kasselakis, ka bërë thirrje për një sërë reformash tatimore, duke përfshirë uljen e taksave për ushqimin, qiranë dhe produktet e karburantit. Ndërkohë ai ka përshkruar Bashkimin Evropian si ultra-konservator dhe të vjetruar, duke thënë se shpërthimi i së djathtës ekstreme në Evropë është pasojë e mosdëgjimit të nevojave njerëzore nga ana e politikanëve të PPE.
“Në këtë klub muzika e neoliberalizmit luan aq fort sa të afërmit politikë të zotit Mitsotakis nuk dëgjojnë kërkesat dhe nevojat e popujve të Evropës. Këta të ashtuquajtur evropianë kanë imponuar masa shtrënguese të përhershme, varfëri energjetike, pasiguri mjedisore”, u shpreh lideri i partisë opozitare Syriza.
Politikanët grekë janë të shqetësuar pasi sondazhet tregojnë se në kutitë e votimeve që hapen prej orës 7 të mëngjesit të së dielës deri në shtatë të mbrëmjes do të ketë një pjesëmarrje të ulët . Greqia zgjedh 21 deputetë në PE mes kandidatëve të 46 partive ose formacioneve politike.
Në ndryshim nga pesë vite më parë, kësaj here mes tyre është vetëm një shqiptare , zonja Pati Vardami me partinë e ish ministrit të Financave Janis Varufakis, ndërsa gjithashtu në listën e konservatorëve janë edhe dy himarriotët Pirro Dhima dhe Fredi Beleri. Ky i fundit madje sipas sondazheve ndodhet në vendet e para të preferencës.
Demokracia e Re pritet të jetë përsëri fituese duke synuar të zgjedhë deri në 8 ose 9 eurodeputetë megjithëse duket se ka humbur lehtësisht fuqinë e saj në krahasim me zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar, ndërsa pritet që të ketë një rritje të votuesve që mbështesin partitë e ekstremit të djathtë.
AlbaniaWeb.net