Thu, Nov 28, 2024

Fiks Fare/ Ngatërrohen emrat në Tatime, familja bëhet me “dyqan” dhe me gjoba të papaguara. Fiksi zgjidh problemin

  • PublishedJune 13, 2024

Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së enjtes një problematike në Drejtorinë Rajonale të Tatimeve në Elbasan.

Një familje shkon disa herë në këtë zyrë dhe i thonë se ka dyqan dhe s’kanë paguar gjobën 150 mijë lekë. Madje, punonjëset i thonë se s’mund ta verifikojnë nëse është apo jo i njëjti person. Gazetarët e Fiks Fare verifikuan dokumentet, ku pronari dhe debitori ishte dikush tjetër dhe gjoba i shkoi denoncuesve. Dhe, menjëherë pas këtij konstatimi, Tatimet e Elbasanit i japin familjes Berati një vërtetim që “s’kanë dyqan dhe gjoba”.

Në redaksinë e emisionit “Fiks Fare” u ankua znj. Zamira Berati. “Disa kohë më parë, familjes sonë i është dashur një vërtetim nga Tatimet e Elbasanit se s’kanë biznes. Shkuam te Tatimet për vërtetimin dhe na thonë se Shpëtim Berati, bashkëshorti im, ka një biznes konfesionesh të hapur në vitin 2007. Madje, detyrimet tatimore, gjobat, kishin shkuar në 1.5 milionë lekë të vjetra. Ne s’kemi pasur asnjëherë biznes të tillë, as në Elbasan dhe as në Tiranë ku banojmë tani. Dikur burri ka pasur një furgon në Elbasan, por e ka lënë në vitin 1996” pohon zonja.

Më tej shton se kanë shkuar disa herë te Tatimet e Elbasanit dhe i thonë se biznesi është dhe, pa shlyer këtë detyrim, nuk merrnim dot vërtetimin. “Kërkojmë të zbardhet një gjë e tillë, pasi s’e dimë se kush e ka hapur këtë biznes me emrin e bashkëshortit tim. Bashkëshorti im ka lindur në 30 prill 1962” pohon ajo.

Nga hulumtimi i Fiks Fare në QKB, në biznesin me emrin Shpëtim Berati, rezulton se është hapur NIPT-i në vitin 2007 me objekt “tregtim konfesionesh”, ndërkohë në dokumentet shoqëruese të ngarkuara në QKB rezulton se ka pasur një vendim gjykate që ka regjistruar këtë biznes po të vitit 2007. Kërkues është Shpëtim Berati, i datëlindjes 1983.3.83, banues në Lagjen “Vullnetari”, Elbasan. Pra, dy persona të ndryshëm! “Ne i kemi thënë Tatimeve se është person tjetër, po ata s’e kanë verifikuar asnjëherë” përfundon ajo.

Pas ankesës Zamira shkon te Tatimet e Elbasanit dhe interesohet për këtë detyrim. Punonjësit i thonë se është rreth 150 mijë lekë të rinj dhe, pa paguar këtë detyrim, s’mund t’i japin verifikim. Denoncuesja i thotë inspektores së Tatimet se personi që e ka regjistruar është i vitlindjes 1983, ndërsa ajo i përgjigjet se “s’jemi Gjendje Civile ta verifikojnë”. “S’kemi shkop magjik ta heqim emrin. Ne si inspektorë s’mund të heqim këtë detyrim pa u paguar. S’mund ta verifikoj nëse jeni Ju apo dikush tjetër” i thotë punonjësja. Ajo flet në telefon me disa persona të tjerë, po punonjës të Tatimeve, të cilët i thonë se e kanë diskutuar rastin, pasi ka ardhur edhe me e-mail nga bashkëqeverisja por “Ju keni detyrimi për të paguar”. Në fund i thonë se biznesi është aktiv!

Grupi i Fiks Fare interesohet te këto zyra, ku takojnë drejtorin e DRT Elbasan. Ai thotë se do e verifikojë si rast dhe Fiks Fare do t’i kthejë një përgjigje. Disa minuta më pas, drejtuesit e verifikuan dhe rezultoi se denoncuesi, i vitlindjes 1962, nuk ka biznes aktiv në Elbasan. “Personi duhet të paraqitet vetë te Tatimet e Elbasanit për të marrë një vërtetim që Shpëtim Berati, i dtl 30 prill 1962 ‘s’ka asnjë biznes dhe detyrim për të paguar’” pohuan zyrtarët e Tatimeve.

