Tue, Nov 26, 2024

Furtunë në qeverinë greke, Mitsotakis ndryshon katër ministra dhe shtatë zëvendës/ministra

  • PublishedJune 14, 2024

Pesë ditë pas një rezultati jo të mirë të konservatorëve në zgjedhjet për PE, megjithëse përsëri kryesojnë, kryeministri grek dhe lideri i Demokracisë së Re Kyriakos Mitsotakis reformatoi qeverinë e tij, në një përpjekje për tu treguar grekëve se ka marrë mesazhin nga kutia e votimeve.

Ai ka ndryshuar 5 ministra, katër prej tyre kanë dalë jashtë skemës qeveritare, ndërsa një ka ndryshuar portofol. Por gjithashtu edhe 7 zëvendës ministra nuk janë më pjesë e kabinetit qeveritar. Ndërkohë ka mbajtur ministrat e tij të jashtëm dhe të financave për të treguar vazhdimësinë e politikës.

Midis ndryshimeve kryesore bie në sy zëvendësimi i ministres së Brendshme pas skandalit të rrjedhjes së e-maileve të grekëve homogjenë dhe vendin e saj e merr zoti Theodhoros Livanios.

Gjithashtu ish-ministri i Rendit, Takis Theodorikakos merr Ministrinë e Zhvillimit. Zëvendësohet edhe ministrja e Punës NGA Zonja Nikis Kerameos, bashkë me zëvendës/ministrin e këtij dikasteri.

Në krye të ministrisë së emigracionit vjen ish ministri i Mbrojtjes Nikos Panajotopoulos, ndërsa zëvendësohet gjithashtu ministri i Zhvillimit Rural nga Kostas Tsiaras.

Edhe postin e zëvendësministrit të Maqedonisë dhe Trakës, ministri me qendër në Selanik për arsye kuptimplote, e merr Kostas Gjulekas, një politikan i njohur edhe në Shqipëri.

Demokracia e Re humbi më shumë se 13 pikë ose gati 1 milionë vota brenda 10 muajve, në zgjedhjet e së dielës, kur edhe mospjesëmarrja shënoi një rekord prej vitit 1974, ç’ka interpretohet si zhgënjim i grekëve nga politika dhe kryesisht edhe nga politika qeveritare.

Mitsotakis me këtë lëvizje kërkon të përmirësojë veprën e qeverisës së tij në ato poste nevralgjike ku shprehen edhe pakënaqësitë e qytetarëve si efikasiteti i dobët ndaj shtrenjtësisë dhe rënies së nivelit të jetesës, problemet në sektorin e bujqësisë, kriminaliteti, mungesa e fuqisë punëtore , emigracioni dhe rritja e fuqisë të së djathtës ekstreme sidomos në Greqinë e Veriut, ndaj dhe shumë prej anëtarëve të rinj vijnë nga kjo zone dhe nga prefektura të ndryshme të vendit.

Pas betimit të ministrave dhe zy/ministrave të rinj pasditen e së premtes, mëngjesin e së shtunës është planifikuar mbledhja e pare e kabinetit të ri.



AlbaniaWeb.net