Thu, Nov 28, 2024

“Me pak fat mund t’ia dalim”, Asani shpreson: Spanja e fortë, por nuk kemi asgjë për të humbur

  • PublishedJune 23, 2024

Spanja, në letër, duket një mision i pamundur, ose më saktë shumë i vështirë, por kuqezinjtë nuk kanë asnjë për të humbur, ndaj “furisë së kuqe” luajnë gjithçka për gjithçka. Jasir Asani, ylli kuqezi, në një intervistë për faqen zyrtare të UEFA-s është i qartë në këtë pikë, eksperienca e fituar në dy takimet e para mund t’i shërbejë shumë ndaj Spanjës, pavarësisht se rivali i tyre ka një kualitet shumë të lartë:

“Kemi luajtur ndaj dy kundërshtarëve të fortë si Italia dhe Kroacia. Ata luajnë futboll të nivelit të lartë dhe Spanja ka gjithashtu talente të mëdha. Ne kemi mësuar shumë si një skuadër në “Euro2024”, pasi këto ndeshje janë ato që mund të na përmirësojnë si futbollistë”, u shpreh Asani, duke shtuar ndër të tjera se e janë të vetëdijshëm se çfarë ndeshje i pret:

“Ne e kemi analizuar Spanjën dhe i kemi studiuar. Nuk kemi asgjë për të humbur, ndaj do të mundohemi të bëjmë më të mirën dhe të marrim tre pikët, edhe pse do të jetë një detyrë shumë e vështirë. Nëse do të kemi pak fat, mund t’ia dalim”, u shpreh mëngjarashi kuqezi, duke bërë në fund dhe një batutë për këpucët e tij speciale me SuperMario:

“Dëshiroja të kisha një dizajn argëtues ndaj zgjodha SuperMarion. Ndoshta këpucët e mia janë më të famshme në Euro2024 se sa unë”, tha Asani.

AlbaniaWeb.net