Thu, Nov 28, 2024

Votohet sot qeveria në Shkup, pjesë e koalicionit të VMRO-DPMNE-së, edhe katër parti shqiptare

  • PublishedJune 22, 2024

Sot mbahet në parlamentin maqedonas seanca për votimin e Qeverisë së re, që do të drejtohet nga Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO DPMNE-së- fituesja e zgjedhjeve të përgjithshme të 8 majit.

Ekzekutivi i ri do të ketë në total 24 ministri, apo katër më shumë se qeveria e deritanishme. Në koalicion aty me VMRO-në është edhe koalicioni VLEN, i përbërë nga katër parti shqiptare si dhe partia ZNAM, me ish anëtare te Lidhjes Socialdemokrate (LSDM). Të gjitha bashkë, këto forca politike kanë 78 deputetëve nga 120 që numëron gjithsej kuvendi i shtetit fqinj.

Për zgjedhjen e Qeverisë së re duhet të votojnë 61 deputetë, e sipas rregullores, debati nuk mund të zgjasë më shumë se dy ditë.Sundimi i ligjit, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, zhvillimi ekonomik dhe integrimi evropian i vendit, do të jenë prioritetet kryesore të punës së Qeverisë, sipas Mickoskit që do të prezantojë ministrat e kabinetit qeveritar dhe programin e punës.

Partitë shqiptare të koalicionit VLEN janë zotuar të kenë një qasje të ndryshme nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), i cili ka qenë në pushtet që nga viti 2002. Koalicioni VLEN pritet të drejtojë gjashtë ministri. Zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Ekologjisë pritet të jetë Izet Mexhiti. Besar Durmishi do të drejtojë Ministritë e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, ndërsa Fatmir Limani, Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës. Arben Taravari është propozuar për ministër të Shëndetësisë, ndërsa Arben Fetai për zëvendëskryeministër. Orhan Murtezani llogaritet të marrë portofolin e Ministrisë së re për Eurointegrime.

Për BDI-në, pjesëemarrja e VLEN në Qeveri  është jolegjitime, pasi sikurse thotë ajo,  opozita e deritanishme shqiptare i humbi zgjedhjet e 8 majit, ndaj nuk mund të përfaqësojë shqiptarët. Madje sipas partisë së Ali Ahmetit, VLEN-i i ka “dëmtuar interesat shqiptare” duke pranuar rolin e “vasalit” në Qeverinë e Mickoskit.



AlbaniaWeb.net