Gjithçka e kthyer në hi dhe gërmadha/ Pamje me dron nga tregu i rrobave në Shkodër, çfarë la pas zjarri gjigant
Një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu tregun e rrobave të përdorura një ditë më parë rreth orës 18:55 në lagjen “Ndoc Mazi” në Shkodër.
Një ditë më pas, e gjithë zona është kthyer në hi dhe gërmadha.
Zjarri nisi fillimisht brenda tregut, duke u përhapur në banesat që ndodheshin pranë duke djegur 5 prej tyre. 25 njësi tregtare u përfshinë nga zjarri, ku rrobat e përdorura ndihmuan në përhapjen e flakëve.
Përveç tregut të shkrumbuar, nga flakët u përfshinë nga zjarri edhe pesë banesa të tjera, ku fatmirësisht nuk ka të lënduar në njerëz. Tregu në momentin që ra zjarri ishte mbyllur dhe kështu është shmangur tragjedia.
Ende nuk dihet shkaku i rënies së zjarrit që mori përmasa të frikshme, ndërsa dyshimet e para janë se ishin aksidentale, ndërsa u angazhuan të gjitha strukturat. Në terren shkuan 21 mjete zjarrfikëse të repartit të Shkodrës, ku erdhën në ndihmë edhe forca nga Malësia e Madhe, Lezha, Ulqini dhe Tivari.
Në vendngjarje ndërhynë edhe 110 efektivë të forcave zjarrfikëse, 30 efektivë të Policisë Shkodër, 20 efektivë të repartit të FNSH, 3 autoambulanca me personel nga Spitali i Shkodrës, 110 punonjës të Bashkisë Shkodër si dhe 30 efektivë të Repartit Ushtarak Vau Dejës.
Një helikopter i ushtrisë ishte në vendngjarje për të shuar vatrën e zjarrit.
AlbaniaWeb.net