Një ditë pas interesimit të Fiksit, 62 vjeçari Shpëtim Berati shkoi te Tatimet e Elbasanit dhe u pajis me një vërtetim që “s’ka biznes dhe gjoba”. “Faleminderit Fiks Fare, kishk dy vjet që nuk merrnim një vërtetim të tillë. Unë s’kemi pasur biznes dhe ishim shqetësuar shumë. Tani na qetësuat” përfundoi Zamira.

***

DRT Elbasan

Inspektorja – Ke qenë edhe herë tjetër.

Denoncuesja – Po.

Inspektorja – Bashkë kemi folur.

Denoncuesja – Mund të di sa është ajo (detyrimi) e dashur?

Inspektorja – Shpëtim Berati?

Denoncuesja – Po. 1 milionë e 400 më ke thënë …

Inspektorja – Kaq ka qenë mesa mbaj mend unë. Ti bërë një ankesë.

Denoncuesja – Bëra aplikim për ta mbyllur.

Inspektorja – Këtu ne kemi një NIPT të regjistruar. Ideja është se si e ka regjistruar …

Denoncuesja – Ku di unë, po të them ty.

Inspektorja – Është regjistruar në 2007-ën.

Denoncuesja – Po nga 2007 deri në 2010 e ka përdorur.

Inspektorja – Këtu në sistem ti del me detyrime. Nuk kam se çfarë vërtetimi të jap ty. Plus që vërtetimet dalin online dhe i merr te shërbimet.

Denoncuesja – Dakord …

Inspektorja – Po këtu dalin këto detyrime, e kupton? Këtu del ky NIPT i regjistruar. Pjesa pastaj që ti thua s’e kam regjistruar, sepse këtu faji është edhe i ID-së se unë s’e kam këtu në sistem duke qenë se është gjë e vjetër. Se s’kanë qenë edhe ID-të atëherë, e kupton.

Denoncuesja – Është edhe një Shpëtim Berati tjetër i datëlindjes ’83? Mos ka përdorur edhe ai të njëjtin NIPT? Nuk del aty?

Inspektorja – Unë nuk kam Regjistrin e Gjendjes Civile.

Denoncuesja – E kuptoj.

Inspektorja – Këto pjesët me emrat me datëlindjet ndoshta shihen te Regjistri i Gjendjes Civile.

Denoncuesja – Ok, dakord.

Inspektorja – Te kati i parë çfarë të thonë kur i thua nuk e kam këtë lloj aktiviteti?

Denoncuesja – Më thanë që të vij këtu te ju, mos bëni ju ndonjë gjë, duke ditur që unë kam të drejtë.

Inspektorja – Ça mund të bëj?

Denoncuesja – Të eliminojmë emrin, kaq!

Inspektorja – Nuk është shkop magjik për të hequr emrin. Emri është aty, më kupton. Dmth, emri është aty. Unë e mbaj mend, ti ke qenë edhe herë tjetër këtu.

Denoncuesja – Po, po.

Inspektorja – Kemi folur edhe bashkë. Në fakt ky biznesi është këtu. Pjesën ku është hapur, si është hapur, kush e ka hapur. Unë i besoj të gjitha atyre që thua po s’të ndihmoj. (Flet në telefon) Ti them të kontrollojë sistemin, se e kam këtu në zyrë, do vërtetim që s’ka aktivitet, po vërtetim ne nuk nxjerrim dot se NIPT-i është aty! Këtu s’ke çfarë sqaron, këtu është një biznes i regjistruar, e kupton? Faktikisht është ky biznes! Ti thua s’e kam hapur unë?!

Denoncuesja – Jo!

Inspektorja – Unë nuk kam nga ta vërtetoj që e ka hapur apo s’e ke hapur ti! Nëqoftëse unë ty të besoj 100 %, unë nuk kam autoritet të heq apo të fal asnjë lloj detyrimi.

Denoncuesja – Ju nuk e dini se cili është ai që e ka hapur? S’keni informacion ju?

Inspektorja – Si ta gjejmë ne çfarë është hapur në 2007-ën! Si ta gjej unë sot kush ka shkuar te QKB-ja dhe ka hapur një biznes në 2007-ën. NIPT-i nuk hapet që vjen ti fizikisht ti te zyrat tona. NIPT-i sot për sot hapet online nga “e-Albania”, në ato vite hapej me aplikim me vendim gjykate ose me aplikim në QKB, në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Dhe këtu vijnë NIPT-e të regjistruara. Ti këtu ke detyrime, ne nuk nxjerrim një vërtetim që s’ka detyrime kur detyrimet janë!