Këshilli i Trashëgimisë mban në dorë fatin e vilës antike të zbuluar në Durrës
E ardhmja e ndërtimit të ardhshëm të shkollës “Gjergj Kastrioti” në Durrës do të vendoset nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, KKTK, por zbulimi i deritanishëm arkeologjik do të ruhet dhe do të konservohet.
Ekspedita dymujore ka mbërritur në ditët e fundit, dhe tashmë konturet e vilës antike, janë zbuluar në pjesën më të madhe të saj.
Prof. Luan Përzhita në një intervistë për BIRN tha se relacioni i misionit që po mbyllet do të dorëzohet në KKTK brenda mesit të muaji korrik.
“Disa nga anëtarët e këtij Këshilli janë arkeologë dhe mendimi i tyre mbi një ndërtim ose jo pranë zonës së gërmuar, do të ketë mjaft rëndësi”, tha prof. Përzhita, sipas të cilit pritet edhe gjykimi i kolegëve të tjerë arkeologë.
Brenda këtyre dy muajve, në territorin prej 1200 metra katrorë ku shtrihej dikur shkolla e dëmtuar nga tërmeti shkatërrues i nëntorit 2019, u zbuluan një sërë objektesh me rëndësi, mes të cilave edhe terma, tre mozaikë në gjendje të ruajtur, një tjetër i dëmtuar, si dhe një sërë afreskesh që shërbenin si faqe anësore për një pishinë.
Prof. Luan Përzhita sqaron për BIRN se deri tani njihet vetëm gjysma e sipërfaqes së plotë të vilës së periudhës romake, e cila mendohet se arrin në 2.500 metër katrorë.
Duke folur për pasurinë që përfaqëson, si dhe për nivelin e lartë të ndërtimit që në shekullin e parë pas erës sonë, prof. Përzhita nënvizon se një nga dyshemetë me mozaik ka të instaluar edhe një shatërvan, çka i jep hijeshinë mjediseve të banesës.
Ai shton se Vila ka pasur disa rindërtime, në vartësi të tërmeteve.
Gjatë dy muajve në territorin e kërkimit kanë punuar rreth 25 arkeologë dhe konservues, disa prej të cilëve janë atashuar në Laboratorin e ekspeditës, një mjedis ku marrin jetë pjesët e objekteve të dëmtuara, që zbuloheshin në terren.
Rreth 300 monedha të zbuluara, që i përkasin periudhave dhe prodhimeve të ndryshme, sqarojnë periudha të ndryshme të jetës së qytetit bregdetar.
Në ballkonin e improvizuar mbi tarracën prej dheu të thelluar nga 7 metra lartësi kanë ndaluar një grup turistësh, të cilët në pamundësi për ta ndjekur nga afër ekspeditën, fotografojnë nga lart.
“Do të donim ti mirëprisnim, por ekspedita ka rregullat e saj të lëvizjes,” shprehet profesori.
Luan Përzhita ka marrë pjesë dhe ka drejtuar rreth 70 ekspedita brenda dhe jashtë vendit, por sipas tij Durrësi ka diçka të veçantë.
“Ka një heshtje solemne gjatë gërmimeve në Apolloni apo Butrint, pasojë e mungesës së qendrave të banuara,” tha prof Luani, ndërsa shtoi se “Durrësi ka magjinë e qytetarëve, jetën intensive të të cilëve e ndjen nga të gjitha anët”.
Zbulimi i këtij monumenti duket se do ta ndryshojë edhe trajtimin e të gjithë hapësirës si zonë arkeologjike B, ku mjafton një monitorim gjatë hapjes së themeleve për ndërtim.
Territori që mund të vihet në dispozicion të ndërtimit të shkollës së re “Gjergj Kastrioti” duket mjaft i vogël në raport me projektin fillestar, për të cilin është shpallur edhe firma fituese.
Ekspedita ka pasur edhe interesimin e bashkisë, si dhe atë të ministrisë së Ekonomisë, kulturës dhe inovacionit për ekspeditën e fundit në Durrës.
Prof. Luan Përzhita vlerëson edhe mbështetjen e medias, të cilat kanë mbështetur edhe idenë e krijimit të një parku arkeologjik.
“Vila antike ndodhet shumë pranë Amfiteatrit antik, si dhe muzeut arkeologjik të Durrësit. Mundësia e vizitave nga disa rrugë hyrëse është e dukshme,” tha prof. Përzhita.
Arkeologët kanë mbërritur në orët e fundit të ekspeditës dhe tashmë prof Luani ka nisur të kujdeset për dimrin e ardhshëm.
“Për ta ruajtur, do ta mbulojmë sipërfaqen e gërmuar, njëlloj si para ekspeditës,” tha ai, duke nënvizuar rëndësinë që po i jepet sistemit të kanalizimit të ujerave në të gjithë territorin.
“Unë uroj që vitet e ardhshme kjo hapësirë të vihet në dispozicion të arkeologjisë për gërmime dhe për konservim të mëtejshme,” tha prof. Përzhita, ndërsa shtoi se “po të kisha mundësi, do ta financoja vetë ekspeditën e ardhshme.”