Fri, Nov 29, 2024

Inflacioni rritet/ 0.1 pikë më shumë se një muaj më parë. U rrit çmimi i ushqimeve

  • PublishedJune 10, 2024

Inflacioni apo thënë ndryshe indeksi i çmimeve të konsumatorit ka pësuar një kthesë në maj.

Në nivelin 2.2% treguesi pësoi një rritje të lehtë në krahasim me një muaj më parë, por është gati dy herë më i ulët se një vit më parë, kur shënonte nivelin 4.7%.

Ushqimet vijojnë të jenë grupi kryesor që udhëheq rritjen e inflacionit, ndërsa edhe grupi i qirave dhe ujit kanë pësuar rritje gjatë majit duke u bërë grupi i dytë me kontribut në inflacion, ndërsa mobiliet dhe pajisjet shtëpiake qëndrojnë në vendin e tretë.

Statistikat e kostove të prodhimit zbuluan se sektori i ushqimeve të përpunuara ka kosto të rritura, gjë që reflektohen edhe në produktet përfundimtare. Nga krahu tjetër prodhimi i mbarë i frutave dhe zarzavateve ka sjellë ngadalësimin e çmimit të tyre gjatë këtij viti, pas një periudhe dy-vjeçare që kishin rritje dyshifrore.

Ndërkohë të dhënat e detajuara tregojnë se të gjithë nënproduktet që përbëjnë inflacionin edhe çmimet në restorante, bare apo në sektorin e argëtimit kanë ardhur në ngadalësim në krahasim me një muaj më parë. Gjatë majit  treguesi vijoi të qëndrojë poshtë objektivit të Bankës së Shqipërisë, ndërsa edhe institucioni monetar ka vendosur të mbajë të pandryshuar politikën monetare duke mos rritur normën bazë të interesit.

Karburanti si burim kryesor i inflacionit gjithashtu ka pësuar ulje me 4% në maj, më shumë se një muaj më parë, ndikuar kjo edhe nga tregjet globale.



AlbaniaWeb.net