Prevedeja e Thanës – Si ta Përgatisni për Shije dhe Shëndet të Mirë
Prevedeja është e shijshme, e lehtë dhe e butë, delikate në përbërjen e saj xhelatinoze dhe fantastike teksa përgatitet si shurup.
Prevedeja është simboli i mjeshtërisë së amvisave shqiptare në përgatitjen e ëmbëlsirave unike të kuzhinës sonë tradicionale.
Në vazhdën e recetave interesante të publikuara rregullisht, lexuesit e AgroWeb.org, kanë mësuar sekretet e recetave tradicionale, por edhe unike të prevedesë së manaferrës, kumbullës apo ftoit dhe boronicës, të cilat mund të përgatiten lehtësisht në shtëpi.
Kësaj here AgroWeb.org sugjeron recetën e përgatitjes së simbolit të prevedesë shqiptare, atë të thanës.
Prevedeja e thanës është me patjetër ëmbëlsira që nuk duhet të mungojë absolutisht në kuzhinën e familjeve shqiptare, jo vetëm për shijen e saj fantastike të ëmbël, të athët por mbi të gjitha për vlerat kuruese që ajo mbart.
Një gotë shurup nga prevedeja e thanës apo një dy lugë prevede prej saj kanë qenë përherë kura natyrale e përdorur nga nënat e gjyshet për lehtësimin e dhimbjeve të barkut të shkaktuara nga i ftohti.
Gjithashtu, prevedeja e thanës përdoret edhe për lehtësimin e komplikacioneve të tjera që sjell i ftohti siç janë dhimbjet e fytit por edhe të kokës.
Krahas vlerave të saj kurative, prevedeja e thanës është një kombinim i mrekullueshëm në përgatitjen e shumë ëmbëlsirave.
Më poshtë mund të ndiqni recetën e sugjeruar nga AgroWeb.org për ta përgatitur prevedenë e thanës krejt lehtë në shtëpi.
Si të përgatisni prevedenë e thanës në shtëpi
- Përbërësit 2 kg thana pa bërthamë
- 7 filxhanë çaji me sheqer
- 4 gota me ujë
Udhëzimet
Merrni një tenxhere të madhe. Ziejini thanat deri sa të zbuten dhe të bëhen të bardha. Procesi i zjerjes mund të zgjasë deri në 40 minuta.
Pasi kanë zjerë thanat, kulloni lëngun përmes një site kuzhine apo kullorëse dhe hidheni në një enë.
Lëngu i nxjerrë duhet të arrijë në sasinë e përafërt me 5 filxhanë e gjysmë dhe duhet lënë të ftohet për 30 minuta.
Më pas hidheni lëngun sërish në tenxhere.
Shtoni sheqerin dhe lëreni të valojë derisa masa të trashet në formën e xhelatinës.
Hiqeni nga zjarri dhe me një lugë hiqni shkumën e formuar.
Masën e nxehtë hidheni me kujdes në kavanozë të sterilizuar duke lënë një hapësirë nga kapaku.
Përdorni një lugë për të larguar bulëzat e krijuara dhe mbylleni kapakun fort.
Kavanozët duhen vendosur për pesë minuta në një tenxhere të madhe me ujë të valuar. /AgroWeb.